Albanian Times: "Lushnje, 13 vjet me identitet të rremë, arrestohet vrasësi"

Lushnje- Ka mundur të fshihet me identitet të rremë prej 13 vitesh, por dje është prangosur nga policia e Lushnjes në bashkëpunim me atë të Burrelit. Pas kërkimesh të shumta, edhe ndërkombëtare, Ilir Cani, i dënuar me 17 vite burg për vrasjen e Fiqiri Dishës ka rënë dje në pranga.

Burime të policisë thanë se "nga lista e të kërkuarve është personi që i ka rezistuar më gjatë se asnjë arrestimit duke u fshehur nën identitet të rremë" Prej vitesh ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që është fshehur pikërisht në Divjakë të Lushnjës.

Ngjarja
Cani, 35-vjeçar, 13 vjet më parë shkaktoi vdekjen e Fiqiri Dishës. Ngjarja ndodhi ndërsa ata drekonin së bashku në një nga lokalet e lagjes "Drita". Burimet policore rrëfejnë se Ilir Cani dhe 6 të rinj të tjerë kanë qëndruar për një kohë të gjatë në lokal më datë 18 korrik 1994, por rreth orës 15.00 kanë filluar fyerjet dhe debatet e ashpra në mes të rinjve. Pas kësaj ka filluar përleshja me mjete rrethanore në lokal në mes njëri-tjetrit. Në këto kushte, Ilir Cani në gjaknxehtësi e sipër nxori nga brezi një thikë që e mbante me vete dhe ia nguli në kokë Fiqiri Dishës, banues në një nga fshatrat e Gurrës së Matit. Goditja, sipas policisë, ka qenë e forte, saqë thika ka ngelur në kokën e Dishës. Në këto momente autori i goditjes është larguar nga lokali, ndërkohë të tjerët e kanë dërguar F.Dishën në spital. Menjëherë ndihmën e parë, i plagosuri kaloi në koma, ndërkohë që mjekëve u është dashur më parë të hiqnin thikën nga koka e tij, por pa mundur ta shpëtojnë. I riu Disha i plagosur kaloi plot 8 ditë në koma deri sa ndërroi jetë.

Zhdukja
Pas ngjarjes, policia shqiptare e shpalli në kërkim në lista prioritare duke e vënë dhe në shënjestër të Interpolit, pasi mësoi se ai ishte fshehur jashtë vendit. Burimet policore bëjnë me dije se pak muaj pas ngjarjes ai kishte emigruar në Itali, derisa i përfunduan afatet e dokumenteve dhe u detyrua sërish të kthehej në Shqipëri. Në trazirat e vitit1997 arriti të qëndronte pa rënë në sy të askujt. Ndërkohë, kur rendi nisi të stabilizohej, ai u zhduk pa gjurmë duke u fshehur në një fshat të Lushnjes, të quajtur Bedat e më pas në Divjakë.

Kërkimet
Agjentët e policisë kriminale të Burrelit kanë mësuar se ai ishte strehuar në Divjakë, madje aty merrej me peshkim dhe jetonte nën një identitet të rremë. Njerëzit aty e njihnin si Mark Lleshi nga Mirdita, pasi kështu ishte shprehur qëkur ishte vendosur aty. "Kam probleme me familjen në Mirditë, është shprehur ai, dhe nuk mund të rrija në vendlindje". Atje ishte strehuar në një shtëpi të braktisur dhe kishte korrektesë me peshkatarët e tjerë dhe ata që e njihnin, madje nuk i duronte zënkat dhe ndërhynte t'i shuante ato kur ngjisnin. E gjithë kjo bëhej dhe për të mos rënë në sherre që të mos ishte objekt i dyshimit policor. Cani ishte dënuar nga Gjyakata e Matit me 17 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes me dashje me vendim të gjykatës së rrethit gjyqësor Matnr.5 dhe dt 22 janar 1998.Mësohet se është i pamartuar dhe jetonte vetëm me nënën e tij. Në momentet e ndalimit ai nuk ka bërë rezistencë dhe nuk i janë gjetur materiale që mund ta kompromentonin atë.

(Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors