Drejtoria e Higjienës jep alarmin për puset e ujit të pijshëm në qytetin e Elbasanit: Masa, ndryshe qyteti mbetet pa ujë
ELBASAN-Higjiena jep alarmin për rrezikun që i kanoset ujit të pijshëm të qytetit të Elbasanit si pasojë e ndërtimeve pa leje shumë afër pus shpimeve. Zona më problematike paraqitet ajo e Krastës së Vogël, ku shtëpitë i janë afruar shumë puseve. Lidhur me këtë problem, Agim Banushi, përgjegjës i Inspektoriatit Sanitar deklaron se ujërat e zeza dhe mbeturinat po rrezikojnë seriozisht puset e ujit.
"Problemi më i madh që ne kemi konstatuar është rreziku i ndotjes së burimeve ujore në Krastën e Vogël"-thotë ai. Sipas tij, për këtë është njoftuar prefekti i Elbasanit Rezart Kovaçi dhe bashkia Elbasan, pasi ka rrezik ndotje të burimeve ujore në Krastën e Vogël ku është vendosur një ndër puset që furnizon qytetin e Elbasanit. Shumë afër këtij pusi janë ndërtuar shumë shtëpi pa leje duke rrezikuar ndotjen e pusit. Shtëpitë janë ndërtuar jashtë çdo normative, pasi nëpërmjet gropave septike depozitohen ujërat e zeza, nëpërmjet punimit të tokës përdoren plehra dhe kjo ndodh vetëm 30 metra larg pusit. Infiltrimi i ndotësve deri në pus e kthen atë në të papërdorshëm më pas.Aty gjithashtu është një zonë e mbrojtjes së parë që ruhet nga forca të armatosura kanë filluar të hidhen inerte. Këto inerte janë hedhur pranë pusit dhe rrezikohet sërish ndotja e ujit.
***
Dy javë më pare, sipas Banushit, i është dërguar një informacion Prefekturës së Elbasanit dhe janë informuar institucionet përgjegjëse për të marrë masa të menjëhershme. "Në rast se ndotja arrin deri në pus, atëherë uji kthehet i pakonsumueshëm dhe qyteti rrezikon të mbetet pa ujë"- thotë ai, duke theksuar sekompania që administron ujin dhe bashkia duhet të ndalojnë këtë rrezik që po i kanoset ujit të pijshëm. "Në relacionin tonë kemi deklaruar që të analizohen ndërtimet informale në këtë zonë dhe të mos hyjnë në procesin e legalizimit"-sqaron më tej. Sipas të dhënave, janë mbi 30 shtëpi të ndërtuara pas viteve '90 nga familje të ardhura nga zona të ndryshme rurale të qytetit të vendosura shumë afër puseve të ujit. Vendosja e tyre ka qenë e parregullt, duke shkelur edhe kriteret edhe pranë një ujësjellësi. Drejtoria e Higjienës jep alarmin për një zgjidhje të menjëhershme të kësaj situate në të kundërt ndotja e puseve rrezikon të lerë pa ujë një qytet të tërë. Drejtoria e Higjienës deklaron se amortizime të jashtëzakonshme reflektojnë ujësjellësit në shumicën e fshatrave dhe rreziku për konsumimin e këtij uji është i madh. Kjo drejtori ka kërkuar nga ndërmarrjet përkatëse të marrin masa pasi në të kundërt edhe ndaj tyre do të ketë gjoba. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment