Energjia 224 mln euro, ku do i gjejë KESH-i borxhet ?

Zv/ministri Shehu: Nuk kemi parashikuar fonde të tjera për të subvencionuar blerjen e energjisë

KESH-i ka hapur dje tenderin e blerjes së energjisë për vitin 2008-të me një vlerë prej 222 milionë euro, por bashkë me këtë tender një ditë më parë është hapur edhe gara për të marrë borxh. KESH-i nuk ka para për të blerë energji dhe një ditë para tenderit, Drejtori i KESH-it, Bojaxhi, ka dalë në një konferencë për shtyp dhe ka bërë të ditur krizën financiare në të cilën është KESH-i.

Ndër alternativat që ka paraqitur Bojaxhi për të marrë borxh, më e mira sipas tij është marrja borxh nga buxheti i shtetit. Por Ministria e Financave është kundër kësaj ideje. Zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se buxheti i shtetit nuk ka para për t'i dhënë KESH-it. "Ne nuk mund të japim para sa herë KESH-i të kërkojë për të blerë energji. Buxheti i shtetit do të financojë KESH-in vetëm në periudha emergjence, ndërsa subvencionimi në çdo rast kur korporata mbetet pa para do të nxiste këtë të fundit që të mos kërkonte një rritje në efiçensë", ka deklaruar Shehu.

Alternativat e borxheve

KESH-i që prej ditës së diele, 24 orë para se të hapeshin ofertat e tenderit vjetor 2008-të ka bërë publike edhe alternativat e mundshme për të marrë borxh. "Tre janë alternativat që KESH-i mund të realizojë importin e energjisë në këtë situatë. Subvencionimi nga ana e buxhetit të shtetit, marrja kredi nga ana e bankave dhe ajo që unë nuk mendoj se është alternativë e mirë, ulja e importeve", ka bërë të ditur Bojaxhi. Por megjithëse alternativa më e mirë për Bojaxhi është subvencioni i KESH-it nga ana e buxhetit të shtetit, Ministria e Financave mbetet kundër këtij borxhi të ri. Sipas zëvendësministrit Shehu KESH-i ka marrë një subvencion prej 5 miliardë lekë për këtë vit dhe buxheti nuk ka mundësi që të financojë këtë deficit që vjen nga KESH-i.

KESH-i kërkon rritje çmimesh

Energjia e importuar që për vitin 2008-të shkon në 222 milionë euro, mund të blihet me më pak para borxh nëse plotësohet kërkesa e KESH-it për një rritje të përgjithshme të çmimeve. Kërkesa e KESH-it për një rritje çmimi me 20% për konsumatorët familjarë dhe një shtrenjtim të ndjeshëm për biznesin, pritet që të merret në shqyrtim nga ana e Entit Rregullator të Energjisë. Gjatë tenderit të zhvilluar gjatë ditës së djeshme çmimi mesatar i ofruar nga ana e 8 kompanive që morën pjesë ishte 80.34 MWh. KESH-i ka deklaruar prej kohësh për një rritje të re çmimesh, ide e përkrahur edhe nga ana e Bankës Botërore. Por pas deklaratës së KESH-it për një rritje të re çmimesh, ka qenë vetë kreu i qeverisë Berisha që ka bërë të ditur se nuk do të ketë një rritje të çmimit të energjisë për vitin 2008.

Reshjet, Maqedonia rihap portat e Drinit të Zi

Autoritetet maqedonase, prurjet në Drinin e Zi shkojnë në 70 metër kub në sekondë

Reshjet e shumta të shiut që kanë rënë përreth Liqenit të Ohrit gjatë këtyre ditëve e kanë përmirësuar së tepërmi situatën e nivelit të ujit në Liqenin e Ohrit, e cila para disa kohësh ishte në një gjendje kritike. Matja e fundit që është kryer dje nga Drejtoria hidrometrologjike e Liqenit të Ohrit ka rezultuar me n,jë rritje të ndjeshme të nivelit të ujërave. Sipas drejtorit të kësaj qendre, Josif Smilevski, reshjet e shumta të shiut gjatë këtyre ditëve kanë bërë që të akumulohet në Liqenin e Ohrit rreth 38 milionë metra kub ujë dhe për rrjedhojë është rritur niveli i sipërfaqes së liqenit me 9 cm. Smiljeski bën të ditur për gazetën "Shekulli" se për t'u rritur niveli i liqenit me 1cm kub nevojiten 3,5 milionë metër kub ujë. Tashmë portat e Drinit të Zi qëndrojnë të hapura tërësisht për të plotësuar nevojat elektroenergjitike të hidrocentralit të "Shpilesë "në Dibër të Maqedonisë dhe Shqipërisë të cilat kanë qenë shumë të rënduara për shkak të një vere shumë të thatë si asnjëherë tjetër. "Sasia e ujit që kanë burimet e Drinit është 70 metër kub në sekondë", ka bërë të ditur Josif Smileski. Pas kërkesave të qeverisë shqiptare në muajin gusht Maqedonia hapi portat për zbatimin e marrëveshjes dy paleshe midis ish- Jugosllavisë dhe shtetit shqiptar, ku parashikohet që prurjet e Drinit nuk duhet të jenë më të vogla se 40 metër kub në sekondë. Por kjo marrëveshje është zbatuar vetëm disa ditë, pasi portat u rimbyllën, duke lënë vetëm një kanatë që çonte vetëm 10 metër kub në sekondë nën pretekstin se liqeni ishte në pikën kritike dhe ishte fare pranë katastrofës ekologjike.Bardhyl Berberi

+++

Konkurrenca: Çmimet e naftës të kontrolluara

Autoriteti i Konkurrencës nis hetimin për tregun e hidrokarbureve në vend

Ky vendim ka ardhur pas një studimi të Tregut të Hidrokarbureve nga ana e Sektorit të Analizës dhe Studimeve të Autoritetit të Konkurrencës dhe monitorimet e kryera nga Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës, ku ka rezultuar se ka shenja të kufizimit dhe shtrembërimit të konkurrencës, duke mos reflektuar çmime të një konkurrence efektive në treg

Tregu i karburanteve do të jetë edhe fusha e re e hetimit të Autoritetit të Konkurrencës. Sipas një njoftimi për mediat ky autoritet ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se Komisioni i Konkurrencës ka vendosur hapjen e një hetimi të përgjithshëm në sektorin e energjisë. Sipas Autoritetit të Konkurrencës ky hetim mbështetet në nenin 41 të ligjit "Për mbrojtjen e konkurrencës" dhe do të shtrihet në të gjithë sektorin e energjisë. Raporti i hetimit do të sjellë një pasqyrë të plotë të situatës së konkurrencës në këtë treg duke evidentuar problemet e mundshme. Ky vendim ka ardhur pas një studimi të Tregut të Hidrokarbureve nga ana e Sektorit të Analizës dhe Studimeve të Autoritetit të Konkurrencës dhe monitorimet e kryera nga Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës, ku ka rezultuar se ka shenja të kufizimit dhe shtrembërimit të konkurrencës, duke mos reflektuar çmime të një konkurrence efektive në treg. Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se hapja e një hetimi për këtë sektor merr një rëndësi të madhe pasi tregu i energjisë mbetet një nga sektorët kryesorë të ekonomisë për shkak të rolit që ka në përcaktimin e kostos së aktivitetit të sipërmarrjes, efiçencës së ndërmarrjeve dhe shërbimeve publike dhe në përgjithësi kostos dhe cilësisë së jetës së konsumatorëve. Hetimi në këtë treg vjen në një kohë që çmimet e naftës në tregun vendës dhe në atë ndërkombëtar kanë kapur majat. Nafta në bursat ndërkombëtare prej ditësh vazhdon që t'i afrohet nivelit prej 100 dollarë për fuçi. Grosistët të pyetur gjatë ditës së djeshme për këtë vendim të Konkurrencës bëjnë të ditur se çmimi i hidrokarbureve në treg është i lirë dhe operatorët në këtë sektor veprojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri. Sipas Kryetarit të Shoqatës së Hidrokarbureve,Viktor Nushi, çmimi i naftës në tregun vendës ka pasur një rritje të moderuar, pavarësisht ecurisë në tregjet ndërkombëtare të këtij produkti. Një konjukturë e tillë e çmimeve në tregun vendës sipas Nushit ka ardhur për shkak të kursit të favorshëm të dollarit kundrejt lekut.



+++

Tenderi, çmimi mesatar i energjisë 83.34 euro/MWh

Zhvillohet tenderi 222 milionë euro për blerje energji, 8 kompani paraqesin ofertat

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme tenderin e hapur ndërkombëtar për blerjen e energjisë elektrike për periudhën 1 Dhjetor 2007-31 Dhjetor 2008. Në hapjen e ofertave u paraqitën 8 Kompani GEN-I Serbi, GEN-I Slloveni, ATEL, Zvicër, EGL, Zvicër, EFT, Zvicër RET, Ceki, Rudnap, Serbi, GSA, Shqipëri e cila paraqiti dy oferta nga dy burime te ndryshme. KESH bën të ditur se brenda katër ditëve pritet që komisioni i tenderimit të përfundojë procesin e klasifikimit të ofertave. Çmimi mesatar i ofruar nga kompanitë llogaritet 83.34 euro për MWh. Nga çmimet e ofruara nga 8 kompanitë që morën pjesë në këtë tender rezulton se çmimi më i ulët i ofruar është 63.50 euro nga kompania GSA, Shqipëri për lotin III me një kapacitet prej 20 mega. Ndërsa çmimi më i lartë i ofruar është nga kompania RET, Ceki me 94.47 euro për një kapacitet prej 10 mega për lotin e dytë. KESH kishte parashikuar që ditë më parë për një rritje të çmimeve në tregun rajonal të energjisë. Edhe në tenderët e zhvilluar në vende të tjera të rajonit si Kosovë, Mali i Zi, etj., ka pasur çmime të larta të blerjes së energjisë.

+++

Kufizimet, protesta në Cërrik

Banorët e Cërrikut kanë filluar protestat për mungesën e energjisë në këtë qytet që shkojnë 16-20 orë në ditë. Qytetarët akuzojnë qeverinë dhe KESH-in për situatën dhe bëjnë të ditur se nuk e meritojnë një abuzim të tillë në një kohë që energjia në këtë qytet paguhet në masën 90 për qind. Protestuesit kanë paralajmëruar se në ditët në vijim do të bllokojnë rrugën Elbasan-Cërrik, nëse situata në furnizimin me energji nuk ndryshon. Sipas protestuesve kufizimet e mëdha në energjinë elektrike në këtë zonë kanë sjellë dëme të mëdha financiare në bizneset e mëdha dhe të vogla që operojnë në këtë qytet. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors