Aksident në Lezhë, vdesin 2 shqiptarë e 2 italianë


Një përplasje mes një makine dhe një kamioncine ka rezultuar fatale për pasagjerët e të dyja automjeteve që përfunduan në një kanal. Ngjarja u shënua pak pas mesditës në aksin Lezhë-Milot. Bilanci tragjik katër të vdekur dhe një person i plagosur rëndë. Identifikohen viktimat.

LEZHE- Katër persona kanë vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti automobilistik që ka ndodhur sot në mesditë rreth orës 12:45 minuta në aksin rrugor Lezhë-Milot. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesditës në kryqëzimin e Shën Kollit në aksin Lezhë Milot, kur dy automjete, një makinë tip BMW me targa SH 5270 E, dhe një automjet tjetër e tipit kamioncinë me targa TR 9943 R, u përplasën dhe përfunduan në kanal.
Policia e Lezhës bëri të ditur se tre nga të aksidentuarit humbën menjëherë jetën, ndërsa njëri prej tyre, i cili ishte në gjendje të rëndë ndërroi jetë në spitalin e Lezhës. Identifikimi i tyre ka qenë mjaft i vështirë, pasi kanë patur dëmtime të mëdha si pasojë e përplasjes së fortë. Sipas policisë dy nga shtetasit e vdekur janë shqiptarë, ndërsa dy të tjerët me shtetësi italiane nga qyteti i Leces.
Emrat e viktimave të aksidentit tragjik janë: shtetasit italian, Antonio Cazzato dhe Ignazio Magno 40 vjec. Ndërsa viktimat shqiptare, janë Edmir Vorfa, nga Shkodra dhe Enver Hallvadori, 60 vjec.
Personi tjetër i plagosur është Sokol Memanë, i cili ndodhet në gjendje shumë të rëndë për jetën dhe aktualisht është i shtruar në Spitalin Ushtarak ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Fillimisht policia zyrtarizoi tre persona te vdekur, por njeri nga te plagosurit ndërroi jete rrugës për në spital, pasi kishte rënë në gjendje kome.
Trupat e viktimave janë dërguar në morgun e spitalit të Lezhës. Policia mundi të nxjerrë skeletet e automjeteve nga kanali dhe nuk zbuloi asnjë trup tjetër poshtë tyre.
Sipas policisë përplasja e dy automjeteve ka qenë mjaft e fortë për shkak të shpejtësisë që kishin të dy automjetet. (Balkanweb)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors