Turizmi, prioriteti i dytë ekonomik për qeverinë, dështimi i dytë i premtimeve dhe angazhimeve qeverisëse


Tiranë- Prioriteti i dytë ekonomik për qeverinë, turizmi, për të dytin vit rradhazi po shënon dështimin më të madh të këtij sektori vërtet strategjik por të gjymtuar rëndë nga keqqeverisja e vendit. Pas dështimit të disa prej premtimeve elektorale me të cilat kryeministri Berisha "bleu" votat në qytetet me potencialet më të mëdha turistike në vend, si ujë dhe drita 24 orë pa ndërprerje gjatë të gjithë sezonit veror, vitin e kaluar, vëmendja e qeverisë duket se këtë vit është drejtuar në turizmin kulturor, i vetmi që nuk zhgënjen turistët e huaj të cilët vizitojnë Shqipërinë, që megjithatë ka nevojë për rimëkëmbje në pjesën dërrmuese të këtij thesari të trashëguar të kulturës autentike vendase.

Duke mos e pranuar hapur dështimin e sektorit të turizmit gjatë sezonit të kaluar, fakt i cili imponoi ndërrimin e shpejtë të kreut të dikasterit minstror nga Berisha, kryeministri është shprehur në celjen e sezonit të ri turistik të vitit 2007 se potenciali turistik i vendit mbeti i pashfrytzuar dhe për këtë ai fajësoi operatorët turistikë të vendit të cilët nuk janë të konkurueshëm në cmime. Ndërsa Berisha angazhimet e një viti më parë, të cilat janë edhe pjesë e programit të qeverisë së tij si: "Qeveria ka bërë disa ndërhyrje për furnizimin me ujë të zonave bregdetare dhe ka planifikuar që deri në fund të vitit 2006 të garantojë furnizimin me ujë të qyteteve turistike. Aktualisht Saranda e ka realizuar, Golemi dhe një pjesë e plazhit furnizohet me sasi të mëdha uji gjatë 24 orëve, plazhit të Durrësit i shtohen rreth 120 litra ujë/sekondë, ndërsa për Vlorën fondi është gati dhe pritet hapja e tenderit për të filluar punimet, në mënyrë që zgjidhet përfundimisht ky problem për këtë qytet. Po ashtu nuk do të lëmë pas dore potencialet e Velipojës, Himarës, të bregut në tërësi dhe Pogradecit. Ndërkohë më emergjente paraqitet Divjaka dhe Semani", kreu i qeverisë i ka shuar shumë shpejt nga kujtesa. Furnizimi me ujë pa ndërprerje i zonave turistike të vendit jo vetëm që nuk është realizuar në fund të vitit 2006, ashtu sikurse premtoi Berisha, por duket ende një ëndërr shumë e largët për pushuesit ashtu sikurse edhe për bizneset dhe qytetarët të cilët e lidhin ngushtë jetesën e tyre me këtë sektor të rëndësishëm por pak të zhvilluar. Kjo pasi vendi ndodhet njëkohësisht me mesin e sezonit turistik, përballë krizës energjietike, si pasojë e së cilës mungesa e ujit është kthyer në ngjarjen më të zakonshme në qytetet bregdetare e më gjërë. Kjo krizë e dyfishtë nuk do të ekzistonte në këto përmasa nëse qeveria do të kishte realizuar projektet e tjera që lidhen me furnizimin me ujë të zonave bregdetare, si projekti i dështuar i ujësjellësit të Manskurisë që do të furnizonte Durrësin. Është për të ardhur keq fakti që shumica e emigrantëve që vijnë për pushime në Shqipëri po prenotojnë bashkë me familjet e tyre në agjensitë turistike të cilat ofrojnë paketa për pushime në vendet fqinje e më gjerë, ashtu sikurse shumica e pushuesëve nga Kosova e Maqedonia, të cilët e kthyen pothuajse në traditë ti kryenin pushimet në vendin tonë, janë larguar vitet e fundit, pikërisht për këto shkaqe, të cilat e dëmtojnë rëndë turizmin në Shqipëri.

Plazhi pa ujë dhe pa drita, rrezikohet sezoni turistik

DURRËS- Edhe këtë vit plazhi i Durrësit ka një mungese të ndjeshme të furnizimit me ujë. Kjo sa vjen e bëhet më e theksuar me rritjen e fluksit të turistëve. Mungesa sistematike e furnizimit me energji elektrike në orët e ditës dhe të natës e ka rënduar akoma edhe më shumë furnizimin me ujë të pijshëm të zonës turistike. Në të gjithë plazhin e Durrësit që nga dita e fillimit të sezonit turistik e në vazhdim ka kufizime të theksuara të energjisë elektrike. Kufizimet e energjisë në plazhin e Durrësit fillojnë në orën 23.00 deri në orën 05.00 të mëngjesit. Megjithatë përveçse 6 orë natën kufizimet në plazh shkojnë 2-3 orë edhe gjatë ditës duke krijuar shumë vështirësi për pushuesit që kanë ardhur në këtë plazh. Plazhi po vuan një krizë energjitike pikërisht në këtë sezon turistik. Madje në çeljen e këtij sezoni në Durrës që u bojkotua nga Berisha i cili ndoshta nuk kishte gjetur gënjeshtrën e rradhës për durrsakët, ministri Pango deklaroi se këtë verë do të ketë 1 milionë turistë në Shqipëri. Ku do të vijnë këta turistë zoti Pango?

Mos vallë ata do të qëndrojnë me dëshirë në plazhin e Durrësit ku nuk ka drita rreth 9 orë në ditë dhe përveç kësaj duhet të pijnë ujë me bote?

Shtimi i sasisë së ujit për sezonin turistik mbeti vetëm një premtim më shume sepse asgjë nuk ndodhi. Në këto kushte, ka filluar të lulëzojë biznesi spekullues i furnizimit me ujë me autobote i të gjithë rrjetit turistik, biznes ky që po ushtrohet nga njerëz të afërm të qeveritarëve të PD-së në Durrës. Aktualisht po ju shitet rrjeteve hotelerike të Durrësit ujë i pijshëm me një vleftë prej 30 euro për 5000 litra, çmim ky që rëndon kostot e turizmit në Durrës dhe dëmton cilësinë e shërbimit, duke ditur që ky ujë merret pikërisht nga ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime sh.a. të Durrësit.

Nuk ka asnjë investim në projektin e furnizimit me ujë e aq më tepër për kanalizimet për zonën turistike Plepa-Shkëmbi i Kavajës-Golem, zonë kjo nga e cila realizohet gati një e katërta e volumit turistik dhe hotelerik të vendit.

Po i rikujtojmë qeverisë dhe Kryeministrit, se edhe për këtë sezon veror ka dështuar projekti i furnizimit me ujë të pijshëm nga rezevuari i Manskurisë, projekt nga i cili do të përfitonte e gjithë zona turistike.

Kriza e ujit të pijshëm në Shkëmbin e Kavajës dhe Golem ka bërë që mjaft persona të ndryshëm të shfrytëzojnë situatën duke mbushur botet me ujë për t’i shitur më pas në këtë zonë. Një gjë e tillë duket se bëhet me dijeninë e ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime në Durrës, pasi një gjë e tillë nuk eleminohet nga kjo e fundit. Është vetë kjo ndërmarrje që ka nisur të shesë në mënyrë të kundërligjshme ujin e pishëm për familjarët, lokalet dhe hotelet tek Shkëmbi i Kavajës.

Me fillimin e sezonit turistik nga Plepat deri tek Përroi i Agait pronarët e lokaleve dhe familjarë kanë shfaqur protesën e tyre për mungesën e pajustifikuar të ujit të pijshëm duke akuzuar në mënyrë të hapur drejtorinë e Ujësjellës Kanalizimeve. Qindra e mijëra lekë të dhëna në dorë për botet që mbushen çdo ditë në çesmat e ujësjellësit përfundojnë në xhepat e abuzuesve ndërsa drejtoria e ujësjellësit ka pohuar që botet nuk mund të jenë të ndërmarrjes. Në mungesë të ujit në rubineta shumë lokale e blejnë atë nga botet me çmim tashmë të përcaktuar dhe të klasifikuar për banesa familjare dhe për lokale. Në rastin e parë një depozitë me 1000 litra ujë shitet për 10 mijë lekë dhe një bot me 50 mijë lekë, kurse për të gjithë ata që kanë lokale, hotele e restorante depozita kushton më shtrenjë dhe boti tregtohet me 60 mijë, ose më shumë lekë. Në ndërmarrjen e ujësjellësit të Durrësit të vetmet mjete që hynë e dalin pa asnjë vështirësi brenda rrethimit janë botet e ujit të pijshëm një pjesë e të cilëve kanë të shkruar edhe numrin e telefonit celularë. Botet në fjalë janë shtetërore dhe private dhe nuk dihet se çfarë detyrimi derdhin ato private në ndërmarrjen e Ujësjellësit. E gjithë kjo situatë kur plazhi është pa ujë dhe pa drita dhe ndodhet në situatën e tij më të vështirë ndonjëherë puhsuesit që kanë ardhur kanë filluar të largohen duke i prerë në mes pushimet e tyre dhe duke zgjedhur alternative të tjera jashtë Shqipërisë.

Turizmi, sa shumë flitet dhe sa pak bëhet për të!

Sarandë-Eshtë akoma herët të flitet për pushues të huaj në Sarandë. Kjo sepse kushtet janë krejt të papërshtatshme. Mungon infrastrukitura me elementare që kërkon pushuesi i huaj, thonë drejtuesit e shoqërive turistike të Sarandës. Së pari nuk ka ujë të garantuar përgjatë gjithë ditës. Qyteti nuk ofron asgjë të veçantë për ta bërë joshëse frekuentimin, për të mos folur për situata të pakënaqeshme të higjenës dhe pastërtisë në rrugë, mes banesave dhe në plazhe.

Natyrisht që nuk mund të pretendohet sot për ta mbushur Sarandën me pushues të huaj. Po kjo nuk do të thotë që të mos pretendohet për rritjen e numrit të pushuesve vendas, të cilet, kuptohet, nuk kanë pretendime të nivelit të një turisti të huaj. Megjithatë situata tregon se shifrat janë në rënie edhe në këtë grupim kur edhe për pjesën e dytë të muajit korrik parashikohet që të mos kapet, se paku, numri i pushuesve të sezonit të kaluar .Kontaktuam dje me disa operatore turistik (Nel Travel, Shkendia Travel, etj.) për të marrë një opinion mbi situatën, grupet turistike që vijnë, problemet që hasen etj. rezulton që turistët 1 ditor, ata që vijnë nga ishulli i Korfuzit të jenë kontigjenti kryesor i vizitoreve të huaj në Sarandë. Prej fillimit të sezonit kanë shkelur tokën të paktën 15 mijë turistë 1 ditorë, jo pak prej të cilëve kanë mbërritur në Sarandë me kruazierat turistike që shëtisin turistë përgjatë brigjeve të Mesdheut etj. Por, sikundër na tha një përfaqësues i shoqërisë turistike "Nel Travel", ky grupim vizitoresh realizon vizita në Butrint dhe në objekte arkeologjike brenda në qytet dhe nuk kanë shumë ndikim në shtimin e të ardhurave për biznesin turistik. Sipas tij janë të rralla grupet turistike që mbrrijnë në Sarandë nga toka dhe me pak akoma turistë të huaj që vijnë këtu për të kaluar pushime në bregdetin e Sarandës. Jemi vërtet në një situatë të vështirë për furnizimin e qytetit me ujë, tha dje për gazetën drejtori i ndërmarrjes së Ujësjellësit, Kristaq Kali. Ai tha se megjithë përpjekjet që bëjmë për një furnizim më normal, për të eleminuar problemet e furnizimit në një zonë të qytetit, të tjera probleme lindin diku tjetër.

E gjithë java e kauar dhe gjatë këtyre ditëve zona të tëra të qytetit kanë vuajtur mungesën e ujit të pijshëm. Në lagjen "Kodër" uji i pijshëm thuajse nuk ngjitet në katet e larta (as në katin e dytë) të pallateve dhe banoret detyrohen të mbushin ujë me kova. Zonat mbi rrugën e pestë, Lugu i Dardhës, zona e pjesës mbi ish parkun automobilistik, ajo e Limjonit dhe zona e banuar mbi hotel-turizmin etj. vuajnë me shumë mungesën e ujit të pijshëm. Por uji mungon edhe në lagjet qendrore si dhe në lokalet që ofrojne shërbime turistike, ne hotelet ku janë akomoduar pushuesit etj

Alarmi i errësirës në Pogradec, bashkia ankesa në qeveri:"Duam drita"

Pogradec- Bashkia e Pogradecit reagon për situatën kritike të krijuar në javën e fundit në qytetin bregliqenor, ndërsa do të nisë drejt qeverisë kërkesën për më shumë energji. Ndonëse është një nga periudhat më fitimprurëse dhe një boom i vërtetë në turizëm, kjo nuk ka penguar drejtuesit e Zonës së Shpërndarjes në Korcë të ndëprpresin furnizmin e rregullt me energji në qytetin e Pogradecit duke shkaktuar një dëm të jashtëzakonshëm ekonomik, por dhe humbjen e përditshme të pushuesve. Kështu pra kjo mungesë energjie është duke zhytur në kolaps qytetin buzë liqenit të Ohrit. Qyteti i Pogradecit duket se është përjashtuar nga zonat turisike që duhet të përfitojnë energji elektrike pa ndërprerje gjatë sezonit veror. Turizmi në këtë qytet po zhytet në një situatë kritike, kur nga mungesa e energjisë shumë pushues janë vendosur të largohen pasi duket se shërbimet tashmë janë tkurrur, pasi pjesa më e madhe e ditës kalohet pa drita. Qyteti bregliqenor është pushtuar nga gjeneratorët dhe errësira, ndërsa këtë të fundit më shumë po e vuajnë fshatrat turistike të cilave krahas kufizimeve të thella gjatë ditës janë të detyruara të përjetojnë edhe më shumë se 10 orë ndërprerje të furnizimit gjatë natës. Numri dy I bashkisë së këtij qyteti Erjon Vesho bën të ditur se alarmi ka mbriut me anë të shkresave zyrtare në qeveri ku i është kërkuar kryministriti të saj të ndërhyjë për të ndëprerë kufizimet në këtë zonë me pikun e lëvizjeve në të. Tushemishti një nga fshatrat kryesorë turistikë dhe nga më të vizituarit gjatë verës, ka mungesë të energjisë elektrike për më shumë se 16 orë, ndërsa furnizimi bëhet vetëm dy orë në mëngjes dhe katër orë të tjera gjatë ditës. Situata e rënduar që ka prekur zonën e Pogradecit ka vënë në alarm jo vetëm turistët dhe vizitorët që nuk kanë gjetur këtu vecse klimën e përshtatshme, por edhe bizneset e këtij qyteti të cilat nuk kanë më shanse të ofrojnë shërbimet e premtuara për klientët e sezonit të nxehtë. Të paktën 1200 biznese kërcënojnë me mbylljen e përkohshme të aktivitetit, ndërsa sektori privat po zhytet në faliment të plotë për shkak të kostove të larta që nevojiten për të përballuar shpenzimet e energjisë me gjeneratorë përsa i përket sferës së prodhimit. Bizneset e mëdha prodhuese në këtë qytet janë të parat që kanë reaguar për kufizimet e thella të energjisë pasi nuk trajtohen me linja të vecanta.Për më keq edhe pse duhej që qyteti i Pogradecit të shihej me priorite pasi hyn në zonën turistike, nuk është bërë asnjë favorizim nga ana e qeverisë përsa i përket furnzimit me emergji, Kjo po rrezikon jo vetëm biznesin por edhe turizmin në këët qytet shprehet numri dy i bashkisë erjon Vesho. Shumë turistë të cilët kishin zgjedhur pikën e Tushemishtit një zonë e njohur dhe tanimë mjaft problematike në situatën e re energjitike janë larguar pasi edhe aty gjëndja është tepër e rëndë dhe për gjithë natën nuk ka furnizim me energji. Por më shumë se sa për konsumatorin familjar është sektori privat që ka vënë alarmin se duhet të gjendet një mënyrë për të lënë aktivitetin e pacënuar. Ndonëse ankesat tek kryeministri janë bërë evidente, nuk ka asnjë reagim apo përmirësim të gjëndjes përsa i përket furnizimit me energji 24 orë pa ndërprerje.(zp)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors