Temperaturat do të pësojnë një rritje prej dy gradësh edhe gjatë ditës së sotme, ku maksimalja parashikohet të jetë 42 gardë celcius
I nxehti afrikan që ka përfshirë vendin ka regjistruar temperatura rekord në qytetin e Kukësit ku zhiva e termometrit ka shënuar 42.4 gradë celcius. Po kaq të larta kanë qenë temperaturat edhe në Tiranë, Cërrik e Elbasan ku vlera e tyre i ka kaluar 40 gradët. Por, parashikimi që vjen nga specialistët e institutit Hidrometereologjik nuk është aspak optimist. Temperaturat do të pësojnë një rritje prej dy gradësh edhe gjatë ditës së sotme, ku maksimalja parashikohet të jetë 42 gardë celcius, nga 40 gradë që ishte parashikimi për një ditë më parë. Ndërkohë sinoptikanët në të gjithë botën japin alarmin për një rritje të mëtejshme të temperaturave, dhe sipas tyre, kjo është vera më e nxehtë në 60 vjetët e fundit.
Temperaturat
Një ditë më parë kanë pësuar një rritje me dy gradë, ndërkohë që gjatë ditës së sotme do të ketë edhe një rritje tjetër, po me dy gradë. Kështu vala e të nxehtit afrikan që ka përfshirë të gjithë vendin, duket se do të na shoqërojë për një kohë të gjatë. Gjatë ditës së djeshme, rekordi i të nxehtit është shënuar në qytetin verior të Kukësit, ku zhiva e termometrit është ngjitur në 42.4 gradë celcius. Jo më pak përvëluese ka qenë situata edhe në kryeqytet ku instituti i Hidrometereologjisë raporton një temperaturë maksimale prej 40.1 gradësh. Në Elbasan dhe Cërrik është shënuar rekordi i djeshëm me 41 gradë celcius, ndërsa në Koplik maksimalja ka arritur në 40.8 gradë celcius, temperatura këto rekord për stinën e verës në vendin tonë.
Parashikimi
Por asnjë re shiu nuk duket në horizont. Të paktën deri në fund të korrikut, temperaturat e larta do të vazhdojnë të mbizotërojnë në të gjithë territorin. Sinoptikanët përpiqen të japin shpresa për një ulje të mundshme të tyre, por edhe vlerat për të cilat ata flasin, janë thuajse të papërfillshme, krahasuar me gradët në rritje që vazhdon të shënojë termometri. Kështu, gjatë ditës së sotme i nxehti do të jetë sërish përvëlues dhe temperaturat maksimale në vendet e ulëta pritet të jenë plot 42 gradë celcius, dy gradë më të larta se parashikimi i një dite më parë. Në vendet malore metereologët parashikojnë që këto vlera të ngjiten në 37 gradë celcius, ndërsa në bregdet 38 gradë celcius. Po sipas tyre, duke filluar që nga e mërkura pritet të kemi një rënie prej një ose dy gradësh të temperaturave, rënie kjo që nuk do të ndihet pothuajse fare. Përgjithësisht i nxehti afrikan do të na shoqërojë deri në fund të muajit korrik.
Spitalet
Urgjencat e Qendrës Spitalore "Nënë Tereza" dhe poliklinikat e lagjeve janë të tejmbushura me pacientë. Mbi 100 persona paraqiten në ditë me shqetësime serioze në zemër dhe luhatje tensioni, ndërsa në pediatri numri i pacientëve të vegjël arrin deri në 220. Në këtë situatë, mjekët propozojnë marrjen e masave për të zbutur të nxehtin në ambjente publike. Nevoja për ndihmë bëhet më emergjente, duke pasur parasysh se termometri do të shënoje deri në fund të korrikut 40-42 gradë celcius. Ndërkohë që të njëjtat temperatura janë regjistruar edhe në vendet fqinje që kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për t'i mbijetuar të nxehtit të madh. Në ambiente publike janë vendosur pajisje për freskim, tenda që ndalojnë rrezet e diellit, lagjen e vazhdueshme të rrugëve dhe shkurtim të orëve të punës.(Esmeralda Keta/ Gazeta Shqiptare, BalkanWeb)
0 Comments:
Post a Comment