TIRANE- Baza ligjore që përcaktonte kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë është shfuqizuar pak muaj para se të fillonin negociatat me palën greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy shteteve.
"Gazeta Shqiptare" shkruan sot se në 24 janar 2008, qeveria Berisha i paraqiti për miratim Kuvendit projektligjin “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”. Drafti që ka hyrë në fuqi në datën 1 mars 2008, shfuqizon ligjet ku sqarohej më së miri se ku shtrihen ujërat territoriale të shtetit shqiptar.
Konkretisht në ligjin Nr. 8771, dt. 19.4.2001 sqarohet se Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit , Kepi i Pallës, i Lagjit , derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav. Po në këtë ligj shprehimisht thuhet se janë ujëra të brendshme të Republikës së Shqipërisë ujërat e Detit Adriatik dhe të Detit Jon që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e Lumit të Bunës, kepat e përmendur me lart dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjirit të Gramës, Kepin e Gjirit të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë”, në mbështetje të plotë me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.
“Ndryshe nga ligjet e shfuqizuara, ligji Nr. 9861, datë 24.1.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, i propozuar nga qeveria Berisha dhe i miratuar me konsensus në Kuvend, nuk trajton në përmbajtjen e tij të paktën pesë elementë thelbësorë që përcaktojnë saktësisht kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Në të nuk përfshihet asnjë dispozitë për tregimin e kufirit shtetëror, e veçanërisht për ujërat territoriale dhe ujërat e brendshme, për ushtrimin e sovranitetit si edhe për paprekshmërinë e kufirit.”- shkruhet sot në GSH.
Në të tilla kushte duke mos patur asnjë përcaktim se ku shtrihen ujërat territoriale, vetëm 3 muaj para se të nisnin negociatat me Greqinë për përcaktimin e kufijve detare, Shqipëria nuk kishte më bazën e saj ligjore për të mbrojtur ujërat territoriale dhe ato të brendshme. Në Gjykatën Kushtetuese ka filluar shqyrtimi i kërkesës ankimore të 6 partive politike, të majta e të djathta, lidhur me marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. GSH/BalkanWeb)
0 Comments:
Post a Comment