Ligji për procedurat tatimore, kontabilistët paraqesin kërkesat e tyre për ndryshime në projekt
Dhoma Kombëtare e Avokatëve dhe Specialistët Kontabël, paraqitën gjatë ditës së djeshme përpara Ministrisë së Financave dhe USAID, kërkesat për disa ndryshime në projektligjin e ri të Procedurave Tatimore, që pritet të hyjnë në fuqi në 1 janar 2008.
Në këtë takim merrte pjesë edhe zv/ministri i Financave, Florjon Mima. Kërkesat e bëra nga ana e kontabilistëve dhe avokatëve vijnë pas sugjerimeve të shumta të sipërmarrjes gjatë këtyre ditëve, për ndryshime rrënjësore në këtë projektligj. Disa nga ndryshimet thelbësore, që janë kërkuar nga ana e sipërmarrjes, janë heqja e të drejtës ekskluzive të tatimorëve për të realizuar vlerësime me metoda alternative për biznesin dhe kthimi i kësaj metode shumë të kontestuar në praktikë pune.
Specialisti Kontabël, Sherif Bundo, e cilësoi projektligjin e ri në harmoni edhe me ato të vendeve të tjera të BE-së, duke kaluar nga një ligj që përcakton parimet bazë të organizimit dhe funksionimit të sistemit tatimor, në një ligj që rregullon procedurat dhe administrimin tatimor. Por, sipas tij, duhet që të kërkohet mbajtja e një minimumi bilanci kontabël. Ndërsa, duke iu referuar procedurave tatimore dhe përgjegjësisë së tatimpaguesve, Bundo shtoi se duhet të bëhet një ndarje e saktë mes financave të biznesit dhe financave personale. Përfaqësuesit e Shoqatave të Kontabilistëve bënë sugjerimet e tyre gjatë këtij takimi, duke kërkuar që disa nene të këtij projektligji të përshtaten me praktikat më të mira ndërkombëtare. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment