Nga data 8 tetor deri në datën 10, për shkak të një remonti, pritet shtim i orëve të kufizimeve
Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) me anë të një njoftimi ka bërë të ditur se, ditën e hënë, më datë 08.10.2007 ora 07.00 dhe deri në datën 10.10.2007 ora 17.00, në linjën e Interkonjeksionit 220 KV, Shqipëri-Mali i Zi, do të kryhet remont. Punimet që do të kryhen në linjën 220 KV, Vau Dejës-Podgorice (Mali i Zi), sipas OST do të nxjerrin jashtë sistemit energjetik këtë linjë. Me daljen jashtë pune të këtij interkonjeksioni, sistemi elektroenergjetik do të përballet me ulje të sigurisë së punës dhe nivelit të tensionit.
Përballimi i kësaj situate, sipas OST bën të domosdoshme aplikimin e kufizime të energjisë për konsumatorët, kryesisht në orët e pikut, ku dhe ngarkesa në rrjet është më e madhe. Për këtë arsye, në ditët e remontit, sistemi energjetik shqiptar do të pësojë ulje të kapacitetit importues nga 10-15%. Operatori i Sistemit të Transmetimit njofton se punimet në këtë linjë janë programuar një vit më parë. Kalimi i linjës 220 KV, Vau Dejës-Podgoricë (Mali i Zi), bëhet për ruajtjen dhe rritjen e sigurisë së punës në rrjetin transmetues gjatë periudhës së dimrit 2007-2008.
***
Por edhe përmirësimet e kësaj linje nuk pritet që të sjellin asgjë të re në furnizimin e vendit me energji. Sipas specialistëve të kësaj fushe sasia e energjisë që kërkohet në dimër nga ana e konsumatorëve, shkon në dyfishin e asaj që KESH mund të hedhë aktualisht në rrjet. Situata mbetet tepër e vështirë, në një kohë që rënia e nivelit të Fierzës është me rreth 30 centimetër në ditë. Burime nga KESH bëjnë të ditur se Korporata parashikon që të ulë prodhimin e energjisë, gjatë javëve në vazhdim. Nga ana tjetër edhe muaji tetor parashikohet nga ana e sinoptikanëve si një muaj i thatë, të paktën për mundësinë e rritjes së nivelit të prurjeve në HEC-e. Me të dhënat e ditës së djeshme të prodhimit në HEC-e dhe të nivelit të ujit, hidrocentralet në fund të këtij muaji do të jenë në pikën e vdekjes, nëse vazhdojnë me nivelin aktual të prodhimit. Ulja e prodhimit të energjisë në vend deri në 3 milionë kWh në ditë mbetet zgjidhja më e mirë, pasi zgjatet edhe disa javë mbyllja e HEC-ve. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment