Kryetari i degës së Tatimeve në Elbasan: Çmimet e produkteve bazë u rritën 10% deri në 15%
Kreu i Tatimeve gjithashtu deklaroi se nga grosistët tek biznesi i vogël, çmimet rriten 30 deri në 40%, dhe këta të fundit nuk duhet të abuzojnë më tepër me klientët e tyre. Rritja e çmimeve ka pasur tek të gjithë jo vetëm një ndikim tek paga, por edhe një efekt psikologjik.
ELBASAN-Ushqimet bazë, nënproduktet ushqimore dhe fruta-perimet kanë qenë edhe shqetësimi kryesor i qytetarëve elbasanas për rreth dy muaj, kur edhe është ndjerë ndryshimi i parë me rritjen e çmimit të bukës. Por, realisht sa janë rritur çmimet në Elbasan? Kryetari i degës së Tatimeve në Elbasan, Skënder Daja deklaron se ka një rritje rreth 10 deri në 15% në produktet bazë, por përkundër tyre ka pasur një ulje në veshmbathje, pajisje elektro-shtëpiake dhe aksesorë, duke përfshirë gjithashtu të gjitha mallrat që vijnë nga Kina.
“Dua të theksoj se rritja e çmimeve e konstatuar në Elbasan nuk është artificiale dhe e krijuar nga vetë tregtarët. Mund të them se rritja e çmimit të miellit p.sh., ka ardhur nga kuotimi në bursën ndërkombëtare. Po kështu ndikim sipas pronarëve të prodhimeve të bukës ndikim kanë pasur edhe furrat private të palicencuara. Në Elbasan produkti bazë është rritur në masën 10%. Po kështu mund t’ju them se luhatjet e çmimeve të fruta-perimeve ka ardhur nga zhvillimet e stinës për tregun vendas, pasi gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë import në këtë drejtim. Edhe ndryshimet e motit nuk janë një arsye artificiale nga tregtarët. Po kështu mund t’ju them se edhe vaji varet nga tregu ndërkombëtar, pasi ai këtu vetëm ambalazhohet dhe përpunohet”,- ka bërë të ditur Daja. Ndërkohë lidhur me testimet apo kontrollet e zhvilluara nga dega e Tatimeve, Skënder Daja sqaroi se janë bërë tre matje çmimesh; në korrik, në gusht dhe në shtator, periudhë kur edhe është reflektuar rritja. Po kështu ai konfirmon se testimi i ri do të bëhet në javën e parafundit të nëntorit, kur edhe do të shikohet realisht sa kanë qëndruar rritjet e çmimeve pasi fillimit të importit. Dega e Tatimeve do të ndjekë listën e çmimeve të INSTAT dhe do t’i detyrojë të gjitha subjektet të afishojnë çmimet reale. Ato do të tatohen në bazë të këtyre çmimeve, kështu që janë të detyruar t’i mbajnë në nivelet e pranueshme. Kreu i tatimeve gjithashtu deklaroi se, nga grosistët tek biznesi i vogël, çmimet rriten 30 deri në 40%, dhe këta të fundit nuk duhet të abuzojnë më tepër me klientët e tyre. Rritja e çmimeve ka pasur tek të gjithë jo vetëm një ndikim tek paga, por edhe një efekt psikologjik. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment