Qeveria merr “Ok” për trefishimin e kredive tregtare

Pas një vlerësimi të bërë nga kompania "Moody's", Shqipëria plotëson kushtet për të marrë kredi tregtare. Lajmi është bërë i ditur dje nga vetë ministri i Financave, Ridvan Bode. Sipas kreut të Financave, Bode, "ky vlerësim, do ta bëjë Shqipërinë një vend më tërheqës për investitorët e huaj.

Duke pranuar këtë vlerësim, qeveria konfirmon se është e gatshme të gjykohet me të njëjtat kritere dhe njëkohësisht pranon të gjitha standardet financiare dhe ekonomike, si ato të vendeve të tjera".

Me anë të këtij vlerësimi synohet edhe tërheqja e bankave të huaja dhe korporata financiare ndërkombëtare për të investuar në letrat me vlerë të qeverisë, interesat e të cilave mbeten ende tepër të larta, në kushtet kur investitorët në këtë treg mbeten të paktë. Ndërsa, përsa i përket kredive tregtare që do të merren pas marrjes së këtij vlerësimi, Bode tha: "Për një periudhë 3-vjeçare, pra, deri në fund të vitit 2008 ne kemi rënë dakord, për një limit në kreditimin e ekonomisë së brendshme, ekonomisë publike, pra, të borxhit publik në tërësi, për një vlerë prej 680 milionë euro si kredi tregtare. Ne kemi bërë hapin e parë.

Ende pa marrë vlerësimin në tregun monetar ndërkombëtar, ne mundësuam emetimin e një borxhi prej 230 milionë USD dhe para pak ditësh u shpallën fituese dy banka të mëdha greke: "Alfa Bank" dhe "Banka Kombëtare e Greqisë". Kushtet e tyre ishin tepër të leverdishme, me afat 15 vjet, me grace period prej 5 vjetësh dhe interes të njëjtë me atë që kreditojnë bankat e investimeve. Pra, ne ende pa marrë vlerësimin për kredimarrjen nga "Moody's", tashmë kemi hyrë në tregun botëror të kredive". Njëkohësisht marrja e këtij vlerësimi, sipas ministrit të Financave, është një mundësi e mirë që qeveria të emetojë eurobonde, duke ulur në këtë mënyrë edhe koston e borxhit publik.

"Sikurse e dini, ne kemi një borxh publik të brendshëm, të konsiderueshëm dhe që ka qenë shërbyer në instrumente tërësisht të prapambetura, primitive dhe me pak hapësira dhe mundësi, për të bërë realisht një politikë menaxhimi të mirë të borxhit të brendshëm. Prej vitit të kaluar, ne kemi filluar të emetojmë në tregun e brendshëm bono me afate 2-5 vjeçare dhe kemi përmirësuar strukturën e borxhit tonë të brendshëm. Megjithatë, është e nevojshme që të jepet më shumë siguri dhe të krijohet më shumë siguri dhe fleksibilitet në menaxhimin e borxhit të brendshëm.

Në këtë kuadër janë disa nga bankat më të mëdha të Evropës, që kanë shprehur interesin dhe prisnin këtë vlerësim, që ato të futen në tregun shqiptar, për të ristrukturuar borxhin e brendshëm publik, për ta konvertuar atë nga bonot me afate të shkurtuara 6-mujore ose 1-vjeçare, në bono me afate të leverdishme për ne, mbi 5 vjet dhe deri në 10 vjet, që është pranuar prej këtyre bankave. Kjo do të thotë se hapet një epokë e re në tregun financiar, në shërbimin e borxhit publik",- ka deklaruar Bode.

Kredi për investime që s'realizohen

Megjithëse ka një diskutim lidhur me vëllimin e investimeve dhe absorbimin e tyre, mund t'ju them se në 5 mujorin e parë të këtij viti, edhe pse ne nuk jemi në parametrat që kemi programuar, jemi rreth 70% më shumë vëllim investimesh në krahasim me vitin 2006 dhe është niveli më i lartë i investimeve i realizuar ndonjëherë historikisht në Shqipëri, në periudhën e gjysmës së parë të vitit. Por, ajo që ju ngrini është një çështje e drejtë.

Aktualisht, ne mendojmë se duhet të rritet kapaciteti i përgatitjes së projekteve dhe i thithjes së investimeve. Deri më sot, ju e dini që kemi operuar me banka zhvillimi, me "Bankën Evropiane të Investimeve" dhe "Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim", sikurse edhe me një sërë agjencish të "Bankës Botërore". Këto investime, qoftë në përgatitjen e tyre, qoftë në disbursimin e tyre, kanë një sërë kushtesh dhe burokracish, të cilat zgjasin në kohë fillimin e investimeve dhe kryerjen e tyre.

Ky fleksibilitet që ne krijojmë përmes hyrjes drejtpërdrejtë të qeverisë shqiptare në tregun e kredive ndërkombëtare, krijon një fleksibilitet më të madh në përdorimin e fondeve, por nga ana tjetër kërkon kapacitete më të mira teknike dhe menaxhuese të administratës publike, që projektet e hartuara të jenë cilësore, në përputhje me nevojat dhe strategjitë e zhvillimit që ka vendi dhe të zbatohen në kohën e duhur.

Shitja, aksionet e BASH kalojnë tek "San Paolo Imi"

Çmimi i shitjes së 80 për qind të aksioneve, është rreth 157 milionë dollarë

Pas marrjes së konfirmimit nga ana e Bankë së Shqipërisë, Bankës Qendrore Italiane, si dhe Autoritetit të Konkurrencës, përfaqësues të Bankës Amerikane të Shqipërisë dhe grupit bankar "Intesa Sanpaolo S.p.A." Itali, kanë nënshkruar marrëveshjen për transferimin e paketës kontrolluese në masën 80 për qind të aksioneve të Bankës Amerikane të Shqipërisë.

Sipas BSH-së, aksioneri i ri i Bankës Amerikane të Shqipërisë, "Intesa Sanpaolo S.p.A" është një operator i rëndësishëm. Grupi "Intesa Sanpaolo" është i pranishëm në 48 vende. Rrjeti i brendshëm i "Intesa Sanpaolo" përbëhet afërsisht nga 5,500 degë të shpërndara në gjithë Italinë dhe i shërben rreth 12 milionë klientëve. Me filialet e veta në 13 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, dhe me një rrjet prej rreth 1,650 degësh, ai i shërben rreth 7.7 milionë klientëve.

Me miratimin e këtij transferimi, struktura e kapitalit aksioner të Bankës Amerikane të Shqipërisë, zotërohet nga Fondi Shqiptaro Amerikan i Ndërmarrjeve dhe Grupi "Intesa Sanpaolo S.p.A", në raportet FSHAN, 3,000,000 aksione, që përfaqësojnë 20 për qind të kapitalit aksioner dhe "Intesa Sanpaolo" 12,000,000 aksione, që përfaqësojnë 80 për qind të kapitalit aksioner të bankës. Banka Amerikane e Shqipërisë do të përfshihet, për efekt të mbikëqyrjes, në grupin bankar "Intesa Sanpaolo S.p.A" Itali.

Shekulli

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors