Trafikantët e drogës po shfrytëzojnë territore të reja duke iu ngjitur luginave të alpeve për të mbjellë në parcela të vogla bimë narkotike
Deri dy-tre vjetë më parë rrethit të Tropojës as që i përmendej emri për kultivimin e bimëve narkotike, pavarsisht faktit se situata e rendit dhe sigurisë në të ishte shumë e brishtë dhe me probleme të vazhdueshme. Terreni tepër i thyer dhe klima alpine e Tropojës nuk ishin aspak joshëse për trafikantët e bimëve narkotike. Rritja e kërkesës për hashash në Kosovë dhe aksionet e vazhdueshme të policisë në zonat në jug të vendit ku bima narkotike kultivohej tradicionalisht, i detyruan trafikantët që të gjenin zgjidhje të reja.
Pikërisht këto shkaqe bën që disa nga zonat më të thella të Tropojës të përfshiheshin gjatë dy viteve të fundit në hartën e kultivimit të bimëve narkotike. Në disa prej këtyre fshatrave të thella në komunën e Lekbibajt apo Margegajt, qëndrojnë të fshehur apo në arrati persona në kërkim, të cilët janë të gatshëm të marrin përsipër “biznese” të tilla jo vetëm për “të shtyrë” kohën, por për të nxjerrë dhe ndonjë përfitim material. Ky kontigjent ka gjetur terren për ta shtrirë këtë aktivitet të paligjshëm dhe në disa familje të varfra të zonave të thella, të cilat e shohin si një burim të mirë të ardhurash për të siguruar bukën e përditshme.
Kultivuesit
“Ne qëndrojmë në bjeshkë gjatë gjithë verës, dhe poshtë në luginat buzë përrenjëve ka parcela të lëna djerrë sa të duash. Pronarët e tyre kanë shkuar prej vitesh në Tiranë, Durrës apo jashtë vendit, kështu që nuk ka kurrfarë pengese për të mbjellë hashash në to. Pleh bagëtish ka sa të duash nëpër stane, ndërsa uji nuk mungon në këto anë. Thjeshtë duhet siguruar fara dhe zgjedhur koha e përshtatshme në mënyrë që bima të arrijë ciklin e pjekjes, pasi këtu klima është e freskët dhe nëse nuk e mbjell në kohën e duhur atëherë ajo nuk arrin të piqet”. Këto fjalë na i thotë një djalë i ri nga Lekbibaj, të cilin e takojmë në vendin e quajtur Burimi e Ushtarit, vetëm pak metra nga kufiri me Malin e Zi. Ne ndodhemi mbi atë që barinjtë e Tropojës e quajnë Liqeni i Tunxhit në bjeshkën e Sjapicës.
I riu nga Lekbibaj sapo kthehet nga Plava(qytet shqiptar në Malin e Zi, 4-5 orë më këmbë nga kufiri) ku kishte shkuar për miqësi. Bashkë me të dhe disa të rinj që verojnë me familjet dhe kopetë e tyre në livadhet e Sjapicës, zbresim më këmbë drejt Çeremit, fshatit më të afërt nga kufiri, ku nëse kemi fat mund të gjejmë ndonjë automjet për të zbritur në Bajram Curri. Gjatë rrugës të rinjtë na tregojnë se në Kosovë, ka shumë kërkesë për hashash. “Edhe pse e dimë se hashashi këtu nuk bëhet i mirë për shkak se është ftohtë, prapë kush mundet e mbjell pasi në Kosovë gjën treg kollaj”, na thotë një 18 vjeçar nga Kërnaja. Ndërsa njëri prej të rinjëve që veron në Sjapicë tregon se:”Ata që çojnë në Kosovë cigare kontrabandë të sjella nga Mali i Zi, tani çojnë dhe hashash, sigurisht në sasi të vogël por që mjafton për të nxjerrë diçka”. Ai e ka bërë vet një gjë të tillë. Fillimisht ka çuar cigare kontrabandë në Gjakovë e Pejë, e më pas kur i është dhënë mundësia dhe hashash, kryesisht të papresuar dhe në qese të vogla.
Policia
Shtrirja e madhe e rrethit të Tropojës, terreni shumë i thyer, mungesa e mjeteve dhe personelit për të mbuluar gjithë gjatësinë e kufirit nga Çeremi(kufi me Malin e Zi) e deri në Zogaj(kufi më Kosovën) ka bërë që komisariati i Bajram Currit ta ketë të pamundur për të goditur fenomenin. Gjatë vitit të kaluar disa prej personave shumë të kërkuar si Pëllumb Ndrevata(i vrarë nga RENEA gjatë një shkëmbim zjarri prill 2006) mbollën apo shpërndanë farë hashashi në disa nga zonat e thella të komunës së Lekbibajt. Vrasja e tij dhe arrestimi i disa personave të tjerë po aq të rrezikshëm nga forcat speciale gjatë vitit të kaluar ishte një mesazh për kultivuesit.
Nga informacionet e siguruara në rrugë operative, policia e Tropojës, e mbështetur nga trupat e FNSH-së dhe patrullim nga ajri me helikopterë arriti të asgjesonte vitin e kaluar afro 24 mijë rrënjë hashash në fshatrat e thellë Salcë, Lug apo Curraj i Epërm. Por këtë vit trafikantët e kanë mbjellë farën e tymit dhe në parcelat e vogla sipër degëzimeve të përroit të Gashit, Përroit të Currajt apo lumit të Nikaj Mërturit. Në luginat e përrenjëve rrëzë Alpeve, hashashi mbillet shumë më vonë se në jug të vendit, kështu që dhe pjekja e bimës bëhet gati një muaj me vonesë. Kështu që vetëm patrullimi me helikopter në këtë skaj të izoluar të vendit do të ishte ndihma më e madhe për policinë.(balkanweb)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment