Çamët dinë të falin

Një javë më parë ju solla në kujtesë datën 27 qershor, një datë që jo vetëm është caktuar nga Parlamenti shqiptar si ditë e nderimit dhe përkujtimit të viktimave të gjenocidit ndaj çamëve, por që është për komunitetin tim dhe për mua personalisht një ditë e veçantë.

Ajo ditë nuk ka qenë vetëm dita e braktisjes së vatrave nga një komunitet prej 30 mijë vetash, nuk ka qenë vetëm dita kur humbën jetën 4250 familjarët tanë, por ka qenë edhe dita që shënjoi për të gjithë atë komunitet një jetë të re, jetën në Shqipëri. Ndaj kjo datë e dhimbjes mbetet edhe data e një epoke tjetër për të gjithë ne.


Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike u zhvilluan javën e shkuar shumë aktivitete. Më i rëndësishmi dhe padyshim më tradicionali ishte pelegrinazhi i madh i mbi 6 mijë çamëve, të cilët u nisën nga e gjithë Shqipëria, nga qytetet ku i shpërndau fati tragjik i vitit 1944 dhe përfunduan në Sarandë. Ky pelegrinazh vijoi drejt varrezave masive të Klogjes, ku u bënë homazhe dhe u përkujtuan viktimat e pafajshme. Kjo varrezë u rindërtua me kontributet e komunitetit dhe është një varrezë dinjitoze për ata njerëz, që edhe në vdekje ditën të ishin dinjitozë. Ky pelegrinazh vijoi më pas në Qafëbotë, në portën nga hynë të parët tanë, duke përshkuar të njëjtin rrugëtim që 63 vjet më parë përshkuan të parët tanë, ndoshta në të njëjtat kushte, nën një diell rraskapitës dhe mbi të gjitha me padijen drejt asaj ku po shkonin.

Nuk dua të përmend edhe një herë trishtimin e pjesëtarëve të atij komuniteti, peshën e kujtimeve të pleqve që kanë ikur fëmijë dhe që kanë parë prindërit e tyre të masakrohen, vëllezërit dhe motrat të vdisnin nga uria. Tani kjo ka ndodhur dhe asnjë dhimbje nuk mund t‘i kthejë më në jetë të afërmit tanë. Unë nuk pashë në sytë e tyre urrejtje, por pashë lot, lutje dhe lule… Por, unë gjej rastin të falënderoj në emër të të gjithë këtyre njerëzve deputetët e Kuvendit, z. Pëllumb Xhufi dhe z. Bujar Leskaj, të cilët iu bashkëngjitën këtij rrugëtimi. Gjej rastin të falënderoj dhe qytetarët e tjerë nga e gjithë Shqipëria, analistë e personalitete të shquara, njerëzit e thjeshtë, të cilët iu bashkuan këtij komuniteti në këtë ditë pelegrinazhi, fizikisht, apo me zemër. Ky komunitetet, që ka vuajtur kaq shumë dhe që është ndjerë për shumë vite i marzhinalizuar, nuk ka se si të mos e njohë dhe të preket thellë nga dashuria dhe solidariteti.

Dua të theksoj edhe diçka. Ky pelegrinazh paqësor u zhvillua me shumë qetësi e pa me të voglin problem, duke dëshmuar qytetarinë dhe sensin e përgjegjshmërisë të një komuniteti si ky yni. Në përmbyllje të aktivitetit, më 26 qershor, u zhvillua një ceremoni e përbashkët fetare me pjesëmarrjen e tri komuniteteve fetare, për shpirtrat e të vdekurve të pafajshëm. Gjej rastin që, në emër të komunitetit tim, të falënderoj përzemërsisht kryetarin e komunitetit katolik, Imzot Rrok Mirditën, kryetarin e komunitetit mysliman z. Selim Muça dhe atë të kryegjyshatës së bektashinjve, Baba Reshat Bardhi, për ceremoninë që zhvilluan. Nëpërmjet lutjeve të tyre fetare dhe duke lexuar pjesë nga Kur‘ani e Bibla, ata lehtësuan jo pak shpirtrat e atyre 4250 viktimave, por po aq të lehtësuar u ndjemë edhe Ne, që më në fund për ata që u vranë e u persekutuan për shkak të etnisë së tyre, u mbajt një ceremoni fetare, si për të gjithë të vdekurit.

Duke e falënderuar paraprakisht z. Janullatos, i lutemi dhe shpresojmë që Kisha Ortodokse Shqiptare ta zhvillojë këtë lutje për çamët ortodoksë, natyrisht duke zbatuar dhe respektuar rregullat kanonike të saj. Çamët, sikurse theksuan edhe klerikët e lartë, dinë të falin dhe ata kanë falur. Kanë falur dhe nuk po kërkojnë gjykim. Atë, Zoti dhe historia e kanë bërë tashmë. Ata kërkojnë të respektojnë, të nderojnë dhe të bëjnë homazhe për viktimat dhe të parëve të tyre t‘u vendoset dinjiteti, si dhe t‘u kthehen pronat e tyre të ligjshme e të patjetërsueshme.

Dua të falënderoj në emër të komunitetit çam kryetarët e partive politike që morën pjesë në këtë ceremoni, z. Ilir Meta dhe z. Ekrem Spahia. Gjithashtu dua të falënderoj në emër të komunitetit çam deputetët Bashkim Fino, Bujar Leskaj, Arjan Madhi, Pëllumb Xhufi, Paulin Sterkaj, Petro Koçi, Hamit Kosta, Gëzim Karapici, por dhe ata shumë deputetë të cilët nuk mundën të merrnin pjesë e më shprehën solidaritetin e tyre… Në emër të fëmijëve, nipave dhe mbesave të atyre çamëve, që nuk arritën dot gjallë deri në kufirin tonë, sinqerisht ju faleminderit!

Ky pelegrinazh, këto aktivitete dhe gjithë mbështetja e tyre dhe e mediave janë tejet të rëndësishme për komunitetin çam, për familjen time të madhe. Janë të rëndësishme, jo për të përkujtuar një dramë, por për të rigjetur, pas më shumë se gjysmë shekulli, dinjitetin e nëpërkëmbur të një populli. Një populli që jo vetëm u viktimizua, por që gjithashtu u nëpërkëmb dhe u ndje komunitet i dorës së dytë në shoqërinë komuniste të kohës. Tani që komunizmi ka mbaruar, tani që persekutimi i tyre mori fund, ata janë të bindur se po përjetojnë një rilindje të vërtetë. Sipas një thënieje të vjetër sa bota, sipas së cilës "e vërteta vonon, por nuk harron", ata po rigjejnë tashmë vlerat e tyre të nëpërkëmbura. Vlera njerëzore që e kanë bërë këtë komunitet të mbijetojë në të gjitha kohët dhe situatat dhe të dalë në brigjet e kësaj kohe të re dhe fatlume më solid dhe më i bindur se kurrë në të drejtat e tij.

Në emër të kësaj vuajtjeje të pashembullt njerëzore, kërkoj që Parlamenti Shqiptar të hartojë një rezolutë për problemin çam, një rezolutë në përputhje me të gjitha ligjësitë dhe aktet ndërkombëtare, që dënojnë dhunën, diskriminimin dhe çdo formë tjetër gjenocidi apo racizmi. E kërkoj këtë në emër të dinjitetit njerëzor dhe në emër të dinjitetit të komunitetit çam. Është në nderin e Parlamentit Shqiptar, që nëpërmjet kësaj rezolute të marrë e të shikojë në sy problemin çam dhe t‘i kërkojë qeverisë shqiptare që në rrugë diplomatike të ndërmjetësojë me shtetin grek për zgjidhjen e problemit të pronave të komunitetit çam dhe bërjen të mundur të shndërrimit të një padrejtësie historike në një urë miqësie e bashkëpunimi midis dy popujve.

Dy popuj që, pavarësisht momenteve të errëta në historinë e tyre, kanë qenë fqinj të mirë dhe kanë bashkëjetuar me po ato drama dhe me po ato rreziqe e padrejtësi historike të përbashkëta. Kujtoj se gjatë gjithë historisë sonë çamët kanë falur dhe dinë të falin. Ata kanë falur sërish gjithë ata persona dhe faktorë që gatuan dramën e tyre të madhe në gjysmën e parë të shekullit XX. E kanë bërë këtë për hir të bashkëpunimit dhe një Ballkani të ri, me bindjen se plagët e vjetra, nëse nuk kurohen, çelin gjithnjë të reja.

Një javë më parë, me duartrokitjet tuaja në fund të fjalës sime, më inkurajuat jo vetëm mua që të isha pjesë e pandarë e kësaj jave simbolike për ne. Ju inkurajuat në radhë të parë qindra mijëra anëtarët e komunitetit çam, i bëtë ata ta ndjejnë dhimbjen më të lehtë në këtë javë tragjike të historisë së tyre. I bëtë të kuptojnë se në betejën e tyre për drejtësi ata nuk janë vetëm, se ne jemi një familje e madhe, ku si gjithnjë gjatë historisë sonë halli i vëllait është edhe yni. Gazeta Shqip

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors