Policia në Kosovë dhe forca paqëruajtëse e KFOR-it thonë se po hetojnë veprimtarinë e një organizate ilegale që e quan veten Armata Kombëtare Shqiptare.
Pjesëtarë të maskuar e të armatosur të kësaj organizate janë rishfaqur në media duke thënë se 'do të luftojnë kundër çdo ndërhyrje të mundshme të Serbisë në Kosovë'.
Zëdhënësi i KFOR-it, Bertran Bono tha se KFOR-i po i merr seriozisht kërcënimet nga grupet e ndryshme të armatosura në Kosovë dhe për këtë arsye po e vëzhgon me kujdes të shtuar situatën e sigurisë.
Sipas tij, trupat paqëruajtëse të NATOs po kontrollojnë situatën në tërë territorin e Kosovës dhe po hetojnë veprimtarinë e grupeve të armatosura ilegale.
Paraqitje e re
Këto komente të zëdhënësit të KFOR-it pasuan paraqitjen e sërishme në media të një organizate që veten e quan Armata Kombëtare Shqiptare.
Një udhëheqës i AKSH-së, i ashtuquajturi komandant "Preka", i ka thënë agjencisë së lajmeve Associated Press se Armata Kombëtare Shqiptare po patrullon Kosovën veriore përgjatë kufirit me Serbinë, siç ka thënë ai "për të parandaluar cdo infiltrim serb në Kosovë".
Sipas tij, paraqitja e AKSH-së është kundërpërgjigje ndaj paralajmërimeve të organizatës ilegale serbe "Garda e Car Llazarit", e cila është kërcënuar me luftë nëse Kosova shpallë pavarësinë.
Por forca paqëruajtëse e NATO-s dhe policia në Kosovë kanë thënë se nuk do të lejojnë përshkallëzimin e situatës së sigurisë dhe se për këtë kanë plane të gatshme veprimi.
0 Comments:
Post a Comment