Ministri i Ekonomisë ka paralajmëruar se kriza e energjisë nuk mund të zgjidhet përpara vitit 2020
TIRANË- Në kulmin e mungesës së energjisë elektrike në shtëpinë e çdo shqiptari ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka lëshuar një ogur të zi duke paralajmëruar zgjatjen e krizës jo deri në fund të verës por deri në vitin 2020.
Ruli ka shpalosur dje strategjinë kombëtarë për energjinë dhe ndryshe nga kryeministri Berisha, i cili ka premtuar çdo vit se do të zgjidhë krizën, ka pohuar se kriza do të zgjasë edhe 13 vjet. Madje ajo do të ketë një kosto financiare prej 1.6 miliardë eurosh, të cilat duhet të paguhen nga vetë shqiptarët. "Shqiptarët do të kenë fatin të kenë energji pa ndërprerje vetëm në vitin 2020. Për këtë në sistemin tonë energjetik kërkohen investime deri në 1.6 miliardë euro", tha dje ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Sipas tij, çdo vit konsumi sa vjen dhe rritet ndërsa zgjidhja që vjen nga rezervat hidrike nuk është aspak premtuese. Për këtë arsye duhet të ngrihen termocentrale të shumta, të cilat duhet të përballojnë deri në 60 për qind të konsumit të brendshëm. "Konsumi i energjisë në të ardhmen pritet të jetë në nivele më të larta, i cili do të përballohet nga rezervat e reja energjetike. Shqipëria do të ketë një strategji të re energjetike, ndryshe nga strategjia aktuale, e cila kishte fundin e vet në vitin 2015.
Drafti i ri parashikon që në vitin 2020, vendi të ketë burime të reja energjie nga të cilat 60 % do të vijnë nga termocetralet dhe 40 % nga ato ujore",- tha ministri Ruli. Aktualisht në vendin tonë, 98 për qind e burimeve janë hidrike dhe vëmendja e qeverisë është përqendruar në burime të tilla si lëndet djegëse. Pasi ka shpalosur strategjinë e tij 13- vjeçare, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka kërkuar para donatorëve mbështetje për këtë strategji pasi, sipas tij, vendi do të jetë më autonom në sektorin energjetik.
Një rëndësi të veçante ministri Ruli i ka kushtuar edhe ndryshimit të funksionimit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila do të privatizojë sektorin e shpërndarjes, por jo burimet energjetike. Sipas tij, një pjese e burimeve dheTEC-t, do të jepen me koncesion. Në strategjinë e tij Ruli ka parashikuar se privatizimi i KESH-it dhe i kompanisë së naftës ARMO, do të rrisin efektivitetin në sektorin energjetik. Kështu në bazë të kësaj strategjie, vendi pritet të ndryshojë mënyrën e shfytëzimit të energjisë, duke u integruar edhe me strategjinë e energjisë se vendeve të rajonin dhe të Bashkimit Europian. (Shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment