Policia ka prangosur Lekë Frrokun, akuzuar për 3 vrasje, tashmë të dokumentuara. Dyshohet edhe për krime të tjera
Policia: Janë identifikuar edhe 3 pjesëtarët e tjerë të bandës. Autorësia, pas shenjave të gishtave në vendin e ngjarjes
Kurbin-Policia e Kurbinit ka arrestuar shumë të kërkuarin Lekë Frroku, që akuzohet për tre vrasje të dokumentuara tashmë, si dhe një sërë vrasjesh të tjera, grabitjesh me maska, në aksin rrugor Fushë Krujë-Milot, që dyshohet të jenë vepër e tij. Paralelisht me prangosjen e Frrokut, policia ka shpallur në kërkim tre bashkëpunëtorët e tij, duke i dhënë fund enigmës së bandës më të organizuar në rrethin e Kurbinit, që vepronte në fshehtësi në Mamurras. Operacioni është zhvilluar në fshehtësi të plotë, drejtuar nga shefi i krimeve të Kurbinit, ndërsa specialet e ardhura nga Shkodra nuk kanë vepruar, për të ruajtur sekretin e ndërhyrjes.
Operacioni
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit, operacioni për zbulimin e vrasjeve të ndodhura nga viti 1995-1999, nga banda e Mamurrasit kishte vite që kishte nisur me mbushjen e dosjeve dhe dëshmive përkatëse. Por vetëm para katër ditësh, policia e këtij rrethi ka marrë “OK” nga ana e prokurorisë së rrethit, për arrestimin e “trurit” të bandës së Mamurrasit. «Rrethimi i Lekë Frroku është realizuar mbrëmjen e së premtes, ndërsa prangosja në orët e para të mëngjesit»- thonë burimet policore. Forcat e përfshira në aksion kanë hyrë në banesën e Lekë Frrokut në fshatin Fushë-Mamurras, duke i vënë prangat.
Provat dhe krimet
Krimet e kryera nga banda e Mamurrasit, kishin kohë që ishin pjesë e hetimeve të policisë, por kanë qenë provat shkencore të shenjave të gishtërinjve dhe armëve të krimit, që kanë vërtetuar deri tani tre vrasje të kryera prej tij. Së pari, mbi të rëndon akuza për vjedhjen me armë, me pasojë vdekjen e shtetasit kosovar, Bajram Gjelaj, me banim në Isok të Kosovës, ndodhur në vitin 1995. Viktima, sipas policisë, udhëtonte nga Durrësi në Kosovë, kur banda i kishte zënë pritë në afërsi të Mamurrasit dhe pasi e kanë grabitur e kanë vrarë. Kjo bandë akuzohet për grabitjen e Hatixhe Osmanit, me banim në Pejë të Kosovës, ndodhur në vitin 1999. Viktima udhëtonte në një makinë me bashkëshortin e saj, i cili ka mbetur i plagosur. Po në vitin 1999,banda akuzohet të ketë vrarë shtetasin, Shyqyri Brahja, nga Miloti i Kurbinit. Brahja, sipas policisë, po punonte me eskavator në autostradën Fushë-Krujë-Lezhë dhe dyshohet se ai ka parë një krim të kryer nga banda e cila më pas e ka zhdukur për të mos lënë dëshmitarë. “Të tre këto vrasje janë të dokumentuara”,- thotë policia, duke shtuar se aktiviteti i kësaj bande është akoma më i madh, pasi ajo dyshohet të ketëkryer grabitje dhe vrasje të tjera në këtë aks rrugor. Pas krimeve, anëtarët qëndronin në Tiranë dhe Lezhë për të humbur gjurmët. “Policia po punon për gjetjen dhe arrestimin edhe të tre pjesëtarëve të tjerë të bandës, tashmë të identifikuar”,- thanë burimet policore.
Ku jetonte Lekë Frroku,
Sipas policisë, Lekë Frroku, 36-vjeç, kishte jetuar më parë në Sanxhak të Kurbinit dhe ishte i papunë. Pas grabitjeve të para ka bërë të mundur edhe blerjen e një sipërfaqetoke në Fushë Mamurras dhe ndërtimin e një shtëpie. Ndërkohë që rrallë herë dilte në Laç edhe nga frika se familja e Shyqyri Brahjes do hakmerrej. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment