Protesta e madhe, sot bllokohen kryqëzimet e rrugëve në Tiranë


Opozita do të zbresë sërish në shesh sot për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të shkuara. Por, siç kanë paralajmëruar drejtuesit e saj, protesta e sotme pritet të jetë jo vetëm një mbështetje për grevistët e urisë, por edhe një demonstrim force i mbështetësve që mbështesin kërkesën e opozitës për hapjen e kutive. Për këtë arsye, Tirana do të presë sot mijëra qytetarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, të cilët për nga numri parashikohen të jetë thuajse të njëjtë me ata që tubuan më 30 prill.

Megjithatë, ashtu siç edhe kanë deklaruar nëpër tubimet e ditëve të shkuara krerët e opozitës, protesta e sotme pritet të jetë dhe një përshkallëzim i reagimit si kundërpërgjigje për mungesën e reagimit nga ana e mazhorancës për të zgjidhur krizën. Kështu mësohet se organizatorët kanë menduar të shfrytëzojnë masën e madhe të njerëzve që do të vijnë në Tiranë për të paralizuar për disa kohë jetën publike në kryeqytet. Burime pranë grupit parlamentar socialist kanë bërë të ditur se protestuesit e ardhur nga rrethet, por edhe ata të Tiranës do të shpërndahen në kryqëzime të ndryshme të Tiranës për të bllokuar qarkullimin e makinave për një kohë të kufizuar, si shenjë sensibilizimi me grevën dhe kauzën, për të cilën PS-ja dhe aleatët e saj po luftojnë prej ditësh. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe deputeti socialistë Erion Braçe dje në mitingun e mbrëmjes, kur ftoi qytetarët që për disa minuta të bllokojnë kryqëzimet e rrugëve në Tiranës për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj grevistëve të urisë. Për rrjedhojë protesta, ashtu si edhe në 30 prill, do të nisë nga sheshi "Skëndërbej", por njerëzit do t'i bashkëngjiten asaj nga pjesë të ndryshme të bulevardit, sipas vendtakimeve që është lënë paraprakisht për çdo njësi vendore dhe rreth.



*****




Rama: Protestë për të fituar lirinë

TIRANË - Hapja e kutive të votimit për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit është kthyer tashmë për opozitën në një kauzë, nga e cila nuk mund të heqë më dorë. Kreu socialist, Edi Rama, në ditën e 14-të të protestës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" është shprehur i palëkundur në vendosmërinë për t'i shkuar deri në fund kësaj çështje, për të cilën, siç u shpreh ai, nuk ka kthim prapa. Në fjalën e tij të mbajtur në protestën e radhës, kreu socialist ka denoncuar edhe dhunën e ushtruar nga policia ndaj manifestuesve dhe përkrahësve të opozitës, dhe në veçanti ndaj ish-kryeministrit të vendit Pandeli Majko, teksa ka paralajmëruar se ndaj atyre, (drejtuesve të policisë) që po i shërbejnë pushtetit, duke goditur protestuesit do të bëhet drejtësi sapo të vendoset shteti i së drejtës.


Rama

Opozita ka mbyllur dje në mbrëmje plot dy javë protestë intensive dhe greve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Dje ka qenë sërish radha e socialistëve të qarkut të Tiranës për të tubuar dhe mbështetur grevistët e urisë që kanë plot 13 ditë që në shenjë proteste për mos hapjen e kutive i kanë privuar vetes ushqimin. Kreu socialist, Edi Rama, duke marrë fjalën në këtë tubim, që në fillim i ka kushtuar një vëmendje të veçantë incidenteve të ndodhura ditët e fundit mes policisë dhe protestuesve të opozitës që në akse të ndryshme rrugore kanë shprehur solidaritetin e tyre me grevistët e urisë. Sipas Ramës, protestat nëpër akset rrugore nuk ishin për të bllokuar qarkullimin, por, siç u shpreh ai, protesta për të vënë në lëvizje Shqipërinë. "Ishin protesta sensibilizueze, shfaqje të solidaritetit qytetar me grevistët e urisë, aty ku policia respektoi protestën dhe protestuesit gjithçka shkoi normalisht. Aty ku ato u sollën harbutërisht gjithçka shkoi keq", - tha Rama në fjalën e vet.


Ai u ka bërë thirrje drejtuesve të policisë se nuk do të jetë e largët dita që të gjithë ata që shkelin ligjin dhe prekin përkrahësit e opozitës të mbajnë përgjegjësi ligjore. "Të gjithë, pa përjashtim që të gjithë ata që sot marrin rrogën e shtetit për t'i shërbyer qytetarëve, duke garantuar ligjin duhet ta fusin mirë në mendje se një ditë sado e largët, unë ju premtoj se do të mbajnë përgjegjësi", - tha Rama. Ai e konsideroi të turpshëm faktin që Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, nuk reagoi lidhur me dhunën e ushtruar edhe ndaj deputetit Majko. Megjithatë, ai ka theksuar se nuk habitet nga kjo heshtje e ministrit, për shkak se ai është më i interesuar se kushdo tjetër që të mos pranojë transparencën e votës, pasi kështu do të merrte fund qeveria ku ai, sipas Ramës, ka strehën e tij për tu mbrojtur nga drejtësia. "Nuk habitem nga mosreagimi i Ministrit të Brendshëm, sepse ai është në atë vend që është sepse drejtësia nuk është në atë vend që duhet të ishte", - tha më tej Rama. Nisur edhe nga këto veprime të forcave të policisë, por edhe nga mungesa e një zgjidhje të kësaj krize, kreu socialist i ka bërë të ditur kundërshtarëve të vet se presioni dhe lodhja fizike nuk do të detyrojnë kurrë opozitën që të heqë dorë nga kjo betejë. "Askujt mos t'i shkojë mendja se ne mund të lodhemi, se ne mund ta zmbrapsemi. Ne jemi këtu në këtë beteje dhe nuk duam pushtetin në tavolinë, por duam që transparenca të bëhet në tavolinë në mënyrë që shtetit të mos gjeneroi vetveten", - shtoi Rama, duke ftuar të gjithë qytetarët që vuajnë nga qeverisja e tashme që t'i bashkohen protestës së sotme. "Ejani nesër (sot) në orën 18:00 këtu që të gjithë. Ejani nesër (sot) në orën 18:00 këtu, sepse bëhen dy javë nesër nga ngritja e kësaj çadre. Bëhen dy javë nesër që Ermonela, Shega, Olta, Anila, Mimoza, Flora janë këtu brenda për të gjithë ne, janë këtu brenda për të gjithë ju. Janë këtu brenda jo vetëm për fëmijët e tyre, por edhe për fëmijët tuaj. Janë këtu brenda që qeveria të ndihmojë çdo shqiptarë e shqiptare që ta fitojë bukën, duke fituar lirinë dhe të drejtën e punës së ndershme...", tha ai.



Protesta

Akoma më i ashpër në fjalën e vet ka qenë ish-deputeti demokrat, Spartak Ngjela, i cili ka ftuar qytetarët që të vendosin drejtësi në këtë vend për të "shporrur", siç u shpreh ai, "kryeministrin otoman". "Ne nuk mund të lëmë më otomanizmin në Shqipëri. Por do të vijë koha, nesër fillon koha e të plagosurve në betejat e tjera, me duar, me forcë, me gjithçka, derisa të arrijnë zgjedhjet e lira në Shqipëri. Nesër do t'i japim orët e fundit që të hapi apo jo kutitë. Do t'i hapë apo jo, kjo do të varet nga forca jonë", - tha Ngjela. Ndërkohë që edhe përfaqësues të tjerë të së majtës kanë theksuar se dhuna e pushtetit ndaj opozitës, nuk do ta pengojë këtë të fundit që të vërë në vend institucionin e votës. Po ashtu edhe grevistët që folën nga brenda çadrave pavarësisht se kanë pranuar lodhjen fizike, janë shprehur të palëkundur në rezistencën e tyre. Madje, një prej grevistëve, një student i fakultetit të Mjekësisë i ka kujtuar kryeministrit se pavarësisht se kanë 13 ditë të ngujuar dhe pa ngrënë për 13 sekonda mund të jenë në zyrën e tij për ta rrëzuar.



****


INTERVISTE


PS e opozitës dhe aleatët e saj të qendrës dhe të spektrit të djathtë po protestojnë kundër qeverisë. Protesta do të vazhdojë pa afat. BBC intervistoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Me z.Rama bisedoi Aleksander Furxhi. (me shkurtime nga BBC seksioni shqip online)

Rama: Ne jemi prej kohësh në një rrugë e cila është pa ndalim dhe pa kthim deri në realizimin e objektivit tonë që është transparenca e zgjedhjeve të shkuara, për mos të lejuar që zgjedhjet e ardhshme të goditen nga i njëjti mekanizëm korrupsioni që tjetërsoi vullnetin e popullit më 28 qershor.
Ne i fituam zgjedhjet, por nuk u zgjodhëm. Nuk u zgjodhëm sepse ata që sot janë në pushtet nuk morën votën e popullit, por nuk e lanë popullin të zgjedhë. Sot jemi në kushtet ku një pushtet që nuk e la popullin të zgjedhë e ka futur Shqipërinë në rrugën e një rrënimi të pandalshëm edhe ekonomik, sepse ç'ka i mban qeveritë në një demokraci funksionale të lidhura pas interesave të vendit dhe të popullit të tyre është fakti se tek e mbramja populli i gjykon ato me votë. Kur qeveria ia merr popullit votën edhe kur njerëzit nuk ia japin, atëherë, padyshim, gjëja e fundit për të cilën qeveria qetësohet është cilësia e jetës së njerëzve.

BBC: Nuk ua mori mendja asnjëherë në vitin 2008, në kohën që ju bëtë marrëveshje me të, se z. Berisha do të sillej ashtu siç ju besoni sot se ai është sjellë me zgjedhje?

Rama: Ne nuk jemi në një protestë e cila ka të bëjë me ligjin. Ne jemi në protestë sepse ligji nuk është zbatuar. Kur ne bashkëpunuam me palën tjetër, në funksion të disa interesave të mëdha të vendit, për t'i dhënë mundësi një shansi historik që Shqipëria të bëntë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të standarteve europiane pas shumë e shumë vitesh, e bëmë këtë duke bërë detyrën tonë që ishte të bënim një ligj sa më të mirë. Zbatimi i ligjit është një çështje që nuk ka të bëjë fare me atë bashkëpunim, por ka të bëjë me mungesën e vullnetit për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe madje me një vullnet të mbrapshtë djallëzor për t'i tjetërsuar votat e njerëzve .


BBC: Zoti Rama, PS nën drejtimin tuaj hyri në zgjedhjet e vitit të kaluar me një numër të kufizuar aleatësh të kampit të majtë dhe kjo sot vlerësohet edhe si ndër arsyet e humbjes së PS . Me sa duket kjo është arsyeja që ju sot nuk po hezitoni që aleatët t'i kërkoni edhe nga qendra, por edhe nga krahu i djathtë i spektrit politik?

Rama: Përsa i përket çështjes së aleancës që është krijuar në këtë protestë, është një aleancë e natyrshme e të gjitha forcave që janë të të njëjtit mendim se në rast se nuk përballet dhe nuk çmontohet një mekanizëm i cili i tjetërson zgjedhjet, atëherë në Shqipëri gjithë funksionet bazë të demokracisë janë të kapura në funksion të pushtetit që e ka kthyer shtetin në një makineri në shërbimin e vet. Kjo është arsyeja e kësaj aleance të madhe që nuk ka kufi majtas, djathtas dhe është në rrugën e formimit si një aleancë për një program për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e thellë, e cila kërkon një reagim shumë të fuqishëm në shumë aspekte dhe reforma reale dhe thelbësore të domosdoshme prej kohësh, por tani më urgjente se asnjëherë tjetër.


