Shqipëria importon 500 milionë $ ushqime çdo vit


Shqipëri-Kosovë, sesion shkencor blegtoral për racat autoktone dhe prodhimet vendase: duhen tregje ndërkufitare

Gjana: Fermerët mbështeten vetëm me 5 milionë USD, ndërkohë që kërkesa është për 100 milionë USD

Kukës-Import i madh ushqimesh nga jashtë dhe mbështetje fare minimale për fermerët brenda vendit. Megjithë prodhimet bio, cilësore, Shqipëria importon çdo vit 500 milionë dollarë ushqime nga jashtë.

Ky fakt është bërë publik nga ministri i Bujqësisë Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, gjatë simpoziumit shkencor të mbajtur në Kukës, "Situata aktuale dhe perspektiva e zhvillimit të racave autoktone të bagëtive të imta në Shqipërinë Verilindore dhe në Kosovë". Sipas Gjanës, megjithë kthimin e vëmendjes ndaj sektorit të bujqësisë, që pas viteve '90, ishte abandonuar krejtësisht, ende mbetet shumë për të bërë. "Shqipëria importon ushqime me një vlerë prej 500 milionë USD në vit, megjithatë raportet janë ulur nga 1:12 në 1:7, gjithnjë në favor të importeve",- theksoi zyrtari më i lartë i bujqësisë në Shqipëri.

Fermerët, sa pak mbështetje

Sipas kreut të dikasterit të bujqësisë, Shqipëria përsa i përket bujqësisë është e prirur të zhvillojë sektorin e frutikulturës, vreshtarisë dhe blegtorisë. "Aktualisht fermerët në Shqipëri mbështeten vetëm me 5 milionë USD donacione, ndërkohë që kërkesa e tyre është për rreth 100 milionë USD",- tha ai, duke lënë të kuptohet mbështetja fare minimale që i bëhet fermerëve, e për pasojë edhe prodhimit vendas. Sipas Gjanës, kjo ka ardhur si pasojë e orientimit të buxhetit të shtetit shqiptar në drejtim të infrastrukturës, veçanërisht asaj rrugore. "Nga 800 milionë Euro që është buxheti i shtetit shqiptar, rreth 80 për qind e tij shkon për infrastrukturën në Shqipëri",- tha ai, duke premtuar mbështetje për bujqësinë dhe fermerët. Rritja e çmimit të grurit dhe sfida e problemeve me drithërat e bukës, sipas Gjanës, nuk duhet të na trembë dhe të na çorientojë në objektivat e caktuara. Sipas tij, ligji i ri për bujqësinë që do të shkojë së shpejti në parlamentin shqiptar do të jetë një mekanizëm i fuqishëm që do t'i detyrojë politikëbërësit për t'uorientuar drejt bujqësisë. Ministri i Bujqësisë ka kërkuar që të realizohen projekte të përbashkëta për donatorët për të mbështetur racat autoktone në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Kosova siguron 70% të nevojave ushqimore

Me dëme të shumta nga lufta, por e ripërtërirë falë donacioneve. Kështu është shprehur në fjalën e tij,zv/ministri i Bujqësisë Pylltarisë e Zhvillimit Rural të Kosovës, Tomë Hajdaraj. Sipas tij, për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë në Kosovë më shumë kujdes i është kushtuar legjislacionit, ku në sferën agrare është arritur që të implementohen disa projekte. "Në ligjin bazë për blegtorinë i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë ruajtjes së racave autoktone si Delja Bardhokë dhe Qeni i Sharrit që janë të mbrojtura me ligj, me porosi edhe të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova",- tha ai. Titullari i bujqësisë së Kosovës, duke iu referuar ekspertëve deklaroi se Kosova siguron rreth 70 për qind të nevojave për ushqim, ndërkohë që ka garantuar se në sajë të një bashkëpunimi më të mirë në fushën e bujqësisë në mes të Kosovës e Shqipërisë do të sigurohej një kontenier i gjelbër për një periudhë 7- mujore për Kosovën e Shqipërinë.

Më të mirat e Kosovës

Zyrtarët kosovarë kanë pranuar se qeveria e Kosovës nuk ka mundur të mbështesë fermerët e Kosovës, ndërkohë që praktikat fiskale kanë qenë të disiplinuara. Por prej saj vazhdojnë të dalin prodhime me emër. Zv/ministri i Bujqësisë së Kosovës ka veçuar sukseset në drejtim të kapaciteteve përpunuese të prodhimeve bujqësore, ku ka theksuar se djathi i Sharrit do të mbrohet ndërkombëtarisht dhe do të konkurrojëme logon e tij në Evropë. Përsa i përket sigurisë ushqimore, sipas tij, Kosova ka përfituar nga një projekt për një bazë laboratorike moderne, projekt i cili do të përfundojë në nëntor. Ndërkohë që pas përcaktimit të statusit të Kosovës do të krijohet fondi për bujqësi dhe banka agrare.

Tregje ndërkufitare

Për një treg të bashkuar me prodhime bio

Tregje ndërkufitare për të dhënë më të mirën e prodhimeve shqiptare. Në këtë përfundim është arritur në fund të takimit të zhvilluar mes palëve. Sipas Hajdarajt, këto tregje duhet të bëhen në kuadër të menaxhimit të integruar të kufijve. Ndërkohë sekretari permanent i Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës, Qazim Kokalaj, i ka mëshuar idesë së krijimit të një tregu të bashkuar shqiptar. "Vetëm të bashkuar me një treg bujqësor mund të konkurrojmë në Evropë me prodhime bio, aq të kërkuara",- theksoi Kokalaj. Në këtë simpozium referuan tema të ndryshme nga specialistë dhe pedagogë të njohur të fushës së veterinarisë.

Takimi

Në simpoziumin e Kukësit, është zhvilluar edhe panairi i racave autoktone nga treva verilindore e Shqipërisë dhe nga Kosova, ku janë ekspozuar bagëti të imta nga këto treva si dhe prodhimet blegtorale të këtyre trevave. Në këtë simpozium dhe në panairin e zhvilluar me këtë rast kanë marrë pjesë specialistë të bujqësisë e blegtorisë nga Shqipëria e Kosova, pedagogë të fakulteteve të veterinarisë nga të dy vendet si dhe mbarështues të blegtorisë nga rrethet e Shkodrës, Lezhës, Matit, Dibrës, Tropojës, Hasit, Kukësit, Lezhës e Mirditës. Ndërkohë që nga Kosova janë paraqitur në panair blegtorë nga Rrafshi i Dukagjinit dhe nga zona e Opojës. Ndërkohë nga zyrtarët kosovarë në takim, ishte zv/ministri i Bujqësisë Pylltarisë e Zhvillimit Rural të Kosovës, Tomë Hajdari, dhe sekretari permanent i kësaj ministrie, Qazim Kokalaj. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors