Një objekt monumental që i përket periudhës romake të shekullit III pas Krishtit, u zbulua dje në teatrin e qytetit antik të Hadrianopolit, rreth 14 kilometra larg Gjirokastrës, gjatë ekspeditës së përbashkët italo-shqiptare, që ka nisur prej ditësh në këtë zonë arkeologjike në jug të Shqipërisë.
Arkeologu italian, Roberto Pena, i cili prej pesë vjetësh bashkëpunon me Institutin e Arkeologjisë në Tiranë në kuadër të projektit “Archadrin”, tha se “objekti i zbuluar është një banjë romake me avull, ku dyshemeja qëndron mbi tullat rrethore dhe katrore”.
“Objekti që prej shekujsh është ruajtur i paprekur, - vijoi arkeologu italian, - ka në përbërje edhe tubacionet e shkarkimit të ujit, të realizuara në material plumbi”. Ndërsa arkeologu shqiptar prof. Dhimitër Çondi, bashkëdrejtues i projektit, vlerëson se “ky objekt është bashkëkohor, pasi cilësia dhe mënyra e organizimit është e njëjtë me ato që janë zbuluar në vilat luksoze në Vrinë, Diaporit dhe Butrint”.
Projekti “Archadrin”, me vlerë 35 mijë euro, financim i Rajonit të Markeve (Itali), u shtri fillimisht në teatrin e Sofratikës në rrethin e Gjirokastrës.
Ky projekt përfshiu rihapjen e kanalit për kullimin e ujërave të shiut që grumbullohen në zonën e teatrit, duke rivënë në funksion rrjetin e shkarkimit të ujërave të shiut në lumin Drino. Në luginën e këtij lumi ndodhet dhe qyteti antik i Hadrianopolit, teatri i të cilit është objekti i dytë ku po zbatohet ky projekt. Teatri i Hadrianopolit ka një kapacitet prej 4 mijë spektatorësh, është i pajisur me 27 shkallë, ka 4 hyrje dhe një skenë me dy kate. Për herë të parë ai u evidentua gjatë Luftës së Parë Botërore nga arkeologu austriak, Prashniker. Gërmimet e para në këtë objekt u kryen në vitet ’80 nga Instituti i Arkeologjisë, nën drejtimin e arkeologut Apollon Baçe. Misioni arkeologjik italo-shqiptar që po punon në Hadrianopol, mbështetet nga Ministria e Jashtme italiane.
0 Comments:
Post a Comment