Prokuroria tërheq akuzën e vjedhjes për 4 zyrtarët

Organi i akuzës ka tërhequr akuzën e vjedhjes me shpërdorim detyre dhe ka paraqitur provat e dosjes

FIER- Prokuroria e Fierit tërheq akuzën kryesore për katër ish- zyrtarët e lartë të “Albpetrol” të rrezuar tre ditë më parë. Gjatë seancës së verifikimit të masës së sigurisë prokuroria ka tërhequr akuzën e vjedhjes me anë të shpërdorimit të detyrës duke lënë vetëm shpërdorim detyre për Fatos Nikan, ish- drejtori i Përgjithshëm i Albetrol, Ilmi Deraj, ish- shefi i Departamentit të Programin Zhvillimit në Albetrol, Agim Asllanaj, ish- drejtori i Nafta Impeks dhe Llambi Bucka, ish- drejtori i ndërmarrjes së Rërës Bituminoze. Prokurorja Alma Kola ka pohuar dje në gjykatë se katër të pandehurit kanë shtruar rrugën me gjatësi 600 metra pa e parashikuar atë në investimet e vitit si dhe pa marrë leje ndërtimi nga bashkia. Nga ana e tyre avokatët mbrojtës kanë pranuar rrëzimin e njërës akuzë dhe kanë kërkuar një masë më të ulët sigurie por sërish gjykata ka vendosur burg pa afat.

Prokurorja Alma Kola pohoi në gjykatë se për këta shtetas ka filluar procedimi penal numër 330 të vitit 2007 ku nga terësia e akteve të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal rezulton se për këta shtetas ka prova që krijojnë bazën ligjore të të dhënave sekanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Sipas saj, vepra penale është kryer gjatë rikonstruksionit të rrugës “Unaza e SAFMT” deri në shkollën e fshati Grizë, me një gjatësi prej 600 metra e me vlerë prej 2.035.800 lekësh. “Nga hetimet është konstatuar se kjo rrugë është bërë jashtë programit të investimeve të vitit 2005, në një kohë kur projekti dhe investimi është bërë gjatë muajit të parë të vitit 2005 gjë që hedh dyshime se fondet janë lëvruar në kundërshtim me ligjin. Në asnjë rast nuk evidentohet arsyeja e urgjencës së këtij investimi dhe në këtë mënyrë del që kjo drejtori i ka pasur të gjitha mundësitë që të parashikonte në programin e investimeve të vitit 2005 rikonstruksionin e rrugës”,- tha dje prokurorja e çështjes. Sipas saj, për këtë çështje duhej marrë edhe leja e ndërtimit në bashki pasi rruga është kompetencë e këtij institucioni. Në materialet e organit të akuzës pohohet se nuk është hartuar një projekt apo skicë e rrugës sidomos për përcaktimin e zonave që do të asfaltohen.

“Të gjitha shkeljet teknike të bëra në ndjekjen e procedurave të çeljes së këtyre fondeve në procedurat e zbatimit dhe ndjekjes së kontratës janë në kundërshtim me ligjin dhe pasoja ekonomike ku personat e lartpërmendur kanë vepruar në kundërshtim me ligjin duke dëmtuar interesat e shtetit”,- tha Alma Kola. Nga ana e tyre, avokatët e të pandehurve janë shprehur se në kushtet ku akuza ka rrëzuar veprën penale të vjedhjes dhe tashmë klientët e tyre akuzohen si të dyshuar për shpërdorim detyre nuk ka asnjë arsye për tu zbatuar masa e arrestit në burg por një masë tjetër më e butë. Sipas tyre, vlerësimi i masës së sigurisë është bërë jashtë çdo ligji pa praninë e të gjykuarve dhe të avokateve ndërsa dy prej tyre, Fatos Nika dhe Llambi Bucka, janë të sëmurë dhe me raport mjekësor. Ata vuajnë nga diabeti dhe probleme të zemrës. Në fjalën e saj të fundit akuza përsëriti edhe një herë se rruga nuk duhej shtruar e gjitha, sepse një pjesë e saj është në juridiksionin e baskisë. Pasi dëgjoi të dyja palët, gjykata vendosi sërish të lërë në masën e sigurisë arrest me burg pa afat të katër të arrestuarit. (shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors