Takim privat i dy personave publikë

“Topi-Rama, takim privat në një nga lokalet e Tiranës” shpall sot me gërma të mëdha në faqen e saj të parë gazeta TemA. Urraaaa, u takuan dy nga ata që me grindjet e tyre na e vështirsojnë jetën çdo ditë, e mbase gjetën ndonjë mënyrë për të mos bërë kaq shumë sherr. Mbase kohëra më të mira do të vijnë. Mbase. Por para se të filloj “të ëndërroj” a mund të shtroj një pyetje të vogël? Ç’do të thotë “takim privat” e pse nuk ka asnjë shpjegim zyrtar për këtë takim?

Zoti Bamir Topi është Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Kam përshtypjen që Z. Topi është gjithashtu akoma NënKryetar i Partisë Demokratike. Ndërkohë Zoti Edi Rama është Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe Kryetar i Partisë kryesore të pakicës në Kuvend. Të dy janë figura kryesore të jetës publike të këtij vendi. Lajmet për ta, dmth njoftimet zyrtare duhet të shfaqen të paktën në një prej këtyre katër faqeve në internet të cilat pasqyrojnë kryesisht veprimtarinë e tyre:

1) Faqja e Presidencës: http://www.president.al
2) Faqja e Bashkisë së Tiranës: http://www.tirana.gov.al
3) Faqja e Partisë Socialiste: http://www.ps.al
4) Faqja e Partisë Demokratike: http://www.partiademokratike.al

Çuditërisht ama lajmet që mund të lexoni në këto faqe në këto çaste janë mbi “përurimin e godinës së re të universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër nga Kryeministri Berisha”, “shpalljen e fituesve për grandin e BE për ndërmarrjet e vogla”, “takimin e Edi Ramës me të rinjtë në Shkodër”, ose “takimin e Bamir Topit me Ambasadoren e ShBA në NATO”. Lajme, shpjegime për takimin Topi-Rama”? HIC, HIC FARE!

Në mungesë të lajmeve zyrtare, qytetarit të thjeshtë i ngelet të bazohet tek shpjegimet që jepen në shkrimin pa autor të Temës. Sipas tij Topi dhe Rama mund të jenë takuar për Prokurorin e Përgjithshëm ose për çështjen e lejeve të ndërtimit në Tiranë (më falni por ç’punë ka Presidenti me lejet e ndërtimit në Tiranë????). Fakte për të mbështetur këto hipoteza në shkrimin pa emër? Zero!

Se përse këta persona të rëndësishëm publikë e gjejnë me vend të takohen kështu fshehtazi unë s’e di. Se përse e gjejnë me vend të mos thonë asgjë për këtë takim, edhe këtë s’e di. Di që takimi do të nxisi thashetheme dhe mbase pazarllëqe të tjera politike e që fshehtësia në këto çështje s’është aspak e mirë. Di edhe që unë, si shtetas i këtij vendi, dhe si qytetar i Tiranës i paguajë rrogën të dy këtyre zotërinjve, dhe paguaj edhe shpenzimet për mbajtjen e dy faqeve shtetërore por prapë askush s’më quan të rëndësishëm mjaftueshëm sa për të më thënë publikisht se çfarë u diskutua. Kot nuk thonë më mirë “M” se i “vogël”.

*******************

Shkrimi nga TemA:

Topi-Rama, takim privat përballë selisë së PD

Nga A. Maho
Gazeta Tema
11-11-2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kryetari i opozitës, Edi Rama, kanë zhvilluar dje një takim privat në ambientet e lokal “Elyse”, në Tiranë, lokal që ndodhet fare pranë selisë së Partisë Demokratike. Të pranishmit në lokalin “Elyse” u shprehën për gazetën “TemA”, se takimi është zhvilluar në saletin e këtij lokali, pronë e Fatmir Haferit, njeri i afërt i presidentit Topi. Prania e Topit në lokal vërtetohej dhe nga bodyguard-ët e Presidentit të Republikës, efektivë të Gardës, të cilët kishin bllokuar dhe hyrjen e lokalit dhe nuk linin të hynte njeri në të.

Gjithsesi, mendohet se tema kryesore e takimit ka pasur të bëjë me emrin e ri të Prokurorit të Përgjithshëm, dhe pse kryeministri Berisha vetëm disa orë më parë deklaroi se ai duhet të jetë jashtë politikës. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet që tjetër temë e bisedës të kenë qenë dhe çështjet e lejeve urbanistike të ndërtimit në Tiranë, të cilat vërtet që janë bërë një shqetësim për popullsinë e kryeqytetit. Takimi ka zgjatur për më shumë se 30 minuta dhe i pari që ka dalë nga saleti i “Elyse”-së ka qenë kryetari i opozitës, Edi Rama, në orën 20.25 minuta, ndërkohë që presidenti Topi ka ndenjur më mbrapa me disa miq, anëtarë të PD, edhe këta klientë të rregullt të këtij lokali. Gjithsesi, në ditët në vazhdim do të sqarohen dhe më tej detajet e këtij takimi, i cili vjen në një moment, kur politika dhe media në qendër të vëmendjes kanë vënë emrin e ri të Prokurorit të Përgjithshëm, i cili është kompetencë e Presidentit të Republikës. (Peshkupauje)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors