Fier, inspektori Bernard Kerma e agjenti, Vehit Hasimetaj janë arrestuar nga SHKB-ja sepse iu iku i arrestuari
FIER- Dy efektivë të policisë që kanë lënë pas dore një të arrestuar për shpërndarje droge që është arratisur nga qelia janë arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga policia e Fierit. Inspektori Bernard Kerma dhe agjenti i drogës, Vehit Hasimetaj kanë zënë vendin e të arrestuarit në qelinë e tij dhe tashmë duhet të përballen me prokurorinë ushtarake për neglizhencë në detyrë. Ndërkohë i arrestuari me mbiemrin Cakrani ka dalë i qetë nga qelia e tij dhe tashmë është shpallur sërish person në kërkim.
I shoqëruari
Pasditen e së martës policia e antidrogës së Fierit ka arrestuar një person të akuzuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Në momentin e arrestimit, 20- vjeçari Eugrit Cakrani është kapur me 4.6 gramë heroinë të pastër, të cilën e kishte ndarë me doza të vogla. Droga ishte fshehur në makinën e tij tip Benz me targa të Beratit dhe menjëherë i riu është shoqëruar në komisariat. Ai është vendosur në ambientet e paraburgimit dhe në orët e darkës është thirrur për tu marrë në pyetje nga inspektori Bernard Kerma dhe agjenti i drogës, Vehit Hasimetaj. Në momentin që dy punonjësit e policisë po merrin në pyetje 20- vjeçarin nga Berati, në komisariat kanë hyrë edhe disa të rinj, të cilët ishin shoqëruar për verifikim. Ata kanë mbushur të gjithë korridoret e policisë duke qëndruar në radhë për tu marrë në pyetje nga ana e inspektorëve.
Arratia
Në një moment dy efektivët e policisë kanë përfunduar procedurën e marrjes në pyetje të 20- vjeçarit beratas Eugrit Cakrani dhe i kanë kërkuar atij që të rrinte në cep të zyrës. Ndërkohë në zyrë kanë hyrë të rinjtë e shoqëruar pak minuta më parë. Ata kanë dhënë gjeneralitetet dhe pasi u janë marrë gjurmët e gishtërinjve inspektorët kanë urdhëruar që të liheshin të lirë. Pikërisht këtë moment ka shfrytëzuar edhe 20- vjeçari nga Berati. Ai është përzier "me turmën" e të rinjve që po dilnin nga komisariati i policisë. Pa u shqetësuar nga askush, i arrestuari me 4.6 gramë heroinë ka dalë në rrugë e më pas është larguar së bashku me të rinjtë e tjerë të shoqëruar për verifikim. Ai ka përfituar nga shansi i dytë që i është dhënë prej policëve dhe është zhdukur pa lënë gjurmë.
Arrestimi
Fillimisht askush nuk ka vënë re mungesën e të arrestuarit me 4.6 gramë heroinë por kur në komisariat ka rënë qetësia inspektori Bernard Kerma dhe agjenti i drogës, Vehit Hasimetaj, kanë kërkuar që të flasin sërish me të. Në këtë moment, ata dhe shefat e tyre kanë vënë re se 20- vjeçari ishte zhdukur. Menjëherë është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i policisë së Fierit, i cili ka kryer verifikimet e para. Gjatë të gjithë natës është hetuar në lidhje me arratisjen e të arrestuarit dhe në orët e para të mëngjesit është konkluduar se faji ishte i dy policëve që po e merrnin në pyetje. Inspektori Bernard Kerma dhe agjenti i drogës, Vehit Hasimetaj janë arrestuar me urdhër të SHKB-së dhe materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Ushtarake. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment