Lajme Shkurt Nga Bota:
ITALI. Zjarret e shumtë të përhapura që dje nga era e fortë dhe zhegu në disa rajone në jug të Italisë, vazhdojnë të mobilizojnë sot zjarrfikësit dhe mbrojtjen civile, sidomos pranë Palermos, ku rrezikohen disa banesa. Përveç Kalabrisë, Puljas dhe Molises, rajoni më i prekur është Siçilia, sidomos provinca e Palermos.
KORE E VERIUT. Inspektorë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, IAEA, mbërritën sot në Korenë e Veriut, pas pothuaj pesë vjet mungese, për të diskutuar rreth mbylljes së kompleksit kryesor bërthamor të vendit komunist, etapa e parë e një marrëveshjeje për çarmatimin e armëve bërthamore, njoftoi agjencia Hsinhua.
RUSI. Të paktën shtatë punëtorë kanë gjetur vdekjen dhe katër të tjerë konsiderohen të zhdukur pas një shpërthimi që ndodhi dje në një minierë të rajonit Vorkuta, në Siberi, në veri të Rusisë, njoftuan agjencitë lokale. "Kishte 108 persona në minierë dhe pothuaj të gjthë arritën të shpëtonin në çastin e incidentit", shpjegoi një zyrtar i qendrës, duke shtuar se katër minatorë janë shtruar në spital, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.
BRITANI. Shira të rrëmbyeshëm shkaktuan vdekjen e dy personave në veri të Anglisë, ndërsa qindra të tjerë vazhdojnë të jenë të bllokuar nga përmbytjet, njoftojnë skuadrat e shpëtimit. Policia e Sheffield-it njoftoi dje në mbrëmje se ka gjetur trupin e një të riu të paidentifikuar, i cili ishte mbytur.
KAMBOXHIA. Një avion, që transportonte 13 koeranojugorë, tre çekë dhe katër anëtarë të ekuipazhit nga qyteti qëndror Siem Reap drejt Sihanoukville, u zhduk sot nga radarët, njoftoi drejtori i aeroportit. Ai bëri të ditur se avioni AN-24 u zhduk nga radarët në herët në mëngjes. Një zyrtar i aeroportit, i cili nuk dëshironte të identifikohej, deklaroi se avioni është përplasur në mal pranë qytetit bregdetar Kampot.
GREQI. Autoritetet greke kanë dhënë sinjalin e alarmit për të gjitha shërbimet e emergjencës, ndërkohë që parashikohet që temperaturat të arrijnë në mbi 46 gradë Celsius duke e shndërruar qershorin në muajin më të nxehtë që është regjistruar ndonjëherë.
IRAK. Gjashtë liderë të rëndësishëm sunitë mund të jenë në mesin e viktimave të atentatit kamikaz në hollin e një hoteli në Bagdad, bëri të ditur ushtria amerikane. "Sipas raporteve paraprake, gjashtë sheikë ndodhen mes viktimave", deklaroi lejtnant-koloneli Scot Bleichwehl. Ushtarët amerikanë ndodheshin në hotelin, ku ishin mbledhur liderët sunitë arabë të provincës perëndimore të Anbarit.
IRAK. Shtatë persona humbën jetën kur një kamikaz që kishte lidhur në trup një brez eksplozivi hodhi veten në erë brenda një hoteli në Bagdad që frekuentohet nga të huajt, bëri të ditur sot policia dhe dëshmitarë.
TURQI. Turqia do të bëjë hapa përpara për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pavarësisht nëse bisedimet në disa fusha do të mbahen pezull nga Brukseli, deklaroi sot ministri turk i Ekonomisë dhe kryenegociatori i bisedimeve me BE-në, Ali Babacan.
IRAK. Një sulm kamikaz kundër një komisariati policie në qytetin verior irakian Baiji shkaktoi sot 18 të vdekur dhe 40 të plagosur, bëri të ditur policia, ndërsa sulmi shkatërroi një pjesë të një ndërtese dhe banesave aty pranë. Një kamikaz hodhi veten në erë pranë mureve të jashtme të rajonit të policisë në Baiji, 180 km në veri të Bagdadit , u shpreh shefi i policisë Gazwan al-Janabi për agjencinë Reuters.
EGJIPT. Një inxhinier bërthamor në Agjencinë egjiptiane të Energjisë Nukleare (AEA) u shpall fajtor sot për spiunazh në favor të Izraelit dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Mohamed Sajed Saber Ali u akuzua për marrje dokumentesh nga një reaktor i vogël bërthamor egjiptian dhe i dorëzoi ato, për një shumë 17 000 dollarë, te shërbime të huaja sekrete që punonin, sipas gjasave, për shërbimin sekret izraelit.
SHBA. Sekretarja e SHBA-ve, Kondoleza Rajs tha se Uashingtoni do të përkrah vazhdimin e bisedimeve Kosove- Serbi, siç është propozuar me projekt-rezolutën e fundit të Këshillit të Sigurimit.
BRUKSEL. Liderët e Bashkimit Evropian ranë dakord për një mandat për të negociuar me detaje një marrëveshje të re për të reformuar institucionet e bllokut, deklaroi sot kancelarja gjerman, Angela Merkel, pas një samiti maratonë.
BRUKSEL. Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, deklaroi sot në Bruksel se i vinte shumë keq për largimin e Tony Blair, kryeministri britanik i cili do të largohet nga detyra më 27 qershor dhe do t'ia lërë vendin kancelarit të Financave Gordon Brown. "Tony Blair ka një kontribut shumë të madh në marrëveshjen e arritur të shtunën nga 27 vendet e Bashkimit Evropian për një projekt traktat që do të zëvendësojë Kushtetutën, deklaroi Sarkozy.
PAKISTAN. Tre ushtarë pakistanezë u vranë sot dhe dy të tjerë u plagosën pas shpërthimit të një bombe artizanale në një rajon fisnor pranë kufirit me Afganistanin, deklaroi një zëdhënës i ushtrisë.
POLONI. Polonia ka pranuar një marrëveshje kompromisi për reformimin e të drejtave të votimit në Bashkimin Evropian, gjatë një samit që kishte për synim ristrukturimin e institucioneve të bllokut, deklaroi sot ministri spanjoll për Evropën, Alberto Navarro. Ai deklaroi se marrëveshja u arrit pas ndërmjetësimit të liderëve të Francës, Britanisë, Spanjës dhe Luksemburgut me presidentin polak, Lech Kaczynski.
ANGLI. Avionët dhe anijet e Iranit do të ndalohen të hyjnë si dhe të kalojnë tranzit në vendet perëndimore, ndërsa dy bankave të tjera mund t'u bllokohen asetet, në bazë të propozimeve jozyrtare të Britanisë për një rezolutë të re të BE-së për sanksione.
KILI. Një liqen i madh në jug të Kilit është zhdukur në mënyrë misterioze, pas të cilit kanë filluar spekulimet se toka thjeshtë është hapur dhe ka përpirë gjithë liqenin.
SHBA. Agjencia Qendrore e Shërbimit Sekret amerikan (CIA) po deklasifikon qindra faqe dokumentesh të operacioneve të saj sekrete, të zhvilluara më shumë se 30 vjet më parë, njoftoi drejtori i CIA-s, Michael Hayden.
Source: Shekulli
0 Comments:
Post a Comment