Berisha: Pronarët që kanë blerë vila në fshatrat turistikë do paguajnë truallin me çmimin e tregut
Një projekt i tillë është prezantuar gjatë ditës së djeshme nga ana e Kryeministrit Berisha, i cili ka deklaruar se të gjithë ata që kanë blerë vila në këto zona nuk kanë paguar asnjë lek për truallin dhe kanë paguar vetëm muret e shtëpisë
Pronarët e vilave në bregdet që zotërojnë këto objekte me qira 99 vjeçare në territorin e fshatrave turistikë do të blejnë trojet me vlerën e tregut. Këto fonde do të përdoren nga qeveria për të kompensuar ish-pronarët. Një projekt i tillë është prezantuar gjatë ditës së djeshme nga ana e Kryeministrit Berisha, i cili ka deklaruar se të gjithë ata që kanë blerë vila në këto zona nuk kanë paguar asnjë lek për truallin dhe kanë paguar vetëm muret e shtëpisë.“Fshatrat turistikë janë blerë në kundërshtim me ligjin dhe kompanitë i kanë shitur në kundërshtim me ligjin. Nuk ekziston fshat turistik në kuptimin e destinacionit të tij ligjor. Të gjitha janë shndërruar në prona të palegalizuara dhe të pahipotekuara, prandaj kjo praktikë nuk do të ekzistojë më në Shqipëri”, tha Berisha. Fatmirësisht, harta e çmimeve është bërë evidente kudo, sepse në këtë mënyrë ecet me logjikën që të varfrit bëhen gjithnjë e më të varfër dhe të pasurit gjithnjë e më të mëkëmbur, dhe ky nuk është morali i kohezionit shoqëror. Kryeministri Berisha deklaroi dje në mbledhjen e KRRTRSH-së se do t`i jepet fund praktikës së ndërtimit të fshatrave turistikë, të cilët devijojnë nga destinacioni i tyre. “Koncepti i fshatit turistik është zero dhe nuk do të mund të ndërtohen më fshatra turistikë, të cilat pronari ose zhvilluesi t`i përdorë siç i ka përdorur deri më sot. Kjo praktikë merr fund. Fshatrat turistikë janë dështim i madh i vendit dhe kur një model dështon duhet të përpiqesh të shpëtosh sa më parë prej tij, përndryshe pasojat bëhen gjithnjë e më të rënda”, u shpreh Berisha.
Një pjesë e tyre, tha Berisha, janë toka pronarësh dhe të gjitha këto duhet të marrin zgjidhje me shpejtësi në procesin e reformës së pronës. “Duhet një transformim rrënjësor i këtij koncepti. Ajo praktikë arkivohet si praktika e madhe e dështimit 15 vjeçar të fshatrave turistikë. Duhet të bëhet një amendim ligjor që t`u japë zgjidhje përfundimtare çështjeve të pronësisë,çështjeve kontraktuale dhe detyrimeve të atyre që kanë blerë shtëpitë, por që nuk kanë blerë tokën”, deklaroi Berisha.
“Është shumë e vështirë të zgjidhet çështja mes firmave ndërtuese dhe atyre që kanë blerë banesa në këto fshatra, sepse ka prej atyre firmave që janë edhe fantazmë që janë zhdukur, ndaj dhe ndërhyrja duhet të jetë e atillë që të vendosë në themel kontrata përfundimtare”. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment