FMN: Realizim i ulët i investimeve

Investimet shtetërore mbeten të ngadalta, pavarësisht një përshpejtimi të arritur në krahasim me vitin e kaluar. Kjo është deklarata e bërë dje nga ana e Misionit të FMN-së, të kryesuar nga Gerwin Bell, që ka realizuar gjatë ditëve të fundit një vizitë në vend. "Pavarësisht nga një përshpejtim i arritur në krahasim me vitin e kaluar, implementimi i shpenzimeve kapitale mbetet gjithsesi i ngadaltë, duke penguar kështu një zbatim efikas të buxhetit dhe duke ndërlikuar menaxhimin e likuiditeteve",- ka bërë të ditur Bell.

Mosrealizimi i investimeve është një fenomen periodik i qeverisë, madje në fundin e vitit të kaluar qeveria ndryshoi edhe një ligj, që ndalonte kalimin pa limit të fondeve për investimet e parealizuara. Në këtë mënyrë, të gjitha investimet e parealizuara u kanalizuan në projekte disavjeçare, duke u munduar që të eklipsojnë paaftësinë e shumë dikastereve për realizimin e buxhetit të miratuar në drejtim të tyre.

Sipas të dhënave të vetë Ministrisë së Financave, investimet gjatë pjesës së parë të këtij viti janë realizuar vetëm 43.74%, duke treguar edhe njëherë paaftësinë e ministrive për të zbatuar projektet. Në të gjitha ministritë janë konstatuar mosrealizime të mëdha, por në krye, si gjithmonë, të mos realizmit të investimeve është Ministria e Transporteve, në të cilën janë përqendruar edhe pjesa kryesore e fondeve. Njëra nga pjesët, në të cilën po punohet shumë ngadalë është edhe segmenti Lushnjë-Fier, që do edhe 7 muaj sipas kontratës që të përfundojë. Në këtë segment, si në shumë të tjerë, ku nuk realizohen në kohë investimet, kaosi i trafikut është i pranishëm në çdo moment të ditës. Edhe në projektin Durrës-Kukës punimet janë duke u zhvilluar me një ritëm tepër të ulët.

Megjithëse qeveria e miratoi buxhetin e shtetit që në fund të vitit 2006, kjo duket se nuk ka dhënë asnjë ndihmë për të realizuar investimet. Sipas Ministrisë së Financave, mosrealizimet për 6 mujorin e parë të këtij viti shkojnë në 14.44 miliardë lekë. Vetëm 11.22 miliardë lekë ka qenë realizimi i investimeve për pjesën e parë të këtij viti, ose shprehur në shifra 43.74%. Buxheti i shtetit edhe për këtë 6-mujor ka vazhduar që të ruajë të njëjtat karakteristika si edhe vitet e mëparshme. Në tabelat e detajuara të Ministrisë së Financave konstatohet se përsa i përket zërit të investimeve me financim të huaj, realizimi i tyre është në një shifër tepër të ulët rreth 20.89%. Ndërsa, përsa i përket investimeve me financim të brendshëm, nga 13.7 miliardë lekë që ka qenë plani i realizimit për këtë 6-mujor, janë investuar vetëm 8.7 miliardë lekë. Realizmi në përqindje i investimeve me financim të brendshëm është rreth 64%. (Biznesi)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors