Kuqezinjtë shënojnë 6 gola në "Qemal Stafa", duke dhënë sinjale pozitive nën drejtimin e Kuzhes
Tani e tutje, Shqipëria mund të mburret me një fitore të thellë në historinë e saj, 6 1. Një fitore rekord për kombëtaren kuqezi, e arritur nën drejtimin e trajnerit Josip Kuzhe. Gjyqtari turk dhe miqtë nga Qipro janë treguar vërtet miqësorë në stadiumin "Qemal Stafa", ashtu si nuk kemi parë ndonjëherë më parë.
Trajneri Kuzhe ka hedhur në fushë formacionin më të mirë, por me ndryshime postesh për disa lojtarë. Titullar në portë ka luajtur Ujkani, i cili ka bërë një paraqitje mjaft të mirë.
Armend Dallku ka luajtur në qendër të mbrojtjes, përkrah Lorik Canës, kurse Curri është spostuar në të majtë, duke i lënë më shumë liri veprimi në mesfushë Agollit në këtë krah. Për të synuar fitoren, ashtu sikurse kishte deklaruar para ndeshjes, ai ka hedhur në fushë sulmuesit Erion Bogdani dhe Hamdi Salihi.
Minutat e para kanë folur për Qipron, që ka shpërdoruar 2 3 raste, por më pas Ervin Skela ka shënuar dy gola me 11 metërsh në pjesën e parë, kur kuqezinjtë kanë qenë episodikë në lojën e tyre.
Falë dinakërisë së Hamdi Salihit dhe zemërgjerësisë së kryesorit turk, brenda pak minutash, Shqipëria ka fituar dy 11 metërsha dhe kapiteni vlonjat nuk ka gabuar, ndërkohë që Qipro kishte barazuar përkohësisht, pas një gabimi në mbrojtje të skuadrës tonë.
Pjesa e dytë është më e mirë për kombëtaren tonë, që dominon totalisht në lojë dhe arrin të shënojë edhe 4 gola të tjerë. Salihi bën një roveshatë spektakolare, por është i pafat, sepse portieri qipriot nuk e lejon të shënojë në këtë ndeshje.
Megjithatë, ai nuk arrin ta kontrollojë topin dhe Bogdani, i cili e ka ndjekur aksionin, përfiton dhe e shtyn topin në rrjetë, duke shënuar golin e 3 të. Miqtë nga Qipro janë të shokuar dhe nuk arrijnë ta marrin veten.
Më pas, Shqipëria fiton 11 metërshin e 3 të, me anë të Armend Dallkut. Duket e çuditshme, pasi kurrë më parë gjyqtarët nuk e kanë pasur kaq qejf kombëtaren tonë. Skela është zëvendësuar në këtë moment dhe të drejtën për të goditur nga pika e bardhë e ka Klodian Duro.
Topi i gjuajtur prej tij pritet nga portieri mik, por shkon përsëri tek elbasanasi, i cili godet me kokë dhe një nga mbrojtësit qipiriotë e shtyn drejt rrjetës, duke shkaktuar autogol.
Ansi Agolli shënon golin e 5 të, kur gjuan nga e majta dhe topi, pasi merr një trajektore të çuditshme, përfundon në rrjetë. Trajneri Kuzhe bën shumë zëvendësime dhe një nga të rinjtë e talentuar, durrsaku Emiliano Vila, shënon golin e 6 të dhe të fundit të ndeshjes, duke devijuar bukur një top të krosuar tokazi prej Dallkut nga e djathta.
Deri në fund të ndeshjes ka edhe raste të tjera për ekipin tonë, por rezultati mbetet i pandryshuar. Rezultati i thellë, 6 1, nuk ka si të mos sjellë kënaqësi te futbollistët kuqezinj, tifozët, drejtuesit e kombëtares shqiptare dhe stafi teknik, me në krye trajnerin Kuzhe, i cili ndoshta nuk e kishte parë as në ëndërr se Shqipëria mund të fitonte kaq thellë.
Ai e ka arritur plotësisht qëllimin e tij, duke marrë fitoren që kërkonte, ndërkohë që ka provuar edhe shumë futbollistë, me të cilët mendon të ndërtojë Shqipërinë e së ardhmes.
Megjithëse mund të ketë pasur pika të dobta të kombëtares kuqezi edhe në këtë ndeshje, më tepër në fillimin e saj, trajneri kroat tani e ka të qartë se Shqipëria i ka mundësitë për të ecur përpara.
0 Comments:
Post a Comment