KURBIN- Sulejman Balozi, 42 vjeç, nga fshati Gallatë i rrethit të Kurbinit ka gjetur vdekjen, teksa po punonte në afërsi të fshatit të tij, duke nxjerrë trungje pishe.
Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së shtunës. Viktima, së bashku me disa bashkëfshatarë të tij ka qenë duke punuar për të nxjerrë në rrugën e makinave disa trungje pishe.
Në momentin që po rrotullonte trungjet, 42- vjeçari është penguar nga një pemë tjetër dhe është rrëzuar. Trungu i pishës e ka zënë nën vete duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Me gjithë përpjekjet e bashkëfshatarëve për t'i dhënë ndihmën e parë mjekësore, dëmtimet kanë qenë të shumta.
Policia e Kurbinit ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka kryer ekspertizën duke dalë në konkluzionin se vdekja e Balozit ka qenë aksidentale. Trupi pa jetë i 42- vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit të Laçit, ku më pas është tërhequr nga familjarët për të kryer ritet e ceremonisë mortore.
0 Comments:
Post a Comment