27.07.2007 - (AT) - Muajin e kaluar, në Tirana International Hotel, u mbajt një ceremoni për ndarjen e çmimeve për vaj ullirin e virgjër, ekstra të virgjër si dhe atë që rezultoi me treguesit më të mirë kimikë. Çmimet u ndanë nga Zëvendës Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ndoc Fasllia dhe Drejtori i Misionit të USAID, Edward T. Landau. Konkursi kombëtar për vajin e ullirit - 2007, është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për të përkrahur sektorin e vajit të ullirit me anë të trajnimeve dhe asistencës teknike.
Firma Skilja, përfaqësuar nga Z. Fatmir Skilja, fitoi çmimin e parë për vajin e ullirit ekstra të virgjër. Firma Shkalla, përfaqësuar nga Znj. Shpresa Shkalla, fitoi çmimin e dytë dhe firma IVAP, përfaqësuar nga Znj. Valentina Postoli, fitoi çmimin e tretë në kategorinë e vajit të ullirit ekstra të virgjër. Vaji më i mirë i virgjër shqiptar, i cili ka një përqindje disi më të lartë aciditeti sesa ai ekstra i virgjër, u cilësua ai i firmës ANI, përfaqësuar nga Z. Anastas Gjikondi. Çmimin e dytë në kategorinë e vaj ullirit të virgjër e fitoi firma IVAP. Firma Skilja dorësoi vajin e ullirit i cili rezultoi me treguesit më të mirë kimikë.
Juria përbëhej nga prodhues të vaj ullirit shqiptar, ekspertë vendas akademikë, shkencorë dhe të sigurisë së ushqimit si dhe nga një eksperte ndërkombëtare e organizatës së Këshillit Ndërkombëtar të Vajit të Ullirit. Ekspertja, e cila paraprakisht trajnoi anëtarët e jurisë, u soll në Shqipëri nga Projekti i USAID Zhvillimi i Ndërmarrjeve Shqiptare dhe Shërbimet e Tregjeve të Eksporteve (EDEM). Analiza kimike u krye nga Instituti Ushqimeve dhe Kërkimeve në Tiranë.
Shtatëmbëdhjetë firma morën pjesë në këtë konkurs duke sjellë mostra të vajit të ullirit të virgjër dhe ekstra të virgjër. Ata dorëzuan një total prej 21 mostrash, prej të cilave 14 i kaluan analizat kimike, gjashtë në kategorinë e vajit ekstra të virgjër dhe tetë në kategorinë e vajit të virgjër. Krahas analizave kimike, juria përdori standarte ndërkombëtare të njohura zyrtarisht për shijimin e vajit për të përzgjedhur fituesit. Per Albanian Times E Kurti.
Kthehu Mbrapa
1 Comments:
Bravo kompanise Skilja eshte me te vertete prodhuesi i super cilesi ne Shqiperi.Meriton se ka cilesine e larte dhe ambjentet qe mund te themi me te mira ne Europen ku kerkojme ne te aderojme. Bravo bravo bravo
Post a Comment