"Si u përballa me Bariç në Tirana-Dinamo Zagreb"

"Si u përballa me Bariç në Tirana-Dinamo Zagreb"

Dikur kundërshtarë, ndërsa sot janë të punë suar në të njëjtin institucion. Sulejman Mema nuk ka kujtime të mira nga Oto Bariç, një trajner që në vitin 1996 arriti ta eleminonte nga turi i parë i Champions League.

Mema atëherë drejtonte Tiranën, ndërkohë që kroati ishte në krye të Dinamos së Zagrebit. Dy sfida të rëndësishme, por që për hir të së vërtetës nuk patën shumë histori për ekipin më të madh shqiptar.

Të ardhur dhe nga një fazë përgatitore jo shumë e mirë në Itali, bardheblutë u mposhtën në të dy ndeshjet me rezultatet 4-0 dhe 6-2, ndërkohë që Oto Bariç shkonte më tej me Dinamon e tij. Sot do të hidhet shorti i Ligës së Kampioneve dhe një nga kundërshtaret e mundshme të Tiranës është pikërisht ekipi i kryeqytetit kroat. "Shpresoj mos të bien ata, se Tirana do ta ketë shumë pisk punën", thotë Sulejman Mema, tashmë shef i arbitrave në FSHF.

Profesor, një nga kundërshtarët e mundshëm të Tiranës në shortin që do të hidhet nesër (sot) në Nion, do të jetë Dinamo e Zagrebit. Ju jeni përballur me këtë ekip 11 vite më parë, kur drejtohej nga Oto Bariç apo jo?

Po, është e vërtetë. Na ra shorti me Dinamon e Zagrebit dhe trajner i tyre ishte pikërisht Oto Bariç. E dinim që ishte një kundërshtar i fortë dhe në të vërtetë ashtu doli. Kroatët na mundën 4-0 në Zagreb dhe 6-2 në Tiranë, pra ta themi me gjuhën e futbollit na bënë leckë.

Pse ky dështim, aq e fortë ishte ajo Dinamo e Bariç?
Të them të drejtën ishte vërtetë një ekip shumë i fortë. Kishte lojtarë si Prosineçki, Simiç apo të tjerë mjaft të njohur që shënuan ndaj nesh. Trajner ishte Bariç dhe mund të them se ishin të kompletuar. Por, më shumë them se na mundën edhe për problemet që patëm ne.

Cilat ishin ato?
Shiko, ne ishim në Itali për fazë përgatitore dhe kur dëgjova se kë do të kishim përballë, të them të drejtën u tromaksa. Aty në Itali, mund të duket habi, por nuk kishim aspak kushte të mira për t'u përgatitur. Për ndeshjen e parë udhëtuam me traget dhe ishim shumë të lodhur.

Më pas, patëm një problem të madh me Blendi Nallbanin që ishte një nga lojtarët tanë kryesorë. Pati një problem me pasaportën në Slloveni, ku qëndruam për shumë orë dhe sigurisht që kjo nuk ishte një gjë e mirë para një ndeshje. U çuditshme ishte se Nallbani kishte udhëtuar edhe në Itali me atë pasaportë dhe nuk pati asnjë lloj problemi, por në Slloveni vërtetë që u lodhëm nga kjo histori.

Pastaj erdhi ajo humbje pak shpresëdhënëse për ndeshjen e kthimit...
Them se të gjitha këto sollën në atë rezultat 4-0. Aty erdhën edhe shumë tifozë dhe na erdhi keq që i zhgënjyem. Ishte edicioni im i parë si trajner i Tiranës dhe doja të ecnim sa më shumë, por Dinamo e Zagrebit e thashë që ishte një ekip i madh dhe na mposhti edhe në Tiranë, madje 6-2.
Atë vit kishim fituar Kupën dhe kampionatin dhe sigurisht që kishim dëshirë të ecnim, por të them të drejtën vajtëm shumë të papërgatitur përballë tyre.

U takuat me Bariçin në ato përballje?
Po, sigurisht që u takuam. Unë njihja Zajecin, një ish-futbollist i madh jugosllav i atyre viteve dhe më shumë fola me të, por edhe me Bariçin shkëmbyem disa batuta në fund. Nuk mund të kujtoj shumë detaje gjithsesi, pasi ishim edhe të mërzitur nga humbjet. Megjithatë kishim vërtetë një ekip të madh përballë.

Tani Oto Bariç është trajner i kombëtares shqiptare, ia keni kujtuar ndonjëherë atë histori?
Po, po. Disa herë. Megjithatë ai e mban mend ndeshjen shumë mirë, por nuk e mban mend që unë kam qenë trajner. Detajet e ndeshjes gjithsesi ai i mban mend shumë mirë.

Sot në Zvicër do të hidhet shorti i turit të parë të Ligës së Kampioneve dhe Dinamo e Zagrebit është sërish një nga kundërshtaret e mundshme të Tiranës. Si e shikoni pas kaq vjetësh një përballje të tillë?

Them se Tirana do të jetë me fat nëse do ta evitojë këtë ekip, është një nga më të mirët në Ballkan dhe ka shumë lojtarë të kombëtares kroate. Për mendimin tim do ta ketë vërtetë pisk.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors