Rovena Stefa 10 000 Euro per nje nate



Këtë sezon Rovena është mjaft e angazhuar me mbrëmjet e saj muzikore brenda dhe jashtë vendit. Ajo këtë sezon ka sjellë shumë këngë dhe videoklipe të reja në treg, për të cilat do të flas në intervistën për “KSH”.

“KSH”: Sa jeni e angazhuar me mbrëmje muzikore dhe sa jeni e kënaqur me fitimet?
Rovena Stefa: Po, ekziston një hapësirë e gjerë vendesh dhe shtetesh ku unë shkoj të performoj këngët e mia, që nga Shqipëria, Kosova e deri në Amerikën e largët dhe Australinë. Natyrisht që edhe çmimet e koncerteve të mia variojnë në varësi standardit ekonomik të vendit ku shkoj të këndoj, ka pasur mjaft organizime ku jam paguar deri në 10.000 euro, prandaj edhe gazetarët me siguri e kanë pasur të vështirë të më kategorizojnë, sepse, ndër të tjera, edhe organizimet ku unë jam prezente janë të llojeve të ndryshme, koncerte të mëdha, të mesme, dasma, party të mëdha, manifestime televizive, ku pagesat nuk janë përherë të larta etj. Por, një gjë është e vërtetë, arti më në fund ka filluar të vlerësohet edhe në Shqipëri, më vjen mirë që po i jepet rëndësia e duhur.

Muzikë dhe paraqitje

“KSH”: Mendoni se pagesa në këtë rast është rezultat i muzikës së mirë, apo fizikut dhe performancës në skenë?
Rovena Stefa: Nuk besoj që ka të bëjë me fizikun, edhe pse është një plus i madh për artistin të jetë sharmant dhe të duket bukur. E them këtë pasi ka një numër të madh femrash të bukura, të cilat nuk i arrijnë kurrë këto shifra. Nuk e arrijnë suksesin në muzikë, sepse pa dashje atyre u mungon hiti dhe ylli skenik, të cilin mund ta posedojë edhe një femër aspak e bukur, ka shumë shembuj për këtë edhe në Shqipëri. E ndërsa muzika e mirë dhe performanca janë të dyja shumë të rëndësishme për të arritur suksesin në skenë, ato barazohen me magjinë e magjistarit, apo recetën e gatimit. Duhen të jenë të bashkangjitura që publiku të argëtohet maksimalisht dhe të përfshihet në emocion, ta marrë më në fund mesazhin e muzikës.

Pjesëmarrëse e maratonës

“KSH”: Ishit pjesëmarrëse edhe në Maratonën e këngës popullore qytetare, me një këngë shumë të goditur të Jugut të Shqipërisë, risi kjo për ju, si e komentoni?
Rovena Stefa: Është duke vazhduar dhe duke korrur një sukses të jashtëzakonshëm në pothuajse të gjitha qytetet shqiptare, me më të mirët e muzikës popullore. Jam shumë e kënaqur që munda të lë kohë për këtë ngjarje të madhe të muzikës shqiptare, të organizuar shkëlqyeshëm si rrallë ndonjëherë, me një publik masiv prej qindra-mijëra shikuesish live në sheshet e qyteteve. Kënga e ka titullin “Xhan moj yll e xhan moj hënë” dhe është me motive popullore vlonjate dhe është pritur mjaft mirë në të gjitha qytetet. Jam e kënaqur, por edhe më shumë është e kënaqur nëna ime, e cila ka lindur në Vlorë dhe e adhuron këngën e mrekullueshme vlonjate.

“KSH”: Albumi juaj më i ri do të jetë kryesisht me këngë popullore. Kjo në funksion të dëshirës tuaj apo sepse keni kuptuar se popullorja po kërkohet më shumë në këtë kohë?
Rovena Stefa: Folku ka qenë gjithmonë në modë, ai është baza e kombit, por tek unë folku ka rrjedhur krejt natyrshëm vit pas viti. Kujtoj që fillimet e mia kanë qenë xhaz, më pas festivale dhe tani ndihem sikur jam kthyer në shtëpi. Te folku gjej rrënjët e mia, shqiptarinë.

“KSH”: Mendoni se më shumë e keni kërkuar apo merituar suksesin?
Rovena Stefa: Uroj ta kem merituar...!Nuk e kam kërkuar, ka ardhur totalisht natyrshëm, të tjerët e kanë parashikuar tek unë.

“KSH”: Edhe preferencat e fansave për këngëtarët kanë gjeografinë e tyre. Ku i ndieni duartrokitjet të jenë më të fuqishme?
Rovena Stefa: Mua më presin njësoj kudo, si në Veri, ashtu edhe në Jug, ndoshta sepse muzika që unë bëj është më universale, i përfshin të gjitha trevat, ndihem shumë mirë kudo dhe jam e lumtur për këtë. Edhe në Kosovë kam shumë miq dhe dashamirë.

“Kosova St”: Titulli i albumit më të fundit është “Lum e lum”. Si e komentoni?
Rovena Stefa: Lum e lum për mu, djali trim më ka thënë “Të du”!....mos u habit është refreni i këngës sime më të re, “Lum e lum”, që del këto ditë në treg, një super këngë me një super ritëm dhe me një tekst të mrekullueshëm. Besoj se do të pritet shumë mirë nga publiku.

“KSH”: Tashmë edhe këngëtarët shqiptarë kanë nisur të synojnë tregun e huaj, atë ndërkombëtar. Ju ka joshur ndonjëherë ideja për të shkuar më larg kufirit të suksesit brenda Shqipërisë?
Rovena Stefa: Jam e lumtur me shqiptarët e mi, nuk vuaj nga sindroma e të qenit i famshëm jashtë kufijve shqiptarë. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Më mirë i pari i fshatit sesa i fundit i qytetit”...ha ha ha.

“KSH”: Në fakt, çfarë do t’ju largonte me siguri nga Shqipëria?
Rovena Stefa: Asgjë dhe askush!

Pak fjalë për dashurinë

“KSH”: Ndoshta një dashuri? E keni një të tillë për momentin?
Rovena Stefa: Dashurinë e gjej në mesin e shqiptarëve dhe jam e lumtur për këtë.

“KSH”: Pse personat publikë i druhen kaq shumë publikimit të një të dashuri?
Rovena Stefa: Personalisht asnjëherë nuk kam dashur që gjërat

e mia intime t’i nxjerrë në shesh mejdani dhe s’ kam për ta bërë kurrë. Mendoj që shumica e artistëve hezitojnë të bëjnë publike dashuritë e tyre, sepse të gjitha gjërat që ne themi transformohen dhe keqpërdoren dhe po të deklaroj diçka me siguri do të komentohet edhe më shumë, kështu që nuk mendoj se është kjo arsyeja që mbahet private jeta intime.

“KSH”: Jeni për një pamje konstante apo gjithnjë në lëvizje, në ndryshim?
Rovena Stefa: Për një pamje në ndryshim, më pëlqen që në çdo projekt të dukem më ndryshe.

“KSH”: Çfarë marrëdhëniesh keni me sallonet e bukurisë, sa i frekuentoni dhe sa të bëjnë punë?
Rovena Stefa: Shfrytëzoj shumë masazhet dhe shërbimet e estetikës, më relaksojnë pas udhëtimeve dhe koncerteve.

“KSH”: Çfarë do të thotë për ju relaks, kohë e lirë?
Rovena Stefa: Të largohem nga zhurmat, turmat. Më pëlqen qetësia e plotë, errësira e plotë, freskia e ajrit, mali, deti, hëna e plotë, horizonti i pafund i purpurt.

“KSH”: Për njerëzit e rëndomtë, verës janë pushimet, kurse për ata publikë (këngëtarët) verës janë koncertet. Sa dhe ku do të pushoni këtë verë si njeri i rëndomtë apo i thjeshtë?
Rovena Stefa: Kam zgjedhur Egjiptin edhe këtë vit. Kur të kthehem do të ju tregoj se si kam kaluar.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors