VRASJA/ Martin Çuni ka mohuar para oficerëve të policisë gjyqësore autorësinë e ekzekutimit të të riut fqinj
LEZHË - Martin Çuni, 42-vjeçari i dyshuar për vrasjen e 21-vjeçarit Angjelin Ndocaj, vrasje e kryer në bashkëpunim me djalin e tij në Kalivaç të Lezhës, nuk e ka pranuar përgjegjësinë përpara oficerëve të policisë gjyqësore. I marrë në pyetje ai ka mohuar çdo përfshirje në këtë krim, duke deklaruar se nuk është ai personi që ka qëlluar mbi 21-vjeçarin dhe se arrestimi i tij nuk është bazuar në prova. Çuni është pyetur për disa orë me radhë, megjithatë ai ka vijuar të mohojë autorësinë e vrasjes.
Por nga ana e policisë bëhet e ditur se janë mbledhur prova të pakundërshtueshme në rrugë operative, dhe mbi të gjitha, një armë e kapur Martin Çunit, tip pistoletë, është dërguar për ekspertizë balistike shkencore në laboratorin qendror kriminalistik në Tiranë për të vërtetuar shkencërisht nëse gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes i përkasin kësaj arme dhe nëse po, atëherë në këtë rast nuk do të kishte më vend për alibi nga i arrestuari.
Po dje, të afërmit e viktimës dhe gjithë fshatit Kalivaç në zonën malore të Lezhës kanë përcjellur për në banesën e fundit të riun Angjelin Ndocaj, të vrarë mbrëmjen e së shtunës rreth orës 19:00, para derës së shtëpisë së vet.
Nga ana e saj, familja e Martin Çunit, e cila banon afër asaj të viktimës, menjëherë pas vrasjes së 21-vjeçarit është ngujuar në shtëpi, në pritje të ekspertizës dhe hetimit për gjetjen e autorit të kësaj vrasjeje. Ndërkohë, policia e ka mbajtur gjendjen nën kontroll për të shmangur një gjakmarrje të mundshme në mes familjeve fqinje që do të çonte më pas në një spirale vrasjesh.
Edhe pse 42-vjeçari Çuni vazhdon të mos e pranojë akuzën, nga burimet policore mësohet se janë plot dëshmi të marra nga banorët e zonës, të dhëna operative dhe prova të tjera shkencore të marra me mjete speciale që e kanë bindur policinë vendore për autorësinë e kësaj vrasjeje dhe pikërisht për këtë kanë bërë dhe arrestimin përkatës.
Nisur nga këto prova e dëshmi pritet që sot të merret dhe masa e arrestit në gjykatën e Lezhës për 42-vjeçarin Martin Çuni dhe djalin e tij si bashkëpunëtor në këtë vrasje.
Angjelin Ndocaj u qëllua teksa dilte nga dera e shtëpisë afër banesës së tij, ndërsa dikush i ka thirrur nga jashtë për ta nxjerrë në pritë. Sipas hetimeve të deritanishme rezulton se "thirrësi" është i biri i Martinit. 42-vjeçari kishte një furgon për transportin e udhëtarëve nga fshati Kalivaç në Lezhë dhe anasjelltas. Një punë e tillë ka filluar të kryhet edhe nga Angjelini 21-vjeçar. Konflikti mes tyre ka nisur për klientelën, por më pas ka vijuar në një vrasje. Kjo është e vetmja pistë e ngritur deri më tani pas hetimeve të kryera dhe dëshmive të marra. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment