Emri i ish kryetarit te gjykates se Lushnjes dhe anetarit aktual te KLD, Artan Gjermenit, ndodhet ne pergjigjet e bisedave telefonike te Aldo Bares dhe pjestareve te tjere te bandes famekeqe te Lushnjes.
"Gazeta Shqiptare" ka siguruar ekskluzivisht dosjen e plote te hartuar nga Seksioni i Shtate i Antidroges se kuestures se Torinos. Materiali voluminoz prej 430 faqesh, pjese te te cilit Gazeta Shqiptare do t'i botoje ne vazhdim, perfdshin brenda tij qindra pergjime te telefonatave te bera mes kreut te organizates dhe pjestareve te saj.
Në të përfshihen telefonata që u janë bërë drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit për të mos guxuar të godasin njerëzit e organizatës, apo dhe afera të dyshimta të kryera ku përmenden emra politikanësh e funksionarësh të lartë shtetërorë.
Njëri prej këtyre emrave të përgjuar në bisedat telefonike është edhe antari i KLD-së, Artan Gjermeni, një emër i lakuar prej disa muajsh nga kryeministri Berisha si i lidhur me Aldo Baren. Sipas dosjes italiane, të ndërtuar nga seksioni i shtatë i Antidrogës së Torinos, emri i Gjermenit është regjistruar nëpërmjet celularit të Dondollakut, njeriut të cilësuar si “krahu i djathtë” i Aldo Bares. Dondollaku ka biseduar me kapon Aldo Bare, dhe i ka thënë atij se dëshiron ta takojë në Turqi, por nuk kishte dokumenta të rregullta dhe se rrezikonte të arrestohej nga Interpoli. “Profesori” (Aldo Bare) i jep zgjidhje duke i thënë se: “dokumentat do t’i bëjmë nëpërmjet Tan Gjermenit”.
Ky episod nuk është rasti i vetëm që përmendet në dosjen hetimore italiane, të hartuar pas operacionit të koduar me emrin “Bijoux 2”(Bizhu 2). Në episodin e dytë, personat e akuzuar nga Drejtësia italiane si drejtuesit e kësaj organizate bisedojnë nëse “vazhdonte të ishte dosja e grupit të tyre në duart e Gjermenit, në mënyrë që të kenë mundësi të rihapin gjykimin për Maksim Çelën”, një anëtar të bandës që ndodhej në burg i dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë.
Të dyja bisedat telefonike të transkriptuara janë përfshirë në dosjen hetimore 9772/02 për të dëshmuar se sa e aftë ishte organizata të krijonte lidhje me persona të fuqishëm, të cilët ishin në pozicione të rëndësishme.
Pasaporta
Agjentët e Antidrogës së Torinos kanë identifikuar fillimisht Enver Dondollakun i njohur me pseudonimin “Goni”. Dondollaku shërbente jo vetëm si dispeçer për të siguruar kontaktet e organizatës me kapon e saj, “Profesorin”(Aldo Bare), që ndodhej larg, por njëkohësisht ishte dhe shefi i celulës që kryente trafikun e lëndëve narkotike në Veri të Italisë. Në faqen nr.25 të dosjes hetimore 9772/02, paraqitet përmbledhja e transkriptimit të telefonatës 157. Biseda është bërë në gjuhën shqipe dhe ka nisur në orë 22.32 të datës 6 mars 2003. Pritësi ka qenë “Goni” (Dondollaku), i cili ka përdorur aparatin celular me nr. Imei 350642073479560, ndërsa karta telefonike nga është telefonuar mban nr. 0040212317597, që i përket një kompanie të telefonisë në Rumani. Ky numër rezulton të ketë qenë në përdorim të Leonard Priftit. Telefonuesit janë identifikuar në Rumani dhe fillimisht në telefon ka dalë “Nardi i vogël” (Leonard Prifti). Menjëherë pas tij Dondollaku ka komunikuar me “Profesorin”, Aldo Baren. Në fund të bisedës, Dondollaku i ka kërkuar “Profesorit” se donte të shkonte në Turqi për ta takuar, por nuk kishte dokumenta të rregullta për të lëvizur lirisht. Dondollaku ishte në kërkim qysh prej 11 tetorit 1999, kur i shpëtoi arrestimit nga forcat speciale në Lushnje. Problemet për të u bënë më të mëdha në 26 shtator 2001 kur Gjykata e Elbasanit e dënoi me 20 vjet burg. Pesë muaj më vonë Gjykata e Apelit në Durrës ia minimizoi në maksimum dënimin, duke i dhënë vetëm 5 vjet burg për rrëmbim personi. Por ky vendim ishte i formës së prerë dhe qysh nga ky moment emri i tij ishte në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Dondollaku u kishte shpëtuar dhjetëra aksioneve të policisë brenda vendit, por i trembej arrestimit nga Interpoli gjatë udhëtimit jashtë Shqipërisë. Për këtë shkak ai i kërkon ndihmë “Profesorit”, i cili i përgjigjet se: “Dokumentat do ti bëjmë nëpërmjet Tan Gjermenit”. Në këtë periudhë Gjermeni ishte kryetari i Gjykatës së Lushnjës.
I dënuari
Në telefonatën nr.157 bie në sy dhe detaji që tregon se organizata kishte futur në qelinë e burgut të një anëtari të saj të dënuar, Maks Çelës, një aparat celular. Dondollaku i jep Leonard Priftit, i njohur në Lushnje dhe me nofkën “Çibiku”, numrin e celularit që Çela mbante në qeli. Këtë numër “profesori”(Aldo Bare) ia kishte kërkuar Dondollakut në një bisedë të mëparshme, edhe kjo e transkriptuar. Maks Çela ndodhej i dënuar në burg dhe “profesori” donte të fliste direkt me të nga Turqia, jo vetëm për t’i ngritur moralin, por edhe për ta siguruar se do të bënin të gjitha përpjekjet për ta nxjerrë atë nga burgu si pjestarët e tjerë të organizatës që tashmë kishin fituar lirinë. Pikërisht për këtë motiv, në bisedën e dytë të transkriptuar nga policia italiane, Aldo Bare i thotë Dondollakut se nuk është i sigurt nëse dosja e “Bandës së Lushnjës” vazhdonte të ishte në duart e Tan Gjermenit, në mënyrë që të shikonin mundësinë për të rihapur dhe një herë çështjen gjyqësore të Maksim Çelës. (Gazeta Shqiptare)
0 Comments:
Post a Comment