Aishe Pojani dyshohet se fsheh të implikuar të tjerë në vrasjen e të shoqit, Hasan Pojani
TIRANË- E akuzuara për vrasjen e bashkëshortit dhe varrosjen e tij në oborrin e shtëpisë, Aishe Pojani, ka pranuar dje autorësinë dhe i ka kërkuar gjykatës të përfitojë nga procedura e gjykimit të shkurtuar.
Paraditen e djeshme, Gjykata e Tiranës filloi procesin gjyqësor kundër Pojanit nga fshati Baldushk, në periferi të kryeqytetit. Vetë e pandehura ka shprehur pendesë për krimin e kryer, por gjykata i ka refuzuar gjykimin e shkurtuar, duke i hequr të drejtën e përfitimit nga 1/3 e dënimit. Refuzimi i kësaj kërkese ka qenë dyshimi se në këtë vrasje mund të jenë implikuar persona të tjerë, por që e pandehura i fsheh. Kështu, pas refuzimit të gjykimit të shkurtuar, togat e zeza kërkuan nga prokurori i çështjes të lexojë kërkesën për gjykim, ku ritregoi të gjithë ngjarjen e një viti më parë, kur e pandehura Aishe Pojani e ka kryer krimin me dashje, pas keqtrajtimit dhe rrahjes që pësonte nga i shoqi sa herë që ky i fundit vinte i dehur në shtëpi.
"E pandehuria Aishe Pojani mbrëmjen e datës 11 mars të vitit 2006 e ka goditur bashkëshortin e saj, Hasanin, me një dru pas koke e më pas e ka varrosur rreth 500 metra larg shtëpisë me ndihmën e vajzave të saj"-thuhet në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokuroria e kryeqytetit. Mësohet se dyshimet për zhdukjen e Hasan Pojanit, fillimisht gruaja kishte ngritur alibinë se burri ishte nisur për në Greqi, pasi me ekonominë e rrënuar nuk mund të përballonin jetën. Kjo familje jetonte në një banesë të vjetër 2 katëshe, bashkë me tre fëmijë të vegjël, pasi tre të tjerë ishin martuar. Gjendja e mjerueshme ekonomike kishte bërë që në familje të lindin probleme të ndryshme, që kishin degjeneruar deri në keqtrajtim të gruas 45-vjeçare. Sipas saj, mbrëmjen e 11 marsit të vitit 2006, pas një zënke që kishte pasur me bashkëshortin, ajo e ka goditur në kokë me një dru, ku nga goditja e fortë i ka sjellë vdekjen burrit të saj dhe më pas e ka varrosur pranë shtëpisë. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment