Çuditë 100% shqiptare

Askujt të mos i duket e çuditshme, por
banorët e fshatit Shkopet, në shekullin e XXI-të kanë vetëm një mënyrë
për t’u lidhur me njëri-tjetrin. Dikur kanë pasur një urë, ndërsa sot
kanë vetëm një varkë të improvizuar. Një varkë, me të cilën ata duhet të
komunikojnë çdo ditë. Fëmijë, gra, të moshuar...duke luajtur mes jetës e
vdekjes.







Nëse dikujt Tirana mund t’i duket larg,
edhe pse është jo më shumë se 60 minuta, apo qyteti i Laçit rreth 17
kilometra e Miloti vetëm 12 km, mjafton të përmendësh faktin se rruga
nacionale e pret në mes Shkopetin. Pra, ky realitet nuk ndodhet zonave
të thella e të humbura, që mund të shërbenin si justifikim, por aty tej,
ku kalojnë të gjitha makinat, qoftë edhe ato të zyrtarëve të lartë.

“Frikë
kemi, jo vetëm në dimër, por edhe në verë. Sepse kur lëshohen turbinat
me forcë të plotë, edhe në verë, e përlajnë varkën dhe njerëzit i çon
poshtë”, thotë Pashk Përgjoka, banor.

Problemi me urën në Shkopet
ka kohë që vazhdon. Ka mbi 5 vite, që banorët e tij duhet të mendojnë
si të hidhen në krahun tjetër. Me shpenzimet e tyre, ata e riparuan
njëherë në vitin 2009, por vetëm një vit më pas, prurjet e mëdha të ujit
e morën bashkë me gjithçka kishte, përfshirë edhe kavot e hekurta, mbi
të cilat ajo mbështetej.

Që nga ajo kohë, askush nuk është
kujtuar më për banorët e Shkopetit. Nga ana e tyre, ata e kanë të
pamundur ta rregullojnë sërish. Kjo, si pasojë e shpenzimeve të shumta,
që kërkojnë kavot dhe pjesa tjetër e strukturës. Tashmë, Shkopeti me
rreth 70 familje, thuajse 30 për qind të banorëve i ka në krahun tjetër,
të izoluar nga lumi Mat dhe me të vetmen mundësi për të kaluar një
varkë, nëse mund të quhet e tillë.

Shtëpitë duken të fshehura mes
gjelbërimit dhe maleve, që i japin një bukuri të rrallë. Të kalosh tej
është si të hidhesh në një botë tjetër. Thuajse të gjithë të moshuarit,
që jetojnë në këtë anë, kanë mbi 5 vite të izoluar. Ata nuk hipin në
varkë, kjo sepse, nëse do të binin në lumë, do ta kishin të pamundur të
shpëtonin. Thellësia e tij në këtë periudhë shkon rreth 6 metra, ndërsa
në dimër mbi 10 m, pa llogaritur sigurisht forcën e rrjedhës, që
ndryshon në varësi të motit.

“Këtu është shumë e vështirë. Dimrit
është e pamundur të dalësh. Verës ia bëjmë si ia bëjmë, sepse ka pak
ujë. Ndërsa dimrit është e pamundur. Disa nuk mund të dalin fare, kanë
frikë dhe rrinë në shtëpi”, thotë Emikled Malci, djali që drejton
varkën.

Gjithçka bëhet edhe më e vështirë, më e rendë, nëse kanë një të sëmurë, apo më keq, një mort. E raste të tilla nuk kanë munguar.

“Mua më ka vdekur xhaxhai dhe kam bërë varrimin në shtëpinë e tjetërkujt, jo në shtëpinë e tij”, thotë Zef Zefi.

“Kemi
pasur faktikisht një rast me një të sëmurë. Arritëm ta nxirrnim te
shtëpitë andej matanë, por edhe ai, për fat të keq vdiq. Ia kemi bërë
mortin matanë”, thotë Mark Deda.

Herët, Shkopeti ka pasur mjaft
aktivitet, që ofronte edhe punësim. Jo thjesht për banorët e zonës, por
edhe për të tjerë të ardhur nga e gjithë Shqipëria. Kjo, sepse veç
hidrocentralit, ishin edhe guroret, mirëmbajtja, miniera, sektori i
tregtisë, kooperativa e pyjorja. Një zonë e zhvilluar, nga e cila
banorët nuk kishin pse të largoheshin. Ndryshe ka ndodhur në këto 25
vite. Veç të mbeturve, një pjesë e madhe janë detyruar, pavarësisht
vështirësive të shumta ekonomike, të zbresin me qira nëpër qytetet
pranë. Një largim me kokën pas, nga ky vend ku kanë jetuar prej brezash e
brezash, çfarë dëshmohet edhe nga mbetjet e një kalaje ilire, që
fshihen sipër mbi tunelin e Shkopetit.

“Shumë njerëz kanë
braktisur vendin. Kanë ikur nga këtu, qoftë me shtëpi me qira, qoftë
jashtë në emigracion. Nuk mund të kthehen më këtu, sepse nuk kanë ku të
shkojnë, ku do t’i shkollojnë fëmijët. Është vënë në rrezik jeta”, thotë
Zef Zefi.

Shtëpitë, në masë dërrmuese janë rrënuar. Diku nga
largimi i njerëzve, e diku nga pamundësia për të sjellë këtu, qoftë edhe
mjetet më minimale për të bërë një riparim. Furnizimet në prag të
dimrit bëhen për më shumë se 6 muaj. Kjo, sepse fryrja e lumit e bllokon
këtë pjesë për një kohë të gjatë.

“Të vdesë dikush nga kjo
lagje, a nga familja jonë, veç kur ta shtiem në fund të arës. S’kemi nga
të kalojmë për ta dërguar deri në varreza. As për mort dhe as për dasma
s’kemi rrugë nga të shkojmë. Le të na ndihmojnë e ta bëjnë këtë urë, se
nuk ka edhe shumë punë. Duhet të na shpëtojnë, sepse të mbytet një derr
në ujë edhe bëhet gjëma, jo më të të mbytet një njeri”, thotë një
banore.

Ndoshta një pamje të tillë do të mund ta gjeje në çdo
kartolinë, nëse ky fshat do të ishte pjesë e alpeve zvicerane,
austriake, franceze a diku tjetër. Ndërsa në Shqipëri, ai bëhet pjesë e
çudirave 100 për qind shqiptare.

“Kjo është lënë në mëshirë të
fatit, asnjë lloj investimi. Vijnë të huaj. Rrinë dy-tri ditë, e shohin
që s’ka urë, s’ka as shërbimin më të vogël, atëherë ikin”, thotë Sandër
Malci.

Banorët e Shkopetit nuk po kërkojnë luks, dhurata, as që
dikush t’u japë parà. Ata kërkojnë veç një urë, që të lidhen me
njëri-tjetrin, një urë që të kalojnë e të jetojnë si njerëz normalë, pa
dashur të luajnë çdo ditë mes jetës e vdekjes.

Apo mos vallë duhet pritur më parë, që dikush të vdesë, e më pas të themi se “kjo urë duhej bërë”...

/ Top Channel


0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors