Zjarr në konvikt, studentja humb ndjenjat

Vlorë, një qark i shkurtër elektrik ka shkaktuar zjarrin dhe një zhurmë të fortë. Panik tek vajzat e godinës

VLORË- Nje shkëndijë elektrike dhe djegia e rrjetit elektrik në godinën e konviktit të vajzave ka shkaktuar panik në ambientet e qendrës studentore në Vlorë. Madje njërës prej vajzave i ka rënë të fikët nga frika dhe është transportuar me urgjencë në qendrën shëndetësore. Pas disa mjekimesh të lehta, gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar.

Adhurim Rrapaj, drejtor i qendrës së trajtimit studentor pohoi dje për "Shekullin" se ka patur një djegie të linjës kryesore në katin e tretë, e cila ka vijuar edhe në katin e parë. "Gjithçka është krijuar nga mbingarkesat në rrjet, pasi shumë nga vajzat përdorin prizat elektrike apo mjete ngrohëse",- tha drejtori Rrapaj. Sipas tij, shkëndija në rrjet ka shkaktuar një zhurmë shumë të fortë në ambientet e godinës pesëkatëshe duke u pasuar me alarm nga konviktoret, sidomos atyre të katit të tretë ku është dëgjuar shpërthimi më i fortë. Duke mos kuptuar fillimisht se çfarë ka ndodhur, thuajse të gjitha studentet, i janë drejtuar hyrjes së katit të parë, duke u grumbulluar më pas në oborr. Menjëherë janë lajmëruar mjetet zjarrfikëse, si dhe në ndihmë ka ardhur policia, të cilët kanë normalizuar situatën, si dhe ndërhyrë për mos përparimin e zjarrit të shkaktuar nga shkëndija. "Përjetuam vërtetë panik, -pohon një prej studenteve të vitit të tretë në degën turizëm, nuk merrnim vesh çfarë po ndodhte". Më rëndë është përjetuar situata në një nga dhomat e katit të tretë, pranë zonës ku u krijua shkëndija, ku njërës prej studenteve i ka rënë të fikët. Menjëherë ajo është dërguar në ambientet jashtë qendrës ku ka qenë e mbërritur një ambulancë. Situata e krijuar ka mbajtur për një farë kohe në ambientet e jashtme studentët, ndërsa mbrëmjen e djeshme konvikti ka mbetur pa drita, pasi sipas drejtorit të qendrës Rrapaj, ndërhyrja e specialistëve të elektrikut do të mundësohet vetëm ditën e nesërme. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors