TIRANE- "Dritan Dajtin duan ta vrasin në burg". Ky është alarmi i dhënë nga babai i tij, Hasan Dajti, për gazetën "Shekulli" dhe bashkëshortja e tij Dorela, vetëm një ditë pas transferimit të tij nga spitali i burgut që ndodhet në ambientet e "Nënë Terezës", në drejtim të burgut 302, ose i njohur tashmë "Mine Peza". Sipas babait të tij, Hasanit dhe bashkëshortes Dorela, Dritani është dërguar në burgun 302, për t'u eleminuar nga segmente të caktuara që nuk e duan të gjallë atë.
"Transferimin ata e kanë argumentuar me faktin se Qendra Spitalorë e Burgjeve po rikonstruktohet dhe për këtë ata e kanë transferuar në burgun 302,- thanë të afërmit. Hasan Dajti, pohoi dje për "Shekullin", se ai nuk ka qenë në dijeni të transferimit të të birit, por e ka mësuar këtë fakt vetëm kur ai ka qenë izoluar në burgun 302. Sipas tij, i biri është sistemuar në katin e tretë të këtij paraburgimi, ku është ngjitur në krahë nga disa policë për shkak se ai vetë nuk mund të lëvizë nga shtrati, pasi vazhdon të jetë i izoluar. Përveç këtij fakti, i akuzuari për vrasjen e katër policëve me 7 gusht të këtij viti në qytetin e Durrësit, nuk mund të kryejë as nevojat më elementare të tij për jetën, që nga ushqimi e nevoja të tjera personale. "Veprime të tilla kryhen qëllimisht nga segmente të caktuara shtetërore që duan të eleminojnë tim bir,- tha Hasan Dajti. Ai nuk cilësoi njerëz të veçantë, por sipas tij i biri ka nevojë për përkujdesje shëndetësore që mund t'i ofrohet vetëm në Spitalin e Burgut. Pamundësia e Dritanit për të lëvizur, sipas Hasanit, i shton atij rrezikun e ndonjë sulmi apo rrezikun e eleminimit nga persona të caktuar të interesuar për një gjë të tillë tha ai, ndërsa shtoi se veç kësaj mungesa e përkujdesjes mjekësore është një nga veprimet që mund ta çojnë atë drejt vdekjes. Dajti, që prej ditës së 7 gushtit kur u arrestua ka qëndruar i izoluar dhe i paralizuar në shtrat për shkak të plagëve të marrë në ngjarje. Edhe pas operacionit të tij në shpinë dhe në këmbë, të kryer në spitalin e burgut, ai ende nuk ka mundur të kryejë lëvizje ndonëse ka dalë nga rreziku për jetën. Ndërkaq, përveç këtij fakti, Dajti kurohet edhe nga diabeti prej vitesh. "Nëse një gjë e tillë nuk ndryshon, ne do të shikojmë mundësinë e paditjes në prokurori për mosdhënien e ndihmës të sëmurit, që është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, pavarësisht se për çfarë krimi akuzohet ai",- sqaroi Dajti, duke përfunduar se pret të takojë drejtuesit e burgjeve për t'iu kërkuar ndihmë për zgjidhjen e këtij problemi.
******
19 gusht
Drejtori i Spitalit: Dritan Dajti, mbetet i paralizuar
TIRANË- Dritan Dajti, i akuzuar si autor i vrasjes me armë zjarri të katër punonjësve të Policisë së Shtetit do të mbetet i paralizuar si pasojë e një plumbi që i përshkoi shtyllën vertebrale.
Ai u plagos me tre plumba, një në këmbë, një në ije dhe një tjetër në shpatull, gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e Policisë në operacionin për arrestimin e tij në datën 7 Gusht në Durrës. Në një prononcim zyrtar, Drejtori i Spitalit të Burgut, mjeku Ylber Vata, bëri të ditur se, gjendja shëndetësore e Dritan Dajtit paraqitet e qendrueshme, por ai ka mbetur i paralizuar. "39-vjeçari Dajti i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe i është hequr një nga tre predhat e plumbave të marra në trup, konkretisht ajo që kishte në këmbë. Në ditët në vijim pritet të operohet për dy predhat e tjera të mbetura, njëra nga të cilat, i ka prekur shtyllën vertebrale, duke i paralizuar atij aktualisht njërën nga gjymtyrët, këmbën e majtë", tha Vata.
Drejtori i Spitalit të Burgut foli edhe për sjelljen e Dritan Dajtit me personelin e Spitalit duke nënvizuar se "ajo është normale". Nga ana tjetër mësohet se, autoritet policore të burgut kanë marrë masa të larta sigurie për mbikëqyrjen në Dajtit në Spitalin e Burgut në Tiranë.
Gati dy javë më parë në Durrës, 4 oficerë të Policisë së Shtetit, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duckollari dhe Kastriot Feskaj humbën jetën në përpjekje për të arrestuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti, i cili hapi zjarr ndaj tyre. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, mbeti i plagosur dhe vetë Dajti, ndërsa u vra shoku i tij, Ledion Mara me precedent penal të mëparshëm. Forcat e Policisë së Shtetit bënë të mundur arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti si dhe të dy bashkëpunëtorëve të tij të dyshuar.
0 Comments:
Post a Comment