Sipas studimit në 700 adoleshentë, ka raste të raporteve të para që në moshën 12-vjeç
Gjinekologia Çuberi: Ulet mosha e raportit të parë, adoleshentët të keqinformuar dhe të infektuar seksualisht
Studimi
Vlorë-Marrëdhënie seksuale në moshë të vogël, mungesë totale informacioni për rreziqet dhe adoleshentë të infektuar me sëmundje seksualisht të transmetueshme. Këto janë të dhënat e studimit të fundit të kryer në adoleshentët e Vlorës dhe rrethinave të saj, drejtuar nga mjekët gjinekologë.
"Adoleshentët vlonjatë janë tepër të rriskuar nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme". Kështu shprehet mjekja gjinekologe Diana Çuberi në Vlorë, e cila ka ndjekur studimin e fundit, por edhe mjekët e poliklinikës qendrore në qytet, që përditë përballen me raste infeksionesh, pasojë e pakujdesisë së vetë adoleshentëve.Sipas mjekëve, shkak për këtë janë ekzistenca e faktorëve të rriskut, si faktori biologjik, por edhe zhvillimi psikologjik. Sipas mjekëve, tashmë adoleshentët shikojnë të sotmen pa menduar për të ardhmen. Rol më ndikues ka sipas mjekëve, padyshim ndryshimi i sjelljes seksuale. "Është ulur ndjeshëm mosha e marrëdhënies së parë seksuale"- thotë mjekja gjinekologe Diana Cuberi.
***
Sipas Çuberit, nëse më parë ka pasur një moshë që gjykohej si e caktuar për raportin e parë, tani mosha është ulur. Duke iu referuar shifrave të studimit të kryer me adoleshentë të shkollave të mesme të qytetit, por edhe në disa të fshatit si KuçPeshkëpi, rezulton se marrëdhëniet që kryhen që në moshën 15-vjeç janë në masë jo të vogël. Sipas studimit, nuk kanë munguar rastet edhe të raporteve në mosha 13 e deri 12-vjeç. Raportet e mëparshme, kryer nga Instituti i Shëndetit Publik e kanë konstatuar me kohë uljen e moshës së marrëdhënies së parë seksuale, por kjo, sipas të dhënave, përgjithësisht në kryeqytet.
***
Shqetësim kryesor për përhapjen e këtyre sëmundjeve sipas Cuberit, çka ka rezultuar nga studimi, është ai i keqinformimit. Shumica e informacioneve merret nga shokët, por ai është mjaft i deformuar dhe i cunguar. "Shumica e adoleshentëve kanë pak besim të marrin informacione në familje, apo nuk janë të hapur ndaj saj, ndërsa shumë herë informacioni ndahet mes shokësh",- thuhet në studim. Nga të dhëna që janë marrë në laboratorin ku janë shqyrtuar rastet e adoleshentëve që janë paraqitur për analiza kanë rezultuar mjaft prej tyre me infeksione të ndryshme. "Me garnerela 14 raste, gram negativ 10 raste, kandida 114 raste, trigomonas 7 raste, klamidia 1 rast"- thuhet në studimin, që i referohet prekshmërisë nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Të gjitha këto, sipas të dhënave, janë konstatuar në grupmosha nga 15 deri në 18-vjeç. Mjekët apelojnë për ndërtimin e politikave të tilla për të marrë informacione më të detajuara e të zgjeruara, ndërsa ftojnë adoleshentët që në rast shqetësimesh, t'iu drejtohen mjekëve. Çuberi pohon se në studim janë përfshirë rreth 700 adoleshentë të shkollave të mesme të qytetit dhe të fshatit në Vlorë. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment