Një ditë pas deklaratave publike për një qeverisje të Metës me Berishën në 4 vitet e ardhshme, në selinë blu, por jo vetëm kanë nisur kalkulimet e mundshme për ndarjen e tortës. Burimet bëjnë të ditur se LSI pritet të marrë 4 poste.
TIRANE- Një ditë pas deklaratës të kryeministrit Berisha dhe kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, të cilët deklaruan publikisht se do të qeverisnin bashkë në 4 vitet e ardhshme, selia blu duket se është kthyer në normalitet.
Një javë pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe ku sipas rezultateve paraprake “Aleanca për Ndryshim” rezulton të ketë marrë 71 mandate, “Bashkimi për Ndryshim” 65 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 4 mandate. Në selinë blu nuk ndodhen as zyrtarë të lartë të kësaj partie, por as edhe militantë sikundër kanë qenë të pranishëm gjatë të gjithë këtyre ditëve.
Një gjë që përflitet jashtë zyrave, por njëkohësisht në tre selitë e partive, Partisë Demokratike, Partisë Republikane dhe partisë Lëvizja Socialiste për Integrim është padyshim pikëpyetja se si do të ndahen mandatet qeverisës së 4 viteve të ardhshme. Ajo që flitet sipas burimeve jo zyrtare është se Ilir Meta pritet të marrë 4 poste. Kështu pritet të marrë kryesimin e Kuvendit, pritet të marrë gjithashtu Ministrinë e Energjetikës atë të Kulturës dhe Ministrinë e Transporteve, por e gjithë pikëpyetja mes të gjithë demokratëve është ajo se si do të ndahet ajo pak tortë që mbetet për ta.
Nëse skema që e bën Ilir Metën në krye të Kuvendit nuk do të ndryshohet nga vetë ai, numri dy i Partisë Demokratike Jozefina Topalli, pritet të marrë drejtimin e diplomacisë shqiptare një nga dëshirat e saj të kahershme. Në këto kushte gjithmonë sipas burimeve të deritanishme rezulton që Lulzim Basha, tashmë i kthyer fitimtar nga Elbasani me barazimin që shënoi me socialistët në një bastion të njohur si e të majtëve mund të ulet në karrigen e zëvendëskryeministrit. Burimet gjithashtu bëjnë të ditur se Republikanët kanë këmbëngulur fort të mbajnë drejtimin e shëndetësisë, që gjithsesi duke qenë se është shpallur si sfida e 4 viteve të ardhshme nga vetë kryeministri Berisha, do të jetë e vështirë, por jo e pa mundur për ta drejtuar sërish aleati më besnik i demokratëve.
Edhe pse kishte deklaruar se do të vazhdonte të qeveriste me një kabinet të vogël, mësohet se kryeministri Berisha mund ti duhet të ndajë sërish disa ministri siç është ajo e Energjetikës nga Ekonomia dhe drejtimin e kësaj të fundit ta mbaj sërish Genc Ruli. I sigurt në drejtimin e Financave të qeverisë edhe në 4 vitet e ardhshme është padyshim Ridvan Bode, i cili ka mbajtur mirë financat e qeverisë në mandatin e kaluar, por edhe pse nuk arriti të shënojë diferencë mandatesh në Korçë përballë socialistëve.
Gjithashtu në qeverinë e vazhdimësisë sic e ka quajtur vetë kryeministri Berisha, pritet të mbetet sërish Sokol Olldashi, Majlinda Bregu ndërsa pritet një rikthim i Ilir Rusmailit njeriu që bëri mire llogaritjet e ndarjes së mandateve të koalicionit “Aleanca për Ndryshim” me Kodin e ri Zgjedhor. Burime bëjnë gjithashtu me dije se Viktor Gumi ministri i sapo emëruar ne qeverinë Berisha në drejtimin e Ministrisë së Punës rezulton deri tani të jetë njeriu i preferuar i Berishës për tja lënë ende këtë karrige. Gjithsesi nisur nga koha në dispozicion ku mbeten ende dy muaj nga konstituimi i Parlamentit të ri, nga mungesa e një rezultati përfundimtarë, por edhe nga preferencat shpesh herë në ndryshim të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Mbetet për tu parë nëse preferencat e Berishës do të mbajnë në qeveri emra të tillë si ai i Gazmend Oketës, duke parë që Durrësi shënoi një rezultat pozitiv, 7 mandate për Partinë Demokratike, 5 për socialistët dhe 1 për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Po kështu Berisha pritet të bëjë sërish pjesë të kabinetit të tij ministrin e Brendshëm Bujar Nishani, puna e të cilit është konsideruar e suksesshme në drejtimin 2 vjeçar të këtij dikasteri shumë të vështirë por edhe të rëndësishëm për fatet e integrimit të vendit.(a.r/news24/balkanweb/KohaShqiptare)
0 Comments:
Post a Comment