Bode: Investimet të përshpejtohen
Ministria e Financave ka paraqitur dje buxhetin shtesë për 6 mujorin e dytë të këtij viti, ndërsa ka kërkuar nga ana e ministrisë të linjës, që të përshpejtojnë punën për realizimin e projekteve publike.
Sipas ministrit Bode, vlera totale e autorizimeve që Ministria e Financave dhe qeveria do t'i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë, për t'u shpenzuar gjatë 6 mujorit të dytë, arrin në 28 miliardë lekë ose rreth 280 milionë USD.
Në tërësinë e saj, rreth 13.5 miliard lekë ose rreth 135 milionë USD vijnë tërësisht për shkak të administrimit të mirë fiskal, tejkalimit të të ardhurave fiskale korrente dhe përmirësimit të administrimit të shpenzimeve publike, ku rreth 1 miliardë lekë janë kryesisht të kursyera nga shërbimi i borxhit publik: për shkak të zgjatjes së maturimit të kohës së bonove të thesarit dhe uljes së kostos së shërbimit të borxhit publik të vendit.
Nga ana tjetër, në këtë 6-mujor kontribuon edhe privatizimi i "Albtelekomit" me një vlerë prej rreth 14.2 miliardë lekësh, që do të destinohen: 7.1 miliard lekë, për uljen e borxhit publik të vendit dhe 7.1 miliard lekë për financimin e investimeve në infrastrukturën rrugore tërësisht, për të financuar avancimin e punimeve të rrugës Durrës-Kukës. Ministri i Financave ka pranuar se realizimi i investimeve publike mbetet larg planit të qeverisë. "Sigurisht, që 6-mujori dëshmon se investimet publike kanë nevojë të përshpejtohen, aq më tepër, kur shtesa kryesore e buxhetit do të destinohet përsëri për investimet publike.
Si fund 5-mujori ne jemi në nivelin e 70% të programit të periudhës me investimet e brendshme ose kemi shpenzuar në fund të 5 mujorit të parë ¼ e fondeve vjetore të destinuara për investime publike",- ka deklaruar Bode. Nëse do të përfshiheshin në këtë analizë edhe investimet me financime të huaja, atëherë realizimi në total i investimeve publike shkon në rreth 46%.
Pse nuk u realizuan investimet
Sipas Ministrisë së Financave, një nga shkaqet kryesore mbeten procedurat e prokurimit.
"Ne kemi bërë analiza dhe kemi kërkuar raportime nga ministritë e linjës. Janë probleme që lidhen me procedurat e prokurimit dhe vonesat që shkaktohen gjatë këtij procesi, për shkak të ankesave, pjesëmarrjeve të kompanive, respektimit të rregullave sipas ligjit të prokurimeve publike",- ka sqaruar Bode.
Nga ana tjetër Ministria e Financave, në bashkëpunim me ministritë e linjës po identifikon projekte, të cilat, për arsye të ndryshme nuk mund të realizohen brenda këtij viti, për t'i rialokuar drejt projekteve në proces, që kanë më shumë kapacitete ekzekutimi. "Ajo që ne kemi kërkuar dhe që do të garantojmë deri në fund të vitit, nëpërmjet një ndjekje operative më të mirë, është që në fund të vitit ne duhet të realizojmë tërësisht programin e investimeve publike me fonde të brendshme",- tha Bode.
Privatizimi i "Albtelekom"
Bode ka sqaruar gjatë paraqitjes së buxhetit shtesë edhe se ku do të investohen të ardhurat nga privatizimi i "Albtelekom". "Janë 14.2 miliardë lekë që vijnë nga privatizimi i "Albtelekom", nga të cilat: 7.1 miliardë lekë, për uljen e borxhit publik të vendit dhe 7.1 miliardë lekë për financimin e investimeve në infrastrukturën rrugore, tërësisht, për të financuar avancimin e punimeve të rrugës Durrës-Kukës",- ka sqaruar ai.
Ndërsa, përsa i përket zërave për një rritje të mundshme të akcizës së cigareve, Bode deklaroi se, "nuk mendoj se ne duhet të rrisim akcizat e cigareve, për arsye se nga një vëzhgim dhe krahasim që bëjmë me akcizat e vendeve të tjera të rajonit, Shqipëria nuk i ka më të ulëta. Madje ka vende në rajon, që kanë akciza më të ulëta cigaresh nga ne. Unë do të përmendja Malin e Zi.
Këto vende janë bërë tepër atraktive në kushtet e mungesës së kontrollit të plotë të kufijve, për të bërë import te këto vende dhe për të evaduar në mënyrë jolegjitime trafiqe të cigareve drejt vendeve të tjera.
Pra mendoj, dhe në fakt kemi biseduar edhe me FMN-në, se natyra e mallrave të tilla, duhet të ketë pak a shumë të njëjtin nivel akcize për vendet e rajonit, në mënyrë që të mos kemi devijim në trafiqe tregtare, për t'i përdorur pastaj për trafiqe ilegale në qarkullimet ndërkufitare".
Tabela e buxhetit shtesë
14.2 miliardë lekë të ardhurat nga privatizimi i "Albtelekom"
13.5 miliardë lekë të ardhura nga tejkalimet fiskale
Shpërndarja
Totali rreth 27.7 miliardë lekë, ose 280 milionë USD
7.1 miliardë lekë për uljen e borxhit publik
7.1 miliardë lekë për rrugën Durrës-Kukës
6. 5 miliardë lekë për investime të tjera
5 miliardë lekë për financimin e KESH-it
1 miliardë lekë miliard shtesë për fondin kontigjencë të pagave dhe pensioneve (i cili është aktualisht 4 miliardë lekë + miliardë lekë = miliardë lekë në total)
1 miliardë lekë rialokim shpenzimesh
strukturore/operative
Source: Shekulli
0 Comments:
Post a Comment