PRISHTINE- Partia Demokratike e Kosovës si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pretendojnë se kanë fituar zgjedhjet vendore të zhvilluara dje në Kosovë, ndërsa KQZ perzantoi heret ne mengjes rezultatet ne 9 komuna te vogla
Kryeministri Hashim Thaci thotë se PDK ka fituar në 20 komuna nga 36 që janë gjithsej. Sipas tij PDK ka fituar në Prizren, Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj
“Fitorja e PDK është një referendum mbi qeverisjen e mirë të republikës së Kosovës” ka thënë mbrëmë Thaci para një turme me qindra kosovarë të cilët thërisnin emrin e tij.
Nga ana tjetër LDK e presidentit Fatmir Sejdiu deklaron fitoren e plotë në kryeqytet, duke marrë numrin më të madh të vendeve dhe maxhorancën në asamblenë lokale të Prishtinës.
“ Ishte një ditë e mirë pë LDK”- tha mbrëmë zv kryetari i LDK-së Lutfi Haziri për gazetarët, duke pretenduar se partia e tij ka fituar në disa komuna të rëndësishme në Kosovë.
Lidhja Demokratike e Kosovës bëri të ditur se ka fituar që në raundin e parë në 4 komuna, ndërsa në 10 të tjera do të shkojë në balotazh.
Ndërkohë KQZ nuk ka arritur të të shpallë rezultatet preliminare për komunat kryesore të Kosovës, edhe pse një gjë të tillë ishte premtuar se do të bëhej pak orë pas mbylljes së vendvotimeve.
Pas orës 4 të mëngjesit të sotëm, kryetarja e KQZ-së Nesrin Lushta ka bërë të ditur rezultatet vetëm për nëntë komuna të vogla të Kosovës, duke u shprehur se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për të dhënë të gjitha rezultatet.
Sipas KQZ-së, Komunën e Klinës e ka fituar kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, i pasuar nga ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por pa sqaruar nëse duhet raund i ri zgjedhor.
Në Obiliq ka fituar kandidati i PDK-së, i pasuar nga ai i LDK-së. Në Junik prin AAK-ja, ndërsa në Dragash PDK-ja.
Në Mamushë udhëheq kandidati i Partisë Demokratike Turke. Ndërsa, në Ranillugë, komunën e re të banuar me shumicë serbe, udhëheq kandidati i Iniciativës Qytetare për Komunën e Ranillugut.
Në Shtime, sipas KQZ-së, fiton sërish PDK-ja, ndërsa në Han të Elezit prin kandidati i pavarur, Rufki Suma. Në Leposaviq prin kandidati i AAK-së.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se përveç tri komunave që ka udhëhequr deri më tash, Pejës, Gjakovës, Deçanit, ka fituar edhe në komunën e katërt, në Junik.
Partitë tjera, Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, kanë kritikuar subjektet politike që kanë dalë me rezultate para se ato t’i shpallte Komisioni Qendror Zgjedhor.
Zgjedhjet
Kosova zhvilloi dje zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë duke kaluar testin e demokracisë. Sipas KQZ-së nga 1.5 milionë votues që janë regjistruar, pjesëmarrja ka qenë 45 %,mes të cilëve një numër i vogël serbësh. Ndonëse KQZ nuk ka shpallur ende rezultate, gjatë natës qindra simpatizantë të dy partive kanë festuar fitoren nëpër rrugët e Prishtinës, duke valëvitur flamurë dhe duke i rënë borive.
Ndërkombëtarët kanë vlerësuar procesin zgjedhor dhe sot paradite rpitet të deklarojnë nëse zgjedhjet arritën standardet e kërkuara.(SUELA GERA - BalkanWeb)
0 Comments:
Post a Comment