Trajnerët e Superliges mbyllin merkaton

Të parët në merkato, por edhe të parët që largohen, kjo është në përgjithësi ecuria e trajnerëve të Kategorisë Superiore, të paktën në dhjetë sezonet e fundit.

Duke qëndruar në sezonin e kaluar 2006-2007, brenda 11 javëve të fazës së parë ndryshuan trajnerët në 10 skuadra, duke e informalizuar shumë tregun e pankinave, e në të njëjtën kohë duke e bërë shumë amator vendin e trajnerit në Kategorinë Superiore, sepse në 12 skuadra drejtuan 22 trajnerë.

Dhe deri në fundin e sezonit të kaluar ishin 36 trajnerë që provuan drejtimin e 12 skuadrave të Kategorisë Superiore, një shifër që duke parë merkaton e këtij sezoni të ri, të sjell sa drojë, aq edhe mossigurinë e tyre për vazhdimësinë. Del ky konkluzion nga përulja që trajnerët bëjnë ndaj presidentëve, pa menduar aspak profesionalizmin dhe moralin e tyre brenda profesionit. Kështu ndodhi edhe në sezonin e shkuar, e kështu po ndodh edhe këtë sezon, ku trajnerët normalisht janë të parët që vendosen në formatimin e çdo ekipi.

Gjithsesi, ky është tregu dhe këtë janë duke e shfrytëzuar më mirë drejtuesit e skuadrave në Superiore, të cilët vetëm 42 ditë e lanë harkun kohor të vendosjes së trajnerëve. Duke ndryshuar trajnerët në 8 skuadra, por duke i rikonfirmuar ata në 4 të tjera, kjo e kësaj vere ndryshon nga merkatoja e sezonit të kaluar, ku vetëm trajneri i Kastriotit ishte i rikonfirmuar,

ndonëse edhe ai nuk zgjati më shumë se 4 javë në drejtimin e ekipit krutan, kurse 11 të tjerët u ndryshuan me fillimin e sezonit. Të aludosh se kush do të jetë më jetëgjati dhe më jetëshkurtri në drejtimin respektiv të bankinave është shumë herët, por që mund të kemi tronditje të shpejta, këtë do ta kemi edhe më të qartë kur të shohim fundin e merkatos së futbollistëve. Sepse këtu shihen më shumë synimet dhe objektivat e “njëshave” të skuadrave, që janë presidentët dhe kur atyre nuk u pëlqen, është provuar se sa shpejt i “therin” këta trajnerë, të cilët gjatë merkatos i kanë marrë e prezantuar si garantin e sukseseve. Një mbyllje e shpejtë kjo merkato, ndoshta për t’i dhënë kohë përgatitjes së skuadrave.

42 ditë

Kjo është periudha që zgjati merkatoja e trajnerëve në Kategorinë Superiore, duke pasur parasysh ndryshimin e parë dhe të fundit. Kështu, në fundin e muajit maj dhe fillimin e muajit qershor ndryshuan të parët Dedja te Teuta dhe Starova te Tirana, duke hapur kështu rrugën e ndryshimit edhe në gjashtë pankina të tjera. Ndërsa Jani Kaçi tek Skënderbeu është trajneri i fundit që e mbylli merkaton e pankinave të sezonit të ri në harkun kohor të 42 ditëve, nga 19 maji, kur përfundoi sezoni 2006-2007.

Albania-Sport

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors