Braktiset Prefektura, prefekti dhe drejtorët një javë në Maltë

Udhëtimi turistik mbi 1 mijë euro sponsorizohet edhe nga operatorët industrialë të qytetit

Akuza mes prefektit dhe krerëve të komunave. Kreu i Rrajcës: Ka dhënë leje për të afërmit

ELBASAN-Për një javë, Prefektura e Elbasanit është braktisur nga drejtuesit. Prefekti Rezart Kovaçi, i ndjekur nga stafi i tij dhedisa prej drejtorëve të drejtorive vartëse janë nisur dje për një udhëtim njëjavor në Maltë. Mësohet se ky udhëtim që përfshin një pakete prej më shumë se 1 mijë Euro, pjesërisht është sponsorizuar nga drejtoritë, kompanitë industriale dhe nga buxheti i vetë pjesëmarrësve.

Sponsorizimi

Rreth 1 muaj më parë, gjatë mbledhjes së drejtorëve të drejtorive vartëse është diskutuar edhe për këtë udhëtim në Maltë, i propozuar nga prefekti duke tërhequr interesin e një pjese të drejtuesve. Grupi turistik i udhëhequr nga prefekti Rezart Kovaçi është nisur mëngjesin e djeshëm. Një pjesë e mirë e institucioneve janë "braktisur"për të marrë pjesë në këtë udhëtim të drejtuesve të pushtetit lokal dhe disa drejtorive të rëndësishme. Ndër drejtorët udhëtues mësohet se është ai i Agjencisë së Mjedisit, spitalit psikiatrik si dhe disa të tjerë përfaqësues të Partisë Demokristiane. Sponsorizimin e udhëtimit të drejtuesve lokalë e kanë bërë operatorë industrialë me emër në qytet. Gjithashtu bëhet e ditur se institucionet kanë përdorur edhe fondet e tyre për shpenzime operative për të ndihmuar këtë udhëtim njëjavor.

Akuzat

Prefekti Rezart Kovaçi është akuzuar nga kryetarët e komunave se po përdor pozicionin e tij për të favorizuar persona të afërm dhe biznesmenë. Akuzat mes palëve janë bërë publike dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së radhës me krerët e komunave. Pikërisht në këtë mbledhje, Kovaçi është konfliktuar me kryetarin e komunës Rrajcë, duke e akuzuar këtë të fundit për nepotizëm. Por kryekomunari, Bogdani ka deklaruar se akuzat e prefektit dhe presioni i tij i vazhdueshëm kanë lidhje me një leje për shfrytëzimin e ujit për një rezervat peshku për një të afërm të tij. Gjatë të njëjtit takim ai është akuzuar se po lejon konflikt interesash dhe nepotizëm brenda institucionit lokal. Kovaçi ka ardhur në detyrën e prefektit pas zgjedhjeve të pushtetit vendor në bazë të marrëveshjes mes PD dhe Partisë Demokristiane. Demokratët lokalë e kanë kundërshtuar vendosjen e tij. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors