Albanian Times: "Tropojë, djali godet babanë me sqepar"

Tropojë- Sherri i vazhdueshëm mes djalit dhe babait për arsye ekonomike ka shkaktuar një tjetër rast të krimit brenda familjes. Këtë radhë në rrethin e Tropojës.

Alban Baçi, 18-vjeçar, nxënës i vitit të tretë të gjimnazit të Fierzës, në grindje e sipër ka goditur me sqepar në kokë, babanë e tij, Haxhi Baçin, 56-vjeç, duke e lënë të plagosur, në gjendje kritike për jetën. Shkak i sherrit, sipas policisë, por edhe burimeve pranë vendit të ngjarjes ka qenë konflikti i vazhdueshëm mes tyre, pasi djali e quante të atin parazit, se nuk punonte dhe nuk sillte të ardhura në shtëpi.

Ngjarja
Ngjarja që shton radhët e krimit brenda familjes ndodhi mëngjesin e djeshëm. Mes djalit dhe të atit, 56-vjeçar nisi një debat, që mësohet se kishte kohë që zhvillohej. Por, tonet ndryshuan dhe debati nisi të marrë përmasat e një sherri të vërtetë. Pas akuzave të vazhdueshme të djalit në drejtim të të atit, i cili e akuzonte atë për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhej familja, babai nuk është përmbajtur dot. Ka ngritur dorën për t'i rënë me shpullë djalit 18-vjeçar, duke mos duruar dot nëpërkëmbjen dhe akuzat e shumta në adresë të tij. Por adoleshenti duket se është treguar më i shkathët. Në këto momente, ka bërë një lëvizje për t'i shpëtuar pëllëmbës së të atit dhe ka rrëmbyer një sqepar, me të cilin e goditi babanë në kokë. Sipas policisë, mësohet se 56-vjeçari është goditur në kokë disa herë dhe kjo i ka shkaktuar atij plagë të rënda dhe serioze.

Në rrezik
Nuk jepet asnjë garanci për jetën e të plagosurit. Së paku kështu shprehen mjekët e spitalit të Bajram Currit. Pas ngjarjes familjarët e kanë dërguar me urgjencë në spital, thuajse pa ndjenja. Sipas burimeve nga spitali, mësohet se të plagosurit i është dhënë menjëherë ndihma e parë, por plagët e marra nga goditjet e shumta në kokë i kanë sjellë shumë dëmtime. Ndërkaq, gjatë rrugës për në spital ai ka humbur shumë gjak.
Megjithë trajtimin intensiv që i është bërë, mjekët e këtij reparti ku po trajtohet i plagosuri nuk japin asnjë garanci për jetën, ndërsa sqarojnë se ai po mbahet nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore.

Policia
Uniformat blu, të njoftuara për ngjarjen e rëndë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas marrjes së dëshmive ata arrestuan autorin e ngjarjes, 18-vjeçarin, Baçi. Ai pas marrjes në pyetje ka rrëfyer për ngjarjen dhe motivin e zënkave të vazhdueshme me të atin. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ai është shoqëruar në dhomat e komisariatit, ku do t'i duhet të përballet me akuzën e vrasjes mbetur në tentativë me pasojë plagosjen. Ndërkaq, ai do të qëndrojë në pritje deri në vlerësimin e masës së arrestit.

Varfëria
Krimi i radhës që shkaktohet brenda familjes ka për objekt gjendjen e rëndë sociale të familjeve shqiptare. Kryetari i komunës së Fierzës, Besnik Dusha, lidhur me ngjarjen thotë se familja Baçi ishte një familje e rregullt, por me probleme ekonomike si shumë familje në komunën e Fierzës. Kjo familje vjen nga fshati Shipshan dhe është vendosur në Fierzë që në kohën e ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës. Bashkëshortja e viktimës dhe nëna e autorit të plagosjes ishte invalide dhe merrte një pension invaliditeti.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors