Përtej fajeve gjyqësore dhe penale që janë pas kësaj historie ekziston dhe një përgjegjësi politike që përfshin marrëdhëniet e transparencës dhe ndershmërisë mes dy shteteve
Investigimi i bërë publik dje nga New York Times mbi tregtinë e armëve mes Shqipërisë dhe Afganistanit, përvec dyshimeve të shumta për korrupsion, denoncon përgjegjësinë shumë të rëndë politike që bie mbi qeverinë shqiptare: MEICO, ndërmarrje publike shqiptare, ka mashtruar Pentagonin duke shitur për municion (me çmimin e municioneve të vërteta) çka mund të shërbente në fakt vetëm për skrap.
Përtej fajeve gjyqësore dhe penale që janë pas kësaj historie (një aferë që përfshin ushtarakë dhe biznesmenë shqiptare nga njëra anë dhe një a më shumë biznesmenë të huaj nga ana tjetër), ekziston dhe një përgjegjësi politike që përfshin marrëdhëniet e transparencës dhe ndershmërisë mes dy shteteve. Autoritetet amerikane në të vërtetë, kanë dërguar një letër zyrtare, e cila ishte në duart e qeverisë shqiptare, në të cilën saktësonin se shoqëria AEY ishte e ngarkuar prej tyre (me një kontratë publike) për të blerë 100 milion municione me destinacion forcat e armatosura afgane. Pra duhet që logjikisht të ishin municione “të përdorshme për të gjitha njësitë pa përjashtim”. Qeveria përkundrazi, përmes MEICO, i ka shitur Pentagonit, 100 milion fishekë të mirë për t’u bërë skrap.
Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë, vazhdon të injorojë skandalin e kontratës mes MEICO-s, firmës fantazëm Evdin Ltd dhe shoqërisë AEY ( kushedi sepse këmbëngul të mos hetojë për këtë të fundit), autoritetet amerikane, përkundrazi, kanë nisur një hetim pikërisht mbi këtë çështje. “Hetues amerikanë janë dërguar në Afganistan dhe në Shqipëri”, shkruan New York Times. Edhe Pentagoni ka reaguar duke bllokuar kontratën me firmën AEY, atë kontratë e cila sipas kryeministrit Sali Berisha është plotësisht e rregullt. Zëdhënësi i Pentagonit mbrëmë konfirmoi ekzistencën e një hetimi penal dhe përjashtimin e firmës AEY nga të gjithë kontratat me qeverinë amerikane.
Të parët që denoncuan në Pentagon cilësinë e keqe të municioneve që po mbërrinin nga Shqipëria, kanë qenë ushtarakët e forcave afgane, të skandalizuar nga ato fishekë të vjetër, të ndryshkur dhe që as nuk mund të përdoreshin.
E megjithatë autoritetet shqiptare e dinin shumë mirë se çfarë shisnin. E kanë shkruar ata vetë në kontratën e firmosur më 6 gusht 2007 me firmën SAC: në pikën 4 të marrëveshjes saktësojnë se bëhet fjalë për “stoqe të vjetra të municioneve jashtë përdorimit, në pronësi të ministrisë së Mbrojtjes”. Janë të njejtat municione që pak javë më parë ia kishin shitur Pentagonit: stoqe të vjetra jashtë përdorimit. Por pa ia shpjeguar këtë. Ndërsa SAC-it këto hekurishte i janë shitur me 4,5 dollarë për cdo arkë me 1 mijë copë, autoritetet shqiptare, Pentagonit, ia kanë shitur me 40 dollarë për arkë.
Por skandali politiko-gjyqësor ka të bëjë edhe me origjinën e municioneve. Ligji i ndalon Shtetet e Bashkuara të blejnë municione ose armë të prodhuara në Kinë. Ndërsa qeveria shqiptare, ndonëse e dinte se ato armë ishin blerë për llogari të Pentagonit, ka shitur municione të prodhuara në Kinë, sic edhe lexohet qartazi në procesverbalet që disponon “Gazeta Shqiptare”.
Ka dhe një tjetër mister. Sipas Pentagonit, AEY-ja i ka deklaruar ushtrisë amerikane (duke gënjyer) se municionet ishin prodhuar në Hungari. Por kush ia ka dhënë AEY-së certifikantën fallso, e nevojshme për të mashtruar autoritetet ushtarake amerikane?
Në fillim përmes shoqërisë “Xhoi” të Kosta Trebickës e pastaj përmes “Albademil” të Mihal Delijorgjit, MEICO natyrisht bënte ripaketim të municioneve, duke i nxjerrë nga arkat me mbishkrimin “Made in China”: një tjetër shërbim që ka kontribuar për të mashtruar Pentagonin. Dje në parlament, kryeministri Sali Berisha bëri ftesë që New York Times të përdorej si letër higjienike. Pak orë më pas, të njejtat akuza të publikuara nga gazeta amerikane, janë konfirmuar edhe nga Pentagoni. Por a do të mjaftojë të paktën kjo që kreu i qeverisë të mund të bëjë një reflektim të thellë politik, së paku një herë? Çfarë e demton më shumë integrimin në Nato: të shkelësh besimin e Pentagonit apo të kërkosh dretësi për 24 viktimat e Gërdecit? (Marre nga Gazeta Shqiptare)
0 Comments:
Post a Comment