Pensionet rriten me 5 për qind
Ministri Bode ka sqaruar se me anë të kësaj rritjeje kërkohet që të ruhen diferencat në skemën e pensioneve, duke dhënë një përfitim shtesë, edhe për ato shtresa që nuk kanë përfituar nga zhvillimet e deritanishme në këtë skemë.
"Kjo, pasi nivelet minimale i vendosëm në fillim të vitit, 5 mijë lekë dhe 10 mijë lekë, tani është e domosdoshme që kategoritë e tjera që kanë përfituar më pak, sepse kanë qenë mbi këto nivele, të mund të përfitojnë rritje për të ruajtur hierarkinë",- tha ministri Bode.
Pensionet e qytetit do të pësojnë një rritje prej 5% në muajin korrik, ndërsa për pensionet në fshat është llogaritur që të ketë një rritje që shkon në 10%. Deklarata është bërë gjatë ditës së djeshme nga ana e ministrit të Financave, Ridvan Bode.
Por, megjithëse qeveria po mundohet që të nxjerrë nga varfëria pensionistët, të ardhurat e tyre që mbeten të përqendruara tek pensionet mbesin minimale. Kjo ka qenë edhe arsyeja që Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare kanë bërë thirrje për një skemë të re pensionesh, duke e vlerësuar skemën aktuale të dështuar në të gjithë komponentët.
Madje Banka Botërore, në një raport të saj për skemën e pensioneve, ka bërë të ditur se nëse nuk gjendet një zgjidhje për këtë problem, ka shumë mundësi që pas disa vitesh një pjesë e mirë e pensionistëve të mbeten me pensione tepër të ulëta, ose nuk do të kenë mundësi fare që të bëhen pjesë e skemës. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga ana e ministrit të Financave, që ka deklaruar se "po punohet për një reformë të thellë në këtë skemë.
Ajo që do të bëjmë me rritjen e tanishme të pensioneve është që t'i japim një hapësirë të gjitha kategorive të pensioneve për t'u rritur, në mënyrë që të mos ulet interesi për kontributet e pensioneve të diferencuara. Pra, mendojmë që tani, skemës së pensioneve t'i japim pak hierarki brenda saj, përmes kësaj rritjeje që ne mendojmë të bëjmë.
Kjo, pasi nivelet minimale i vendosëm në fillim të vitit, 5 mijë lekë dhe 10 mijë lekë, tani është e domosdoshme që kategoritë e tjera që kanë përfituar më pak, sepse kanë qenë mbi këto nivele, të mund të përfitojnë rritje për të ruajtur hierarkinë".
Ministri Bode ka deklaruar edhe gjatë ditës së djeshme se, politika e qeverisë në skemën e pensioneve do të vazhdojë që të përqendrohet në rritjen e pensioneve të ulëta. "Një rritje tërësore e pensioneve në nivelin 5%, një rritje mbi 10% të pensioneve të fshatit, e cila është rritje suplementare pasi rritja e këtij viti, politika buxhetore e vitit 2007, sikurse e dini është konsumuar një herë në janar të këtij viti, kur rritëm pensionet e fshatit, duke i çuar në nivelin jo më pak se 5 mijë lekë dhe ato të qytetit, jo më pak se 10 mijë lekë.
Pra një rritje ne e kemi bërë në fillim të vitit. Kjo është rritja e dytë brenda të njëjtit vit për pensionet e fshatit dhe qytetit". Por, megjithëse rritja është dy herë më e madhe për fshatin, ajo nuk ul diferencat midis pensioneve të fshatit dhe qytetit.
Gjatë këtij viti është parashikuar që rreth 40 milionë USD të shkojnë për skemën e pensioneve dhe në këtë vlerë, sipas Bodes, përfshihet edhe rritja e pensioneve realizuar në janar të këtij viti.
Source: Shekulli
0 Comments:
Post a Comment