BBC: Ndërkohë si e konsideroni rrugën që ju sugjeroi kundërshtari, z. Berisha, i cili tha që: shkoni në gjykatën kushtetuese dhe po qe e nevojshme dhe në komisionin e Venecias?

Rama: Ne nuk marrim këshilla dhe sugjerime nga një personazh i cili në më pak se 5 vjet qeverisje e ka shkelur kushtetutën e Shqipërisë jo më pak se 30 herë dhe, nga ana tjetër, nuk mund të shkohet në gjykatë kushtetuese për çdo episod dhe çdo detaj të një jete demokratike që është e rregulluar me kushtetutë dhe me ligj, aq më tepër pastaj për liri dhe të drejta siç është liria dhe e drejta e opozitës, në bazë të kushtetutës, që të ngrejë një komision hetimor dhe të mos kufizohet në objektin e hetimit nga shumica. Nuk kemi asnjë pikë të përbashkët në këtë arsyetim, por kjo është e natyrshme sepse zoti Berisha e di fare mirë se çfarë ka në kuti dhe kjo është arsyeja pse nuk e dëshiron hapjen e kutive, përkundrazi i mban ato me pahir të mbyllura duke e vendosur popullin opozitar përpara një domosdoshmërie që t'i rezistojë këtij pushteti me kërkesën e thjeshtë "Hap kutitë, ose largohu !".


BBC: Z. Rama, kanë kaluar tashmë më shumë se dy vjet nga ngjarja e rëndë e Gërdecit dhe të gjithë e mbajnë mend reagimin e zbehtë në atë kohë të opozitës. Sot, po të gjykojmë, vështire se opozitës mund t'i paraqitet një rast kaq "i artë" për betejën e vet politike. A jeni penduar për këtë rast të humbur?


Rama: Ky është një mit urban i krijuar nga dëshira për t'a parë asokohe qeverinë me këmbë përpjetë, por pa asnjë bazë në realitetin demokratik dhe kushtetues të këtij vendi. Reagimi ynë ishte i një opozite, siç ne jemi, qytetare dhe e vetëdijshmë për domosdoshmërinë e një dënimi të fajtorëve duke e zbardhur krimin shtetëror të Gërdecit në rrugën e drejtësisë dhe për të mos bërë atë që është bërë gjithmonë historikisht në Shqipëri me rastet kur qeveria ka qenë fajtore për krime të ngjashme dhe ku politizimi i tejskajshëm e ka shpëtuar atë si një komerdare. Nga ana tjetër dëshiroj ta ritheksoj se çfarë ka ndodhur nuk është aspak më e lehtë, e vogël apo e pranueshme sesa krimi shtetëror i Gërdecit. Është një tjetër veprimtari kriminale e organizuar për të tjetërsuar vullnetin e popullit dhe transparenca shërben pikërisht për të nxjerrë në dritë përmasën e kësaj veprimtarie dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë inividë që kanë shkelur ligjin dhe janë bërë pjesë e këtij skenari kriminal.
Në rast se ne nuk reagojmë që të gjithë si shoqëri lidhur me këtë element bazë të bashkëjetesës demokratike, kemi pranuar de fakto që nuk varet më qeveria prej nesh, por varet i gjithë populli nga qeveria. Mekanizmi është aty dhe mund të veprojë përsëri dhe njerëzit natyrshëm do të humbnin besimin tek zgjedhjet dhe do t'i braktisin ato masivisht, ashtu siç ndodh në republika të ngjashme bananesh apo ish sovjetike ku ka një demokraci në letër dhe ka në fakt një regjim të një natyre antidemokratike në fuqi.

BBC: Përvoja e dy dekadave të fundit tregon se kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i shumicës, ka shumë gjasa që të mos tërhiqet nga pozicioni i mos hapjes së kutive, megjithë protestat tuaja. Keni ju një skenar të zhvillimeve politike në Shqipëri në një rast të tillë?

Rama: Fakti që një diktator, uzurpator, apo një personazh i kësaj natyre dhe këtij profili, në krye të një qeverie, mund të mos tërhiqet përpara evidencës që është kapur në flagrancë më shumë se një herë, dhe në rastin konkret në një çështje që është e një interesi të madh publik, nuk do të thotë aspak që ne duhet të mendojmë për një skenar tjetër sepse nuk ka skenarë alternativë përballë një qeverisje të kthyer në një sundim dhe një qeverie të kthyer në një regjim. Skenari i vetëm është rezistenca dhe mjeti i vetëm që na ka mbetur është protesta.


BBC: Z. Rama, ndonëse është ende herët për të folur, a do të rikandidonit për kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit vitin e ardhshëm?

Rama: Nuk është vetëm herët, por është jashtë kontekstit në të cilin sot jetojmë dhe është gjëja e fundit që unë sot mund të mendoj.

BBC: Sikur qeveria t'a dorëzonte sot pushtetin në duart e opozitës, në kushtet e krizës ekonomike, në kushtet kur Shqipëria tashmë po i ndjen drejtpërsëdrejti pasojat e krizës globale, rajonale, por edhe lokale, si do vepronit ju, a keni një mjet për t'a nxjerrë Shqipërinë shpejt nga këto halle ekonomike për të cilat ju po i bëni thirrje njerëzve që të dalin në protestë?

Rama: Së pari dua të theksoj që kriza shqiptare nuk është pasojë e krizës globale, por është rezultat i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes. Pa as më të voglin dyshim është produkt, më shumë sesa i çdo gjëje tjetër, i mbrapshtisë qeverisëse të vitit të shkuar kur, për të blerë pushtetin, Sali Berisha shkatërroi arkën e shtetit në një 6 mujor të parë që nga pikëpamja e politikës ishte krim dhe nga ana tjetër dua t'a theksoj shumë më fort që ne jemi në kushte akoma më të vështira sesa duket dhe ndjehet sepse nuk njohim të gjithë të vërtetën e krizës, pasi përballemi çdo ditë me shifra të manipuluara të cilat mundohemi t'i analizojmë duke nxjerrë shifrat tona alternative, fenomen ky i njohur dhe fenomen që po e çon në pikën zero vendin fqinjë Greqinë. Greqia e akumuloi gjithë këtë problem në dhjetëra dekada, ndërkohë që ne po përballemi me një problem të akumuluar në pak vite për shkak të këtij pushteti dhe padyshim të udhëheqjes qorre, tërësisht injorante në aspektin e politikës ekonomike të këtij kryeministri.


BBC: Cili ishte shkopi magjik i opozitës për të dalë nga kjo gjendje?

Rama: Pa as më të voglin dyshim sa më shumë kjo qeveri do të qënrdojë aty ku është aq më i madh do të jetë problemi, aq më e thellë do të jetë kriza, aq më e rëndë do të jetë barra e nxjerrjes së vendit nga ky batak. Por sigurisht që ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në gjendje që gjithçka ta bëjmë ndryshe, më mirë dhe, kuptohet, jo me shkopin e magjistarit sepse këtë nuk e kemi, por me diturinë dhe njëkohësisht aftësinë për të qeverisur në mënyrë shumë herë më të mirë, si nata me ditën me ç'ka Shqipëria ka jetuar dhe po vazhdon të jetojë sot nën këtë regjim të korruptuar dhe njerëzish pa vizion, pa asnjë lloj përgjegjshmërie, të paaftë, që e kanë kthyer shtetin në një çerdhe shërbëtorësh të cilët vendet e punës i marrin vetëm për meritat që kanë të bëjnë me pushtetin. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors