Tragjedia e Dhëmblanit, banorët bllokojnë rrugën


TEPELENE- Plot 16 muaj pas tragjedisë së Dhëmblanit, banorët e këtij fshati bllokojnë rrugën lidhëse me qytetin e Tepelenës, në shenjë proteste për mosplotësimin e kërkesave të tyre.

Negociatat e policisë së Tepelenës me grevistët bëjnë të mundur zhbllokimin e rrugës dhe të tri automjeteve të ministrisë së Mbrojtjes.

Protesta

Ditën e djeshme, dhjetëra banorë të fshatit Dhëmblan kanë bllokuar për dy orë me radhë, duke filluar nga ora 11.00- 13.00, rrugën që lidh fshatin e tyre me aksin kombëtar Memaliaj-Gjirokastër. Gjithashtu të bllokuara nga protesta kanë mbetur edhe tre automjete të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat udhëtonin drejt Dhëmblanit për të tërhequr predhat e grumbulluara në këtë zonë, pas shpërthimeve të muajit maj të vitit të kaluar.

Sipas banorëve, arsyeja e bllokimit të rrugës lidhet me kërkesat e paplotësuara të tyre, të paraqitura në një peticion, vetëm pak ditë pas tragjedisë, ku kërkonin, pastrimin e të gjithë zonës së prekur nga shpërthimet, akordimin e një fondi për zhdëmtimin e të gjitha pasojave të shkaktuara nga shpërthimet si dhe ndërtimin e rrugës së këtij fshati. Po sipas tyre, fakti që kërkesat e paraqitura nuk janë plotësuar, i ka bërë ata që të ndërmarrin këtë forcë proteste. Është dashur ndërhyrja dhe negociatat e vazhdueshme e efektivëve të komisariatit të policisë së rrethit Tepelenë, që fillimisht të lirohej rruga dhe më pas kryepleqësia e fshatit dhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes të uleshin në tryezën e bisedimeve. Burime pranë këtij institucioni kanë bërë të ditur se negociatat me banorët kanë zgjatur gati 2 orë me radhë.

Në 6 maj të vitit 2006 gjatë asgjësimit të predhave në depot e armatimit në fshatin Dhëmblan humbën jetën dy ushtarë të forcave xheniere pas një pakujdesie në punë, e cila ndezi barutin rreth depove, duke shkaktuar djegien dhe shpërthimin e qindra predhave. Ngjarja u cilësua si e paprecedent dhe ,menjëherë pas saj, efektivë të specializuar të çminimeve nisën punën për pastrimin e territorit, ndërsa qeveria akordoi një fond prej 66 milionë lekësh për dëmshpërblimin e banorëve të prekur nga shpërthimet. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors