Bashkia e Tiranës ndërkohë ka bërë planin alternativ të qarkullimit dhe ka lajmëruar këto ditë fillimin e punimeve, të cilat do të nisin shumë shpejt
TIRANË - “Molla e sherrit” për përplasjen e radhës mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës është bërë sheshi “Skënderbej”. Kryeministri Sali Berisha urdhëroi dje asfaltimin e sheshit “Skënderbej” në qendër të Tiranës, i cili prej kohësh është dëmtuar. Sipas kryeministrit Berisha, janë disa lobe të caktuara që po lënë sheshin kryesor të Tiranës në gjendje të mjeruar, kësisoj ai urdhëroi marrjen e përgjegjësisë për asfaltimin e këtij sheshi nga ana e kabinetit të tij qeveritar.
Berisha u shpreh se do të përdoren paratë e fondit prej 10 milionë dollarësh, që qeveria kuvajtiane ka vënë në dispozicion prej dy vitesh. Gjithashtu, kryeministri Sali Berisha urdhëroi vendosjen e kontakteve me qeverinë vendore të Tiranës, për të marrë vendimin për asfaltimin e sheshit.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, që në bashkëpunim me autoritet vendore të Tiranës, të marrin masa të menjëhershme për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”, duke bërë fillimisht planin e asfaltimit të sheshit.
Berisha
“Çdo i huaj që vjen më ngre çështjen e sheshit. Imagjino, mendojnë se Bashkisë së Tiranës nuk i jepet asnjë qindarkë, sepse nuk ka njeri që të mendojë se sheshi lihet me qëllim në atë gjendje. Qeveria e Kuvajtit ka dhënë 10 milionë dollarë për sheshin. Ka të paktën dy vjet që paratë janë disponibël. Çdo gjë është disponibël. Të shkosh nga xhamia në hotel “Tirana” është një udhëtim në horror. Kërkoj me urgjencë planin e asfaltimit të sheshit. Nuk ka njeri ndërmend të marrë kompetencat e pushtetit vendor, por nuk mund të lejohet një situatë diskredituese.
Olldashi
Nga ana e tij, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, hodhi poshtë dje deklaratat e Bashkisë së Tiranës, se ka gati projektin për strukturimin e sheshit “Skënderbej” në kryeqytet. “Bashkia përsëri gënjeu kur tha se do të fillojë punimet brenda pak ditësh dhe se ka projektin gati. Një projekt i tillë, duke qenë sheshi kryesor i vendit, kalon kompetencat e pushtetit vendor”, ka pohuar Olldashi.
Reagon Bashkia: Tirana nuk ka nevojë për asfaltin qeveritar
Bashkia e Tiranës ka reaguar menjëherë ndaj deklaratave të kryeministrit për sheshin “Skënderbej”. Zëdhënësja e bashkisë, Joana Bushi, deklaroi në një konferencë për shtyp se, “është faji i Berishës që në sheshin “Skënderbej” nuk kanë nisur ende punimet për projektin e parashikuar. Qeveria të bëjë shpronësimet, është një segment në këtë shesh që ka dy vjet që nuk po shpronësohet”.
Më tej, Bushi shtoi se “bashkia do të nisë shumë shpejt punimet për sheshin “Skënderbej” në bazë të një projekti madhor”.
Kësisoj, bashkia i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha, që “të mos thellojë më gropën e autonomisë vendore”.
Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës ka kujtuar në deklaratën e saj, edhe përplasjen që patën këto dy institucione para disa vitesh për mbikalimin e “Zogut të Zi”.
“Tirana nuk ka nevojë për asfaltin qeveritar në sheshin “Skënderbej”, për të thelluar gropën e autonomisë vendore e për të krijuar një ngjarje “alla-Zogu i Zi”, por për një qeveri që sillet me kryeqytetin konform ligjeve të vendit e në respekt të detyrimeve të veta kundrejt qytetarëve”, u shpreh Bushi.
Sipas saj, Bashkia e Tiranës ndërkohë ka bërë planin alternativ të qarkullimit dhe ka lajmëruar këto ditë fillimin e punimeve, të cilat do të nisin shumë shpejt, mbi një projekt të shkëlqyer që transformon sheshin në një hapësirë këmbësore pa makina.
Ky projekt do të fillojë zbatimin në ditët në vazhdim dhe falë mbështetjes financiare të shtetit mik të Kuvajtit.
“Nëse kryeministri do të kontribuojë për Tiranën, le të zbatojë ligjin që e detyron qeverinë të bëjë shpronësimet dhe le të çlirojë fondin e premtuar prej tij para dy vitesh, për të hapur segmentin rrugor në verilindje të sheshit. Fillimi i punimeve në sheshin “Skënderbej” është çështje ditësh. Mundësia për qarkullimin e makinave, pasi të fillojnë punimet, është sfida për të cilën qeveria është e mirëpritur të kontribuojë me fondin e nevojshëm, për hapjen e aksit të mbetur të Unazës së Vogël, ku gjendet sot godina e INSIG-ut, u shpreh gjatë deklaratës së saj zëdhënësja e bashkisë, Joana Bushi.
Dy ditë më parë
Kryebashkiaku Rama theksoi dy ditë më parë, gjatë inaugurimit të përfundim të punimeve për rikonstruksionin e rrugës “Abdi Toptani”, se sheshi “Skënderbej” është projektuar dhe financuar prej kohësh, por është i bllokuar, për shkak se qeveria nuk ka zbatuar detyrimin për shpronësimin që do të hapte aksin e Unazës së Vogël, e cila nuk do të lejonte që sheshi të degradonte deri në pikën aktuale, duke u kthyer në një shqetësim për të gjithë. “Megjithatë, pavarësisht kësaj pengese të mosarsyes, ne do të vazhdojmë punën dhe së shpejti do të fillojmë punën në shesh, falë këtyre akseve qe po përgatisim për të përballuar fluksin e trafikut, që duhet devijuar nga sheshi”, u shpreh Rama.
Projekti i bashkisë
Rikonstruksioni i sheshit “Skënderbej”, si do të ndryshojë së shpejti
TIRANË - Rehabilitimi i sheshit “Skënderbej“ është një nga projektet më ambicioze dhe të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës. Ky projekt, rrjedhojë e një konkursi prestigjioz kombëtar, për të cilin është siguruar financimi i nevojshëm nga ana e qeverisë kuvajtiane dhe bashkisë, do të përjetojë rilindjen e tij, si një hapësirë e denjë për metropolin ku jetojmë. Njëkohësisht po punohet paralelisht për rikonstruksionin e rrugëve: “Bardhok Biba”, “Urani Pano” dhe rruga pas Pallatit të Kulturës. Rrugët e sipërpërmendura janë parashikuar për përballimin e flukseve tranzit të trafikut, duke mundësuar kështu lehtësimin e punës për rivitalizimin e qendrës së qytetit dhe pakësimin e ndotjes së ambientit dhe zhurmave. Rikonstruksioni i këtyre rrugëve do të krijojë një frymëmarrje për transportin kryeqytetas, në kuadër të fillimit të zbatimit të projektit të sheshit “Skënderbej”. Modeli i ri urban i qytetit të Tiranës, ndërtuar mbi bazën e strategjisë së transportit, përfshin kthimin e sheshit “Skënderbej” në një shesh për këmbësorë, biçikleta dhe pa mjete private. Pika kryesore në këtë projekt është përcaktimi dhe zhvillimi i një identiteti të ri për sheshin “Skënderbej”, duke rezervuar të gjithë hapësirën për nevojat e këmbësorëve. Ky koncept urban, duke u ballafaquar me funksionin urban (si për shembull transportin publik), i cili në këtë moment po pëson një zhvillim demografik, social dhe ekonomik, sjell gjithashtu edhe rritjen e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve në rrugët përreth sheshit. Ndërkohë, shkaku kryesor për vonesat në realizimin e këtij projekti të madh mbetet shpronësimi i domosdoshëm që hap arterien e Unazës së Vogël te godina e INSIG-ut dhe që mundëson devijimin e të gjitha makinave, të cilat sot kalojnë detyrimisht në sheshin “Skënderbej”, shpronësim i cili duhet të bëhet nga ana e qeverisë. (Marsel LELA)
0 Comments:
Post a Comment