Valbona Coba: Vij së shpejti me të dashurin në Tiranë


Nga Ilda Lumani

Nuk di nëse mund të zgjedhësh një tjetër qytet në botë që të ketë një portret kaq të qartë të shkëlqimit dhe dështimit, të së bukurës dhe të së shëmtuarës, se çfarë duhet të besosh e çfarë jo...". Kështu e nis përshkrimin e "qytetit të engjëjve" ikona e modës shqiptare, Valbona Çoba. Prej disa vjetësh ajo jeton në botën e Hollivudit, në Los Angelos, me pikësynime të qarta; të bëhet një aktore.

Por sa i bukur, po aq edhe i egër është terreni në të cilin duhet të ecë një njeri për të arritur famën. Me një rrëfim të sinqertë, Çoba tregon për punën e saj si modele, për vështirësitë e të vazhduarit më tej, për jetën e saj amerikane. Dhe jo vetëm kaq, por ajo për herë të parë zbulon në këtë intervistë ekskluzive për "Gazeta Shqiptare", dashurinë e saj. Le të ecim dhe ne me të, ashtu si në 18 blloqet në "HOLLYWOOD WAY OF FAME", mes yjeve të mëdhenj metali, dedikuar starëve nga të gjitha kohët, ku Valbona parakalon çdo ditë...



Të jetosh në Los Angelos është më shumë se një ëndërr për njerëzit. Ju e keni prekur këtë ëndërr. Ç'do të thotë kjo për ju?

Është një ëndërr e bukur për aq kohë sa është thjesht ëndërr, por kur ëndrra ka mbaruar dhe ke filluar të ecësh nëpër të... Nuk e di se mund të zgjedhësh një tjetër qytet në botë që të ketë një portret kaq të qartë të shkëlqimit dhe dështimit, të së bukurës dhe të së shëmtuarës, se çfarë duhet të besosh e çfarë jo. Të duhet vetëm të zgjedhësh. Qyteti nuk të analizon dhe nuk merr në konsideratë të kaluarën tënde të madhe ose të vogël. Edhe pa të kaluar fare, ti mund të fillosh një fillim të madh. Premtimi për tokën nuk është një privilegj i disave. Mjaftojnë 18 blloqet në "HOLLYWOOD WAY OF FAME" me yje të mëdhenj metali, dedikuar starëve nga gjithë kohët dhe racave, moshave që të kujtojnë se ky premtim mund t'i përkasë kujtdo. Qielli shumë i madh dhe shumë afër me shkëlqimin prej floriri që është i pranishëm pothuajse 325 ditë të vitit, të kujton përsëri për premtimin e madh. Nuk mendoj se ka tjetër qytet në botë që mund ta zgjedhësh jo vetëm për natyrën e bukur, por dhe për klimën më të shëndetshme. Los Angeles është i përkëdhelur në shumë aspekte, jeta e fashion është më shumë se një kërkesë. Los Angeles duhet të ketë "the most powerfull kompjuter", më të fundit software, celularët më të rinj. E reja, e bukura dekorojnë këtë qytet të quajtur ndryshe nga spanjollët "qyteti i engjeve". Por disa gjëra janë krejt të huaja për qytete të tjera të mëdha në botë. Ditën e ndan më shumë me trafikun se sa me njerëz. Gjithnjë je mbrapa metaleve dhe xhamave të makinës.



Aktualisht me çfarë po punoni?

Modele, gjithmonë modele. Është i vetmi profesion që më siguron të ardhurat për jetën e shtrenjtë këtu në Los Angeles. Modelja gjithmonë është ajo diplomë që bën mirë prezantimin për të hyrë në ambientet e artit. Arti për mua nënkupton vetëm aktrimin. Los Angeles, ashtu si mund të të fsheh bukuritë e tij, nuk të fsheh as vështirësitë dhe konfliktet. Shigjetat e drejtimeve nga duhet të ecësh të tradhtojnë pa pritur. Të duhet t'i ndryshosh pa pasur kohë të mendohesh, t'i ndryshosh, kur jo vetëm pak minuta më parë ke qenë i sigurt dhe e privilegjuara e artit, ku arti për mua nënkupton aktoren dhe asnjë qëllim tjetër.



Si është një ditë e zakonshme e Valbonës?

Asnjëherë e mjaftueshme për të plotësuar të gjithë detyrat që i kam caktuar vetes për të përfunduar! (Ju e provuat vetë me kohëzgjatjen e kësaj interviste. Qesh). Sikur Aladini të ekzistonte vërtetë e të më jepte një llambë me anë të së cilës unë të shprehja një dëshirë të vetme, kjo do të ishte "më shumë kohë".



Në Shqipëri jeni një ikonë mode. Si ju bën të ndiheni ky fakt?

Sigurisht që më jep kënaqësi dhe më bën të ndihem shumë mirë. Është një provë se çfarë kam bërë ka qenë vërtetë me vlerë, por në të njëjtën kohë më jep edhe më shumë përgjegjësi për të vazhduar më tej.



I ndiqni modelet e reja shqiptare? Ç'mendoni për to?

Mundohem... Unë kam pasur dhe fatin e mirë të vij në Tiranë dhe të shoh nga afër përpjekjet e tyre në këtë fushë. Është vërtetë për t'u çmuar impenjimi dhe serioziteti i tyre në një profesion që s'ka qenë asnjëherë i quajtur i tillë dhe që ekzistenca e tij nuk njihej ose nuk mendohej në Shqipëri! Ato kanë arritur jo vetëm ta ndryshojnë këtë fakt, por edhe ta përballojnë atë me sukses jashtë kufijve të vendit. Moda në Shqipëri duket se është bërë më shumë një kërkesë estetike, që transmeton personalitetin, guston, kërkesën e lartë të çdo njërit. Kur kalon nëpër rrugët e Tiranës sheh kaq bukur të ndërlikuar modën, stilin, sezonin nëpërmjet mënyrave dhe ngjyrave të kombinimit. Shqiptarët janë të bukur dhe e duan të bukurën.



Po me Shqipërinë, si janë kontaktet tuaja?

Kam pasur gjithmonë lidhje të mira në Shqipëri, edhe kur kam qenë atje dhe jashtë saj. Jam shqiptare dhe kurrë s'kam menduar ose do doja të isha diçka tjetër. T'i shfrytëzoj të tjerat vende, kam menduar gjithmonë, ndaj dhe kam lëvizur shpesh, por jo t'ju jap atyre gjënë më të bukur që kam unë si çdo person tjetër "IDENTITETIN". Nga disa dhurata të së kaluarës ndodh shpesh të ndihesh dhe inferior, por shpejtësia e kompensimit dhe kultura që ne dimë ta servirim ndihmojnë për t'u ngritur shpejt. Kur vjen puna për t'u rrëzuar, të gjithë rrëzohen njëlloj, por e veçanta qëndron tek mënyra e ngritjes. Shqipëria dhe Amerika ku unë banoj tani, janë vetëm ngjarje gjeografike për mua. Para se të dal nga shtëpia këtu, gjithmonë i trajtoj gjërat që do marr me vete bile dhe mendimet sikur do kalojnë po nga ato rrugë të bukura të Tiranës, përgjatë Lanës së bukur tani, por që ishte e bukur dhe atëherë dhe të shtoj këtu se në Shqipëri del e sigurt nga shtëpia edhe sikur të përdorësh mirë vetëm njërin vesh. Po jo këtu, dhe i dyti i përdorur është pak. Në Los Angeles njerëzit janë më shumë të përqendruar rreth fakteve, shpejtësive të ndryshimit. Nëse nuk nxiton t'i bësh këto...



Për të pasur bukurinë e përjetshme (që normalisht e duan të gjithë), a do t'i nënshtroheshit ndonjë operacioni plastik nëse do të lindte nevoja?

Nuk i besoj shumë këtyre manipulimeve, të cilat nuk do t'i merrja kaq seriozisht dhe ndoshta pak inat, po të mos preknin të paktën fytyrën. Disa janë të suksesshme për aq kohë sa vetë njerëzit janë të kënaqur, por dhe në radhët e këtyre njerëzve unë shoh konservatorizmin, mospranimin që fytyrat shtrojnë mbas bisturisë. Sheh po atë moshë që kishin pa reduktuar rrudhat. Kam dëgjuar nga regjisorë të njohur të filmave që e quajnë diçka jo profesionale dhe vështirësi për profesionin e tyre të zgjedhin aktore të mëdhenj e të njohur. Ata ju nënshtrohen për çdo vit, për çdo ngjarje të madhe televizive shumë ndërhyrjeve. Shpesh e qeshura e tyre del false dhe e përzierë me emocionet e të qarit. Nuk sheh emocionin e bukur dhe natyral të fytyrës.



Të gjithë do të donin të dinin diçka rreth jetës suaj sentimentale? Është e dashuruar Valbona?

Po. Madje ne do vijmë bashkë në Shqipëri shumë shpejt.



Cilat janë projektet e Valbonës?

Ato janë shumë, por që të gjitha kanë vetëm një mbiemër, aktrimi. Unë them atë që ndiej dhe e di se jam shumë e vendosur dhe që e shoh të mundur të realizohet. Nuk harroj se këtë po e kërkoj jo në vendin tim dhe aq më tepër në një vend ku suksesi dhe dështimi janë përgatitur po nga e njëjta substancë dhe me të njëjtën mënyrë që në momentin që zbret këtu në Hollivud. Ndodh shpesh të mërzitem dhe atëherë vrapoj të rrëmbej një thënie të Napoelon Bonapart-it, e cila më ka ndihmuar shpesh; "The word immpossible is not on my dictionary", "fjala e pamundur nuk është në fjalorin tim".



A jeni e kënaqur me atë çfarë keni bërë deri më tani?

Jo. Nuk jam e palumtur, as e pafat, por nuk jam as e kënaqur vetëm me kaq. Nuk e trajtoj veten dhe nuk e shoh tek të dështuarit, dhe kjo jo sepse nuk mund të ndodhë, por se unë s'dua ta lejoj të vijë tek mendimet e përpiqem të ruaj krenarinë natyrale që trashëgoj nga Shqipëria dhe të vazhdoj të ballafaqohem. Të konkurrosh në Hollivud, gjëja e parë është të mendosh se ti je vërtet një star, por vetëm se ka një radhë të madhe, shumë njerëz para teje që dhe pse s'janë mësuar të ngrihen në mes të natës për të blerë mish apo qumësht si ne në Shqipërinë e kaluar, këtë punën e radhës e bëjnë mirë dhe s'të lënë pa radhë. (qesh ...unë e kam provuar radhën natën vërtet. duhej të ngriheshim të dy motrat dhe mami që të merrnim për tërë javën). Nëse nuk mendon e sillesh si një star në Hollivud, jo që nuk bëhet fjalë të hysh tek të suksesshmet, por nuk hyn as tek të dështuarit. Është njëlloj sikur nuk ke qenë fare në Hollivud.



Të kesh një jetë aktive do të thotë të "largohesh" disi nga familja. Juve u është dashur të hiqni dorë nga ajo?

Varet për cilën familje bëhet fjalë. Për një timen personale apo për timen ekzistuese? Do të thosha më është dashur të heq dorë për të krijuar një familje timen personale. Por kurrsesi nga familja ime. Prindërit e mi jetojnë në Los Angeles, kështu që jemi afër. Jetojmë në shtëpi të ndryshme, por komunikojmë disa herë brenda ditës. E vetmja motra ime, Eda jeton në Shqipëri, por edhe me të jemi në kontakt të përditshëm. Familja për mua është e shenjtë, pasuria më e madhe dhe e bukur që kam dhe që askush nuk mund të ma cenojë!



Keni pasur oferta për sfilata në Shqipëri?

Po.



Kur do të vijë Valbona sërish në Shqipëri?

Shpejt, shumë shpejt.



(burimi "Gazeta Shqiptare")

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors