Zv/drejtori i FMN kërkon nga qeveria shqiptare një plan të detajuar për ta nxjerrë kompaninë nga kolapsi
Situata e vështirë financiare në të cilën gjendet KESH, e shoqëruar me një krizë të thellë energjetike në të cilën është futur vendi, mbeten edhe shqetësimet kryesore të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Gjatë një takimi që ka pasur me delegacionin shqiptar të kryesuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, zëvendës drejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Murilo Portugal, ka kërkuar nga ana e qeverisë shqiptare një plan konkret për ta nxjerrë KESH-in nga kriza.
Nga ana e tij, ministri i Financave e njohu Portugal me situatën, duke theksuar se gjithçka po ecën sipas programit të nënshkruar me FMN-në duke garantuar realizimin e objektivave deri në fund të vitit. Ministri informoi zyrtarin e FMN-së se është përgatitur buxheti 2008, i cili do të përqendrohet në investime të mëdha në infrastrukturë dhe fushat e tjera prioritare. "Buxheti nuk ka ndonjë risk. Ne kemi programuar kontigjenca të mjaftueshme për të parashikuar çdo situatë, qoftë edhe për rastin e ndonjë krize të përsëritur në energjetikë. Por shpresojmë se me ecurinë që ka pasur këto muaj KESH-i në realizimin e treguesve, të mos lindë nevoja për përdorimin e kontigjencave për KESH-in",- tha ministri Bode. Ndërkohë, duke folur për inflacionin, kryesuesit e delegacionit shqiptar, Bode dhe Fullani theksuan se janë ndërmarrë disa masa për ta mbajtur situatën nën kontroll, megjithëse inflacioni është importuar nga jashtë. Të njëjtin mendim ka ndarë edhe Portugal, i cili ka vlerësuar masat e ndërmarra për kontrollin ndaj inflacionit, ndërsa ka kërkuar që me gjithë përmirësimet e dukshme të treguesve të kalohet në një plan konkret për KESH-in, për të shmangur situatat problematike në të ardhmen.
***
Për të përballuar situatën e vështirë energjetike në të cilën ndodhet vendi, KESH duhet të shtojë borxhet për muajt e mbetur të këtij viti. Kriza energjetike ka kaluar të gjitha parashikimet, ndërsa qeveria duhet që të akordojë rreth 80 milionë dollarë shtesë, për blerje energjie për 4 muajt e fundit të vitit. Për vitin 2007, KESH kishte llogaritur që të blinte 1,800 milionë kWh, por kjo energji është konsumuar deri në muajin gusht të këtij viti. Për 4 muajt e mbetur të vitit 2007 qeveria ka miratuar dje një kuotë shtesë për blerje energjie, që shkon në 934 milionë kWh. Për të blerë këtë energji, KESH do të duhet që të marrë borxh një shumë prej rreth 80 milionë dollarësh. Çmimi mesatar me të cilën do të blihet kjo energji është 9 lekë/kWh. Shqetësimi i FMN-së vjen pikërisht për faktin se shuma të tilla subvencioni, kanë bërë që energjia të kthehet në një problem buxhetor. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment