Ristani emëron Bashën në Tiranë: Në kuti, më shumë vota se votues

KQZ ka mbyllur pas 15 ditësh telenovelën e zgjedhjeve në Tiranë duke ndryshuar në tavolinë rezultatin por duke bërë një gabim trashanik në përllogaritje. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, në Tiranë ka më shumë vota në kuti se sa njerëz që kanë votuar. Diferenca është jo e vogël, por 870 vota më shumë se sa votues, një shifër kjo që mund të ndryshojë disa herë rezultatin e zgjedhjeve. Edhe në zërin e votave të pavlefshme ka një mospërputhje, këtë herë me 238 vota.



Rasti i parë


Në orën 23.00 kryetari i KQZ-së Arben Ristani hodhi në votimin miratimin e rezultatit të ri pas ndryshimeve të bërë nga katër anëtarët e mazhorancës. Me gjithë kundërshtimet e opozitës, vendimi u miratua me katër vota pro dhe dy kundër. Sipas tij, rezultati i ri i zgjedhjeve në Tiranë është Edi Rama 124705 vota, Lulzim Basha 124786 vota dhe Hysni Milloshi 1394 vota. Sipas KQZ-së, kandidati Lulzim Basha ka marrë 81 vota më shumë se sa kandidati Edi Rama.


Në shpejtësi për të nxjerrë një rezultat ku fitues është kandidati i djathtë Lulzim Basha, katër anëtarët e KQZ-së dhe administrata e institucionit kanë përpiluar një tabelë me shifra duke detajuar gjithçka për zgjedhjet e 8 majit. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, në Tiranë kanë votuar 256507 njerëz. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, në kutitë e votimit të Tiranës janë gjendur 257377 vota. Diferenca: 870 vota më shumë se sa votues!. Dy prej anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesit e opozitës kërkuan që të shihnin tabelat përfundimtare të rezultateve të bëra nga KQZ, por përgjigjja e Ristanit ishte negative. Sipas tij, duhej miratuar rezultati dhe kaq!


Shpejtësia e hartimit të shifrave ka nxjerrë në pah edhe një tjetër mospërputhje, ndërmjet numrit të votave të gjetura në kuti dhe numrit të votave të pavlefshme. Diferenca mes këtyre shifrave është 238 vota më shumë. Kjo shkaktoi edhe debate në mbledhjen e KQZ-së:


Njazi Kosovrasti: ..Votat i vlerësuam dhe i lamë aty ku i gjetëm. Informacionin se ku i gjetëm u tha dhe u fiksua. Fakti që në atë kuti numri del 1 ose 2 numra më tepër se fletët e votimit, dimë që nuk është bërë ndonjë manipulim. Kjo është në vëmendje, të gjithë e dinë shumë mirë se çfarë është bërë. Asgjë s'ka ndodhur. Shifrat rakordojnë që të gjitha dhe s'ka as të voglin shqetësim.


Eridjan Salianji: Shifrat thonë në tabelën përmbledhëse 256557 vota, vota të vlefshme + 257615, 257367 fletë në kuti. Nëse këto shifra do të ishin të sakta, ata duhet të rakordonin. Janë 238 fletë më shumë se sa gjenden në kuti të votimit. Ju po nxirrni një rezultat nga vota të trafikuara nga bodrumet e KQZ-së.


Njazi Kosovrasti: Loja e shifrave është një gënjeshtër. Mos të krijojmë konfuzion.


Eridjan Salianji: Pra këtu solli ajo vendimmarrje, solli në këtë ngatërresë shifrash. Nuk do të zgjateshe, meqë s'po duron mbylljen, unë po ta them, është e vetmja KZAZ në Shqipëri që shpall një rezultat me fletë që nuk dihet se si janë në ato kuti. Nuk kundron. Kontrolli bëhet në bazë të këtyre 485 tabelave. Ju duke mos i plotësuar dot ato tabela, e keni të pamundur sepse nuk mund të ndryshoni dot tabelat e grupeve të numërimit. Ky është një akt nul. Ju i keni ndryshuar, por s'i pasqyroni dot. Nuk ju korrespondon asnjë shifër. Nëse ju do të sillni 485 tabela, nuk do t'ju dalë kjo llogari.


Arben Ristani: Po pusho dy minuta dhe do ta marrësh vesh se ku do të dalim...


Eridjan Salianji: Që ke dal mis buzëqeshja këto ditë e kemi kuptuar.


Idajet Beqiri: Akoma s'i kemi të qarta shifrat. Staticienët e botës do të çuditen nga raporti që kemi këtu, që megjithëse kanë votuar shqiptarët, rezultati i votimit del i barabartë 50% me 50%, ndërsa diferenca e gabimit është 68% për Lulzim Bashën. Ju po lini njollë të madhe krimi në këto rezultate që po nxirrni. Ju them, mbase është mirë që sot të kthjelloheni. Nesër këtu jemi prapë. Ju duhet tregonit paanshmëri, jo siç u treguat, 100% si anëtar i Partisë Demokratike.


Arben Ristani: Kemi dy vjet që këtë këngë dëgjojmë.


Genc Gjonçaj: Kjo është e vërteta...


Arben Ristani: Kush është dakord të shpallim zotin Lulzim Basha si fitues i Bashkisë së Tiranës? Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Palët mund të ankimojnë këtë vendim brenda tre ditësh. Katër pro. Miratohet.



Numri i zgjedhësve që kanë votuar 256507
Fletë votimi të papërdorura 226205
Fletë votimi të dëmtuara 1680
Fletë votimi të gjetura në kuti 257377
Vota të pavlefshme 6730
Vota të vlefshme 250885


Shpërndarja e votave
Edi Kristaq Rama 124705
Hysni Jashar Milloshi 1394
Lulzim Xhelal Basha 124786
Gjithsej vota të vlefshme 250885

KQZ: Basha fitoi zgjedhjet me 81 vota diferencë


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndryshoi në tavolinë rezultatin për Bashkinë e Tiranës duke nxjerrë tashmë fitues kandidatin e "Aleancës për Qytetarin" Lulzim Basha. Me katër vota pro dhe dy kundër, KQZ ka emëruar Lulzim Bashën si kryetarin e ri të bashkisë së Tiranës me një diferencë prej 81 votash.


E gjithë mbledhja e djeshme u shoqërua nga debate e forta midis anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesve të opozitës të cilët kërkuan anulimin e ndryshimit të rezultatit dhe shpalljen e tabelës përfundimtare në përputhje me rezultatet e grupeve të numërimit dhe jo sipas tabelave të ndryshuara nga ana e KQZ-së.


Fillimisht u miratua tabelave përmbledhëse e njësisë numër 5 për tu ndjekur më pas nga vendimi për tabelën përfundimtare. Për shkak edhe të nxitimit për miratimin e vendimit për të shpallur kandidatin fitues, administrata e këtij institucioni ka ngatërruar edhe emrin e koalicionit në të cilën i përket fituesi i ri i bashkisë. Kështu në vendimin përfundimtar i cili u miratua rezulton sipas KQZ-së se Lulzim Basha i përket koalicionit të majtë "Aleanca për të Ardhmen".


Mbledhja e djeshme zgjati për rreth gjashtë orë dhe përgjatë saj dy anëtarët e KQZ-së Artan Lazaj dhe Dëshira Subashi kërkuan shpalljen nul të rezultatit. E njëjta kërkesë u bë edhe nga përfaqësuesi i PS-së. Sipas tij, Ristani nuk duhet të shpallë vendimin përfundimtar për Tiranën pasi KQZ është e paditur në Gjykatën e Apelit dhe nuk mund të marrë një vendim për sa kohë që është në proces.


"Ky është një proces që ka sjellë shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor se ka ndryshuar tabelat e rezultateve, është ndërhyrë pa procedurë ankimore duke ndryshuar tabelat e rezultateve të Tiranës dhe duke ndryshuar vendimet e tyre. Vendimmarrja e deritanishme është marrë me 4 vota pro, pa kuorumin e përcaktuar nga KQZ", tha Gjonçaj. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të KQZ-asë Arben Ristani i cili u shpreh se vendimmarrja e KQZ-së është vetëm një pasqyrim i realitetit duke vlerësuar vullnetin e votuesit.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